Cikël poetik nga Aleksandër Shallvari: Natura morta

ALEksandër shallvari

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Aleksandër Shallvari.

Në avion

Stuardesa nuk e njeh gjuhën time,
por merremi vesh njësoj,
më ofron një kafe gjysmë industriale
që duhet t’a paguaj shtrenjtë.

Stuardesa nuk i di veset e mia,
por qesh me një spanjishte që të merr mend e kokës,
unë bëhem nervoz per vonesën,
ajo diçka i thotë kolegut tjetër dhe qesh…

Pastaj në një çast del nga kabina e tij,
komandanti bukurosh rreth të dyzet,
si duket i shpëton dhe atij
sepse ka bërë radhë pas derës në këmbë…

me një buzëqeshje prej oficeri në detyrë,
përshëndet të gjithë e askënd,
merr edhe ai një kafe gjysmë industriale
dhe kthehet në kabinën e vet…

Stuardesa nuk e di tani,
që po shkruaj vargje për te,
uroj mos kalojë në korridorin e ngushtë,
pasi buzëqeshja e saj prej spanjolle o miq
të shemb “përdhe”…

(edhe pse fluturojmë mbi re)

Torino – Valencia

Rrathë…

Ne jemi si dy brigje që s’takohen kurrë
Por lagemi nga i njëjti lumë
Një gur duke bërë petullushka hedh unë
Si tre katër mesazhe përzier me shkumë

Pastaj ti me një gur përgjigjesh mbi lumë
Petullushkat e tua lëshohen drejt meje
Të dua me thotë e para petullushkë rrathë shumë
Të puth në buzë shkruan rrethi tjetër.

Ne jemi shumë rrathë në një sipërfaqe blu
Jemi dy brigje të të njëjtit lumë
Njëri -tjetrin s’e takuam kurrë
Mesazhe petullushkash gjuajmë me gurë.

Rob

Ma ndërtuan shtëpinë poshtë Harkut të Triumfit
më blenë një palë këpucë nga ushtria e Kuqe
pastaj me thanë thyej prangat e burgjeve të Burrelit
dhe një hektar tokë nga akujt e Alaskës,
më dërguan t’i hidhja një sy
Muzeut në Luver
E Big Beng-ut
t’i ndreqja akrepat e ngelur që në kohën e Hamletit,

Poshtë ballkonit të Veronës
t’i ringjallja dashuritë e vjetra
e Romeot të martonin
të gjithë Zhulietat.

Të shkrija borën Korabit
e ujin t’a përdorja për të tharë etjen e një kombi…

Pastaj më thanë se duhej të digjja,
të gjitha dokumentat staliniste
kështu mund të shpëtoja dhe Hiroshimën,
nga çmenduria amerikane,
të thyeja gjithë muret e kufirit me Meksikën
e pak bukë të ngrohtë t’i afroja të varfrit,
që pas shtëpisë time digjte gjithë broshurat komuniste,
të ngrohte pak shpirtin e mardhur.

Pastaj më dhanë një kitarë
e më detyruan të luaja marshin bolshevik
ulur buzë Senës
me këmbët në ujë
Danubit t’i thurja vargje
e kryqin e fatit
të mbaja mbi shpinë.

Të tërhiqja fort litarin e kalbur të këmbanës
që binte për të lajmëruar se sot ish e djelë
ndërsa Zonja Bovari
kish vendosur të martohej
me Duken Filippo V, përpara se të mbretëronte Spanjën…

…mbeta udhëve si eunuk në kërkim të një dite pushim

Por të shtunën në darkë
më lajmëruan
se e Djela kish qenë
dy ditë më parë
e duhej të rinisesha prap për udhë,
pasi diku
në cepin e një foleze në Amazone
një bilbil po jepte shpirt…

Natura morta

Ëndërr e prishur
Sy gërvishtur

Emër që lakohet
Mbi buzën që copëtohet

Thëngjill i shuar
Gushë e përvëluar

Fjalë e harruar
Si mall i shaluar.

Brinjë e thyer
Pas aktit të kryer

Melodi e çjerrë
Mbi një gotë verë.

Verë e helmuar
Në shishe të thartuar.

Cigare e shuar
Mes gishtash pa mbaruar.

Ëndërr e vrarë
Akoma pa u parë.

Hapa të nxituar
Në ikje të kamufluar.

Vatër e shuar
Me dreq mbuluar.

Hap sytë e kollitem
Mbrapsht të filloj ditën…

Duhej

Duhej të ishte ditë me diell
ra shi,
qyteti i ëndrrave
u përmbyt
e shpirtrat
lundronin në drejtime të ndryshme,
diku shikohej një dritë shprese,
ish vetëm
një reklamë e vjetër
për lumturinë e pa fund,
pastaj një shishe Gin,
kish humbur kokën
mes gradacelave
të përmbysura…

Duhej të ishte ngrohtë,
fryu tufan e lumenjtë u përmbytën në lot,
deti per derdhjen e tyre ishte larg,
reklama
akoma ndrinte në vetmi,
dhe ngrihej nga mosbesimi
pak nga pak…

Duhej të ishte dite me diell,
të paktën
kështu e kishin parashikuar optimistët,
qyteti flinte në gjendje amorfe,
shpirtrat në grevë urie…

“Orët e tua”…

Nuk dita asnjëherë t’i njoh orët e tua,
ato që të ndërrojnë në çdo moment,
gjithmonë ia lashë fajin vetes
dhe gjithmonë pyesja përse?

Sa herë më vije e lumtur,
duke e tundur atë bel të hollë, trup-gjatë
kur takat kërcitnin ne asfalt nga nxitimi,
“qenka me orë të mira” mendoja në çast.

Pastaj kishte ditë kur shiu i fjalëve,
ankesat e panumërta binin si një shi me rrebesh,
natyrshëm duke qeshur me veten mendoja,
“qenka në orë të këqija për dreq”

Asnjëherë nuk arrita të bëhem,
një ndreqës orësh a sahatxhi,
veç kontrolloja tërë frikë kohën,
në ish diell apo (mund) të bjerë shi…

ObserverKult

Kliko edhe:

CIKËL POETIK NGA SADIK KRASNIQI: SIMFONI MBI BAR

CIKËL POETIK NGA KLEJDA PLANGARICA: MUGËTIRA E RROKTË GJALLIMIN TËND!