Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Brikena Qama:
Hapa të hirtë në një ditë të zakonshme njeriu
Të kesh, saponisur, një ditë të bardhë
e ta terrësh me mendimet e një bujku
që fara nuk i mbiu
që shiu i erdh breshër
që djali s’iu bë dorë
që rrënja iu shterp dheut
që fruti iu kalb në duar
që duart iu nxinë dhimbjesh
që loti e braktisi
që kafsha iu bë mik
që ëndrra iu bë jetë
që jeta iu tkurr në një ditë
e bardhë si kjo e imja, në nisje.
Më duaj
mua që bëhem dita ditës baltë
e pres rrënjët e tua
në mua
Përtej vrimës së çelësit
Ndër gishta akoma mbante përdredhur
rruzaren e perltë
dhuratat e një tjetër patosi të shtirur.
Iu desh kohë të përzërë dremitjen
e të gjejë rrugën drejt rubinetit zhurmues
që s’ndalte së pikuari.
Para se të hapë kanatat e drunjta të grilave
tërhoqi cepin e këmishës mbërthyer vëngër
e mbuloi instiktivisht pubisin.
Në kthim
vendosi me kujdes rruzaren
në sëndukun ku mbante kyçur hiret e saj.
Atdheu
Si burrë i qëmotit
veç një herë më mbajti në duart e tij
më dha emrin, ndër më të bukurit e listës së moçme
e më lëshoi në një lundër Ahu, valëve të një lumi të rrëmbyeshëm.
Shko – tha,
lumi, mali, shtojzavallet qofshin me ty!
Lumi buçiti, -Ashtu u bëftë!
Toka që më kolliti jashtë vetes e iu lidha këmbësh si rodhe
m’u bë premtimi i çdo agimi të ri
Pështjellë, mbështjellë prej e rreth atit që hiqet xvarrë
me bijtë vargan, veshur enkas për mort e hare
disa këndej e të tjerë përtej
premtimit të çdonjërit.
Qarkore
Im gjysh puthte çdo kafshore buke
Im at pyeste çdo udhëtar nëse kishte uri
Ime më më mësoi të mos bëj thërrime se shkojnë dëm
Unë sot hodha hodha një bukë me koren e fortë për dhëmbët e mi
Ai tjetri, me dhëmbët më të fortë se korja
vrapoi pas meje dhe e mori,
e qulli me lëngun e një domateje të zgërlaqur
i hodhi pakës ujë deti
dhe pasi lëpiu gishtat mirë e mirë
u shëllër sa gjerë gjatë nën hijen e një pishe
me lumturinë e vizatuar në buzë.
***
Pas një rrokullime gurësh, muresh të shembur,
një rropullimë isoje dasmorësh
himni i një fundëndrre të përsëritur,
qyteza që me dashje e braktisa.
Tani kërkoj stërkalat e ëmbla të lumit tim
përzjerejs së njelmët të Egjeut
ndoshta ka mbërritur diçka prej tij deri këtu, veç meje.
ObserverKult
Lexo edhe: