Cikël poetik nga Erina Çoku: Zemër e mbushur me shërim

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Erina Çoku, shkëputur nga trilogjia “Frymë” që përfshin veprat: “Fill”, “Rrëfime të vogla për shenja të mëdha” dhe “Jemi gjallë gjer në mbrëmje”, si dhe nga cikli i poezive të saj më të reja “Universet”.

ZANAFILLË

Koha jote do të vijë,
oqeanin do ta njohësh po nuk do ta kuptosh
i largët syve të tu të mëdhenj do të rrijë,
kohë e hapësirë pa shpjegim.
Sado të mundohesh je veçse njeri,
krijesë e përkohshme fatthënë për lundrim
por me fund në rërë.

Rëra.
A të kam folur për rërën që e hëngrën guaskat?
Vetëm perlat dëshmojnë se ajo ishte në breg
ëndërr mes ujit e qiellit.

Koha jote do të vijë,
oqeani do të jetë afër
dhe jeta do të të therë si ujë i mbledhur
ti nuk do të vërshosh,
uji do të rrijë me ty
ti nuk do të vërshosh,
gjithsej do të jetë e madhe, por e ngrirë
ti nuk do të vërshosh,
gjithsej do të jetë e butë, por pa kujtesë
ti nuk do të vërshosh,
gjithsej do të jetë e bukur, por e ndryshuar
ti nuk do të vërshosh.

Filli.
A të kam treguar ndonjëherë që filli është i shenjtë?
Nuk duam të kapemi në të, por kumti i jetës na thërret
e dëgjojmë, e njohim, e dimë, shpëtojmë
por, baticat na ndjekin.
Kështu jemi ne, afër ujit si bregu
por jo larg gjithçkaje si rëra.

Koha jote do të vijë,
oqeanin do ta njohësh e toka nën këmbë do të dhembë
brengat e ujit nuk do të shtrohen para teje,
por përmasat e gjithësisë do të zhvendosen
aty ku shtati yt ka nisur zbaticën.

Njeri, veç me trup e frymë
kënga jote do të udhëtojë më larg se ti
dhe uji yt do të ushqejë forma të tjera jete.

Koha jote do të vijë,
oqeanin do ta njohësh
do të jetë i njelmët sikundër të kanë thënë
do të jetë hyjnor sikundër të kanë thënë,
por përpjekja jote do të jetë aq e madhe
sa do të ta çajë lëkurën
e ashti yt do të dëshmojë se mbi dheun e jetës
mund të mbijë vetëm një shpirt
që di të belbëzojë si fara në plis
dhe të ulërijë si rrënja në ujë.

Do ta njohësh oqeanin herët a vonë,
goja jote do të ketë aq shumë ujë
sa nuk do të mund të rrëfesh asgjë
do të përpëlitesh e pastaj do të qetësohesh
do të bëhesh vetë rrëfenja
do të bëhesh vetë zanafilla.

“Fill”, Trilogjia “Frymë”, Botimet “Jozef”, 2022

NATA E ZBATICËS

Ç’bie kjo natë kështu?
Natë si të gjitha netët, por tjetër, tjetër.

Ata lumenjtë që isha, bënë këtë det që jam,
por është natë, si të gjitha netët,
e gjitha fle aty thellë – e pazëshme
rryma që ishin, thellësi që u bënë,
dhe asgjëje nuk i gjej justifikim më të mirë
se këtë zemër që përplotet në trup.

Ç’bie kjo natë kështu?
Natë si të gjitha netët, por tjetër, tjetër.

Këto shenja fituar nga plagët,
flenë – fitore dhe humbje brenda
dhembja që ishin, fuqia që u bënë
dhe asgjëje nuk i gjej justifikim më të mirë
se harresën e ngadaltë – zbaticë e mençur shëruese.

Ç’bie kjo natë kështu?
Natë si të gjitha netët, por tjetër, tjetër.

Ndihet gjaku,
zemër e mbushur me shërim
zemër e mbushur me shërim
zemër e mbushur me shërim.
Ndihet.

“Jemi gjallë gjer në mbrëmje”, Trilogjia “Frymë, Botimet “Jozef”, 2022

PIKËL

Këtu nuk ka yje,
vetëm vdekja e tyre matet me jetët tona.
Ne nuk jepemi,
në çdo pikë varim një dritë
për hartën tonë të gabuar.
Këtu nuk ka.
Dashuria ka dalë mode shekujsh,
por e zëmë ngoje me nderim
si latinishten fjala vjen,
të përkorë e burimore.
Këtu nuk.
Heshtja e vetmia kanë rënë dakord,
gjithçka e qetë.
Këtu,
dalim nga lëvozhga e vjetër,
por nuk ka duartrokitje të reja.
Brenda idesë ka një thelb
që nuk bëhet humbje,
jashtë idesë ka shumë humbje
që nuk prekin thelbin.
Këtu mbahemi.
Kështu.

“Rrëfime të vogla për shenja të mëdha”, Trilogjia “Frymë, Botimet “Jozef”, 2022

2 LITRA DASHURI

Natën çan zemra kraharorin
e frikë nuk ka të kërkohet me dritën.

Natën, një pirg brinjësh të thyera
pret zgjimin me dy litra trimëri.

Qarkullim i hapur. Dashuri pa kushte.

(Nga: “Universe Ciklike), Erina Çoku, 2023

NJË LUNDRIM I QUAJTUR JETË

Në një pikë të hapësirës udhëtojmë,
çka shohim na sheh
çka na sheh e shohim,
therja e dritës, diku thellë mes brinjëve
na ngjan me jetën.

Vazhdojmë, vazhdojmë.

Sytë venat na dritojnë
gjithçka bëhet aq e nxehtë
dhe e shpërbërë na pushton
sa nuk vendosim dot
a jemi formë pa përmbajtje
apo përmbajtje pa formë.

Ndijojmë, ndijojmë.

Drita na hyn, përmbytje e ngadaltë
si nëndetëse zhytemi, biem dikah
lundrim i thellë, lundrim i thellë.

Asgjë atje, gjithsej këtu.

Drita na pushton, na çan
thellë në terr, në terr thellë
dhe marramendemi
thellë në dritë, në dritë thellë.

Tani asgjë nuk është më njësoj
dhe me asgjë nuk jemi njësoj.
Veç dritës.

“Jemi gjallë gjer në mbrëmje”, Trilogjia “Frymë, Botimet “Jozef”, 2022

LIRI E FRESKËT

Po bien fjalë nga qielli
mu para këmbëve të njerëzve
që domethëniet i kapërcejnë
si kafshëzat një kanal të hollë,
të lirë e të shpenguar.

Asnjë nuk i shkel, asnjë nuk i merr
zhurma e tyre ka pushuar
kjo liri aq e pastër ku paska qenë fshehur?

Fjalë nga qielli, merre me mend,
kanë rënë përdhe
dhe hije të lagëta kulluar ulluqeve
drejt tyre po shkasin ngadalë
ngushëllimin e fundit t’ua japin.

Heshtja më e mirë mes zërave të tokës
po mbillet,
gjendja më e re në jetën që dimë
po ushqehet,
me fjalë që nga qielli bien
e askush nuk ua ka më nevojën.

(Nga cikli “Univers i Ri”), Erina Çoku, 2023

ZEMËR PREJ TRUPI

Të gjitha fjalët për dore gardh,
ruajnë barkun e butë të heshtjes,
gjer shkrihen e lëshohen lëng
në kohën e thatë.

Dhe barku i zhveshur i heshtjes
shpërbëhet natë,
thelb me zemër lakuriqe
pa brinjë të vështira.
Trup i ëmbël i platitur,
dorëzuar në heshtje.

Të gjitha heshtjet për dore gardh,
të gjitha.
O trup i ardhur përmbi botë,
para fjalëve që s’dinë të thonë.

“Jemi gjallë gjer në mbrëmje”, Trilogjia “Frymë, Botimet “Jozef”, 2022

KOHA E PUSHTUAR

Mendimet mbaruan.
Fjalët mbaruan.
Ndijimet prag.

O kohë e pastër e lirë,
ndalu e bjer këtij trupi
rrëshqit ë shpërhapu kësaj vene.

Ofrohem.

…vijon.

“Jemi gjallë gjer në mbrëmje”, Trilogjia “Frymë, Botimet “Jozef”, 2022

ObservreKult


Lexo edhe:

ERINA ÇOKU: NJË GOTË UJI