Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish të Emily Dickinson, shqipëruar nga Kolec P. Traboini *
NJË ZONJË E KUQE PËRMBI KODËR
Një Zonjë e kuqe përmbi kodër
Sekretin e përvitshëm mban;
Një grua të bardhë brenda fushës
Ku fle i qetë një zambak!
Fllad i ftohtë me një fshesë
Fshin pllaja, kodra dhe pemë!
Ju lutem, amvisat e mia të mira!
Kush mund ta bënte gjithë këtë?
Për fqinjët s’mundem të dyshoj!
Drurët në pyll shkëmbejnë buzëqeshje
Arrorët, begonjat edhe zogjtë
Si u bënë bashkë në aq pak kohë?
Çudi si ky peizazh qëndron,
Krejt mospërfillës në një dru,
Në qoftë se ç’ndodh është një ringjallje
Asgjë të çuditshme s’ka këtu!
VJESHTË
Agimet më të qeta se kurrë
dhe arrat po bëhen kafe;
frutat e pjekura të plota,
trëndafila nuk ka më në qytet.
Panja ka veshur velin gri,
Fusha një të kuqe të ndezur.
Nëse dukem në pamje e vjetër?
Po vë ca stringla edhe unë.
MIKU IM
DUHET TË JETË NJË ZOG
Miku im duhet të jetë një zog,
Për shkak se fluturon!
I vdekshëm miku im do të jetë,
Për shkak se ai vdes!
Thumb ka ai,
Si një bletë.
Ah, mik im kureshtar,
Ti ma copëtove shpirtin!
FSHIHEM BRENDA LULES SIME
Unë fshihem brenda lules sime
Ajo pushon në gjoksin tënd,
Ti, pa dyshim, më mban mua –
Dhe engjëjt e dinë pjesën tjetër.
Unë fshihem brenda lules sime,
Që vyshket në vazon tende,
Ti, pa dyshim, ndjen për mua
Ashtu si për një vetmitare
LETËR PËR BOTËN
Këtë letër unë ia dërgoj botës,
asaj që mua s’më shkroi asnjë, –
vetëm një lajm natyra më solli,
me butësi e madhështi.
Mesazhi i saj m’u përcoll
nga duar që s’i shoh. Të dua
njerëzit që rrojnë në këtë dhé,
gjykomëni me butësi dhe mua.
MORA FUQI ME DORËN TIME
Mora fuqi me dorën time
e botës iu vura përballë;
nuk ishte e fortë si dora e Davidit,
por ish dyfish në kurajë.
Gjuajta me guriçkë, por vetja ime
ishte ajo që do të binte.
Ishte Goliathi shumë i lartë,
a ndoshta, unë isha tepër e vogël?
GUSHËKUQI ËSHTË AI
Gushëkuqi është ai
që përshkon tej e tej mëngjesin
shpejt, pakëz, e lajmëron
se marsi është në ikje.
Gushëkuqi është ai
që del nga shtrati i hënës
shoqëruar me plot engjëj,
në prillin që ka nisur.
Gushëkuqi është ai
që me heshtjen në fole
na thotë, se shtëpia e siguria
janë më të çmuarat mbi dhe.
*shkëputur nga libri AMERICAN POETICA, Pantheon Books, 2020
ObserverKult
Kliko edhe:
EMILY DICKINSON: PO TË THEM QË NUK PRES MË!
NGA EMILY DICKINSON: S’KISHA KOHË PËR TË URRYER
PIVA NJË GLLËNJKË JETË…POEZI NGA EMILY DICKINSON