Abdullah Zeneli: Ti

E dashur
Ti je gjithnjë aty ku duhet të jesh
Po ja që unë rrallë i bie andej
Kam frikë se të rrëshqet shikimi
Të shpëton fjala
Të shpërthen tërbimi

E dashur
E di fort mirë e di
Tërbimi yt është aurë Shmrie
Ikonë Kuatrosh sa djem që me lejlekun solle
Fjalët tua oaz për mua a nuk qenë veç mirazh
Shikimi yt dikur vetëtimë stuhie
Tani me diagnoza analiza reçeta dieta
Jo këto nuk duhej t’i kishte jeta

E dashur
Nuk ma ha mendja
Në do të kaloj një ditë andej
Po të gjeta dije moj dije
Rrudhat do t’i numëroj me nge
E di
Rënduar t’i kanë vitet
Kujtesa fëmijët librat
Dhe zhgënjimi që s’të desha kurrë
Siç deshe ti
M’i lër pak dhe mua
Shpendtë tanë shtegtarë
Klloçka ime furriku a nuk qan për ty

Ti
Ti e dashur je diku
Po unë nuk i bie andej
Ka zënë të ngryset
Ikona ime
Në terr lejohet të ëndërrohet