Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Dan Ibrahimi:
lufta
lufta…
mos më flisni për të
ju nuk e dini çfarë është ajo
i keni dëgjuar lajmet, historitë
nuk është ashtu
as si këngët. poezitë
as si filmat, romanet…
kur ndodh ajo
thjesht fiken kamerat
përdhunohen lëndinat, qielli
ditënetët…
e kaluara, e tashmja, e ardhmja
së pari vriten heronjtë
pastaj të gjithë
dikush nga lufta
dikush nga vetja
pastaj sërish fjalët
këngët, filmat…
oh. nuk është ashtu
lufta
ranë
ranë
rëndë
retë
si napë gri
faqes së diellit
si një shtjellë e zezë
një tufë sorrash
nga pema
iu sul qiellit
gocat mbyllën lakuriqësinë
si me komandë
aiii çfarë dite
pa dritë
piku moj teze
fjolla bore
si lesh urtaku
lehtas
ranë
as më shikon
as më shikon
as të shikoj
ti në një shtëpi
unë në një tjetër
mbi timen në çati
një shpend i zi
krra-krra
mbi tënden një mace
mjau-mjau
nga dritarja ime
dëgjoj mjaullimën
nga dritarja jote
dëgjon krrokamën
në mes një napë e zezë
as të shikoj
as më shikon
atje
atje
ulërin një qen
si ujku
një njeri i trentë
rrëfen kryeveprën e vet
rrenën
nga qielli
hëna e kuqe
dikton ciklet
në tokë
kur del dielli
ngadalë pushojnë regëtimat
hëna fshihet diku
ai shënon rrenën në biografi
qeni
harron ç’është
beson në njeri
atje
tërmet
tërmet
siç thonë sizmologët
do të ketë nyjave shqiptare
të tokës
siç thonë politikanët
edhe nyjave të shtetit
madje siç thonë sociologët
do të ketë dridhje sociopatike
nyjave të shoqërisë
të gjitha parashikimet
pikën kryq e tërthor
sa ajri uji gjaku
janë kontaminuar
me mbidozë si rrëmeti
që gërryen e lyen
pasqyrën e thyer të ambientit
në pritje të ankthshme
stivojmë mungesë
dridhjesh shkundjesh rëniesh ngritjesh
dhe pyesim
kur do të ketë
tërmet
kot troket
kot troket
janë shurdhuar njerëzit
muret…
hapësira ka elemente të reja
koha ndjesi të reja
ku ishe dje
të kërkuan zogjtë dritaret
orët dhe minutat në ikje
ra si mortajë shurdhëri
dhe verbëri epike
që ngriu tingujt ndjenjat
dhe kuptimet e vjetra
që fshiu ngjyrat…
ti harboje ëndrrallave
me fytyra ndryshe
deri sa u gri hëna
dhe u dogj dielli
ke ngrënë meskohën
lidhësen e këpucëve
rripin e pantallonave
zhurmën dhe ngjyrat
hapat e vjetër
nuk të dëgjon
nuk të shikon
nuk të njeh askush më
kot troket
ndërsa ajo lexon
ndërsa ajo lexon
në rreshta
mes rreshtash
sysh
mes gishtash…
shikon thembrën e Akilit
në zemër të diellit
si digjet
pastaj sërish lexon
këngët e arta
për syrin e yllit
që fle parzmës së saj
ai bëhet flakë
shkëputet nga rreshtat
i ngjitet në flokë
e puthë në vetull
plot zagushi
ashtu pa e hetuar
ndërsa ajo lexon
nuk vij andej edhe një kohë
nuk vij andej edhe një kohë
mbylla sytë
në kërkim të pamjes sate
në fushat e amullta
këtu ka shumë zhurmë të trashë
dhe profile zombësh
sa po plasaritet akuariumi
nga tingujt e pagdhendur
nga piramida e jargëve
dhe vdekja e artit
atje nuk ka kohë
as hapësirë
as smirë as etje as uri
as kobe që rilindin
as…
të ndiej por…
nuk vij andej edhe një kohë
ObserverKult
Kliko edhe:
CIKËL POETIK NGA SHINASI A. RAMA: HESHTJA E THELLË RA MBI MUE…
CIKËL POETIK NGA AZIZ MUSTAFA: KREJT ÇKA DUHET ËSHTË DASHURIA