Cikël poetik nga Abdullah Zeneli: Tri psherëtima në tri tingëllima

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Abdullah Zeneli

1. QUIET NOONTIME

Mesditë e qetë në Corner tek më fton Titushi im
Thotë nuk vonoj dil tek selia e dikurshme e UNMIK-ut
Pastaj ia mbathim dikund jo larg sa një vrap pele
Tiffany më propozon derisa këmbejmë ajesijetë
Ndalon Golfin katër midis selisë së dikurshme të Ibrës
Dhe stadiumit në rindërtim sipas kritereve të UEFA-s
Miliona shkuan miliona kërkohen si të jenë hiçgjë
Derisa i drejtohemi Tiffany-së shoh një numër 53
Pesëdhjetë e tre e ndërmend Xhugashvilin e 53-tës
Që iku e la zvarrë kultin e individit ah Indi-Vidit
Po edhe busti më saktë koka në bronz e Ibrës
Më kujton selinë ç’dreq këto seli në këtë qetësi
Aty afër dritarja ku Ibra (s’)pret e (s’)përcjell
Aktivistë arrivistë plangprishistë bukoshistë
Po edhe burgosistë QIK-istë adnanistë e milazimistë
Isis pas isistësh tek muzeu dremiste e sikur këlthiste
E premtja e zakonshme me bilance dhune e përdhune
Përdridhet grilave mauzole me shpirtrat në eter
Të Malokut Aganit Mustafës Çavdërbashës
Atelieja e të cilit s’është më as QIK as seli po veç Tiffany
Titushi im menynë kërkon e në tavolinën përbri
Një gjermanishte melodioze veshët m’i paqëson
Tek kujtoj Marshin turk të Mozartit apo Për Elizën e Bethovenit
Janë ca të reja gjermane ku ta di përse pushtuan Tiffaninë
Mbase kampusi univeristar veror apo ndonjë shkas tjetër
Jemi tashmë qendër e botës shoqëri multietnike
Po numri 53 nuk më shqitet dot e s’ishte dikur as rrethoja gur-gur
Kulti i individit nuk pranë as në tranzicion me gjithë këtë rotacion
Titushi merr e përcjell mesazhe gjithfarësoj ofertë-kërkesash
Dorë e fundit e informatikës retorikës politikës bizneselitës
Pjata e parë ok pjata e dytë ok pjata e tretë ibidem
Flasim dëgjojmë përflasim përgjojmë përrallisim tifanisim
Në këtë fillimkorrik në këtë furrik tek 53-shi më shfaqet sahatedakik
Eu Xhugashvil Josif Stalin pelin Xhuglin si naftalinë në Prishtinë
Një mesditë-pasdite të qetë me vapë të sertë në hije të Tiffanysë

2. DONI IM I QETË

U rrite çuni babit ja erdhi edhe njëzetagjashta
Doni im i qetë Doni im vërshues tundues
Po unë nuk jam Shollohovi edhe pse njeri i letrave
As ti Gregori ai i përjetimeve marramendëse
Mirë që Aksinja humbi dikund stepave ruse
Ndërsa Unë dhe Ti do të harlisemi pandalshëm
Mes rreshtash e librash e dorëshkrimesh pa fund
Ti me rininë tënde ëndrrat shpresat elegancën
Unë me pleqërinë time dita-ditës në kërkim
Një vizion që kishte një fillim do dhe një fund
Po çuni babit unë bëhem urë për ëndrrat e tua
Bëhem vërshimë që rrjedh drejt oqeanit ditë për ditë
Ti ke gjakun që të vlon unë durimin për kohën që po rrëshqet
Dhe prindi edhe bën gabime herë-herë dhe të pafalshme
Po qenë kohëra të tjera çuni im errësirë e madhe gjithandej
Vërshima aksione armësh udëbëja bënte kërdinë
Pak libra shumë survejim ballabanë gjithandej
Demonstrime gjashtëdhjeteteta tetëdhjetenjëshi
Orët e gjata policore ndalesa postblloqeve çdo udhëkryq
Dhe ti kur linde ah ti kur linde një terror luftërash me barut
Asgjë më mirë as sot po megjithatë tjetër kohë
Mjafton që nuk ke mbi kokë brigadierë komitete komisariate
Monizmi të merrte në qafë biri im duhej shumë urti
Duhet shikuar përpara Doni im sugari im rebel
Unë duke kërkuar fletët e humbura të Mesharit
Ti me Pemën frutat në kërkim me vrapin galopant
Sot është një e shtunë jo krejt e rëndomtë
Një e shtunë saturniane e planetit të gjashtë
Se ti je njëri nga të gjashtit vëllezër e motra
Tek vërtiteni rreth plakushit si hënat e unazës saturniane
Bota është e pafund Edoni im me gjithë teket tona e të saj
Babai nuk mund t’jua tregonte të gjitha fshehtësitë
Do t’i gjeni vetë se s’ka si vetvetja vetmia vetëmohimi
Kërkimi i pandalshëm për ta përplotësuar Unin
Unin jetë vite mbushulli në këtë zallamahi
T’i lëmë tani këto në këtë ditë Ditën tënde
Gëzuar Edoni im Gëzuar! Jetën duhet marrë shtruar
Babai të do Donushi im i thellësive i mrekullive

3. NJË DALLËNDYSHE NUK E SHOH TE DERA

Ti sot mbushe tridhjetë verëvjeshta
Po se vera është e valë
E vjeshta vyshkë kujtimet
Si sot dallëndyshja ime shtegtare
Është tridhjetë gushti
Kur linde ti Zoti babain ma mori
Për të mbetur jetim
Kur lindi jote motër se tjetër nuk ke
Zoti ma mori Nënen
Tani në 30-vjetorin tënd
Saharaja m’i mori shpendtë e mi shtegtarë
Katër vëllezërit e tu
Siç ia mori mendtë klloçkës sime
Çudi ajo mbush sot gjashtëdhjetë
Çerdhja mbetur me një lejlek të thinjur
Atje ku oxhaku nuk tymon qëkur
Ti bija ime more botën në sy
Titujt gjuhët miqësitë shkojnë e vijnë
Lejlekut i zgjaten krahët
Kot nuk përqafon gjë pos ajrit
Sqepi nuk e ka më buzëqeshjen e prindit
Këmbët i prekin hirin
Ku s’ka më gaca veç ndonjë kujtimi të fikur
Bija ime përshëndeti me radhë dallëndyshet
Thuaju kudo ku janë
Është diku një baba që për ju gëzohet e qan

4. TRI PSHERËTIMA NË TRI TINGËLLIMA

Kurorë e munguar

Kurorë jargavanësh jo nuk thur dot mike
Është fillimpranverë e gjithçka mori erë
Ra borë e vonuar e pandemia si teh thike
Pa aromë dehëse a thua do të dalim në verë

Psherëtimat na tradhtojnë dhomës me grila
Kot do të shfletojmë albume të pluhurosur
Kujtesën e kemi sikur gjembi në trëndafila
Dhemb moj ç’dhemb e sotmja e nakatosur

Në qelqe dritareje pres të trokasë shpresa
Errësuar perdesh pikëllimi dhomë vetmie
Kot hamendësoj si qenë fjalët si u dha besa

Këngën e ditëlindjes do ta lë për më vonë
Derisa duhen kryer jo pak detyra shtëpie
Kohë pëshpërimash kush s’e njeh të zonë

Kurorë e premtuar

Ti moj lozonjare dil nga ëndrra ku je futur
Nuk ta zë diellin as nuk ta errësoj qiellin
Jerm jo nuk do të flas ty që më je si flutur
Fjalët duhen situr siç e sitim dhe miellin

Ç’është një premtim ndryshku mbërthyer
Fjalët nga karantina jo nuk kanë më peshë
Vetmisë për dreq sa keq i jemi hakërryer
Druaj se edhe muret tani janë gjithë veshë

S’ka as gurë të çmuar për diademën tonë
Përse këtij ngujimi i shtohet dhe limontia
Ta ujisim shpresën ende nuk është vonë

Të mos tretet thurimë ëndrre lotit të tharë
Rrisk i madh i motit qenka dhe dashuria
Harruar nuk jemi edhe pse rrojmë të ndarë

Kurorë e refuzuar

Hija jote i mungon dhomës i duhet çatisë
Mbledh fjalët e fjetura harruar gjithandej
Të ikësh ndjell kob moj zonjë e shtëpisë
Dikur ishim sa të lulëzuar aq edhe kërcej

Mbaj mend dhe ditë të mira kishte përplot
Edhe pse qe kohë tjetër jo siç është tani kjo
Qanim e qeshnim ndonjëherë edhe me lot
S’ishte krejt sterrë si kjo pandemi jo moj jo

Tani pres agimin pres diellin pres hënën e re
Po e pe drapër thonë të plotësohet dëshira
E dhimbshme është sot të jetosh si një e ve

Arnoj ditët asgjë për mua nuk është ngujimi
Të fola për shpresën ëndërroj ditë më të mira
Nuk e vras vetminë derisa zotëron refuzimi

ObserverKult


Lexo edhe:


MIKU IM RABIN ABDULLAH ZENELI

ABDULLAH ZENELI: MITIKE

ABDULLAH ZENELI: TI

PYETËSORI I PRUSTIT: ABDULLAH ZENELI