Cikël poetik nga Fatmir R. Gjata: Të puth pak buzë trëndafiluar…

fatmir r. gjata

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Fatmir R. Gjata:

Kohë e çmëndur

Është koha për t’u kthyer, në rrugën që lamë pas
Dikur me lot në faqe e shpirtin me maraz
Matanë ca sirena këndojnë me zë të shtirë
Këndojnë për dashurinë po mua më ngjan mëshirë.

Është koha për të ikur në rrugë të paemër
Nëse nuk thyhet copash diçka do mbes në zemër
Le të këndojnë sirenat pa det edhe pa varr
Ata po shkojnë të gjithë të dehur a të marrë.

Është koha e pakohë për njerëzit e çmuar
Po humbin gjithë ç’kanë asgjë nuk kanë fituar
Vetëm po sillen rreth, ku ikin nuk e dinë
Ca qajnë duke u larguar, ca qajnë se duan të rrinë.

Po çfarë po ndodh vallë, çfarë Zoti na mallkoi
Të trembur s’kemi qenë por frika na largoi
S’na mbeti asnjë gjë, as doke e as besë
Jetojmë për të jetuar, pa nesër e pa shpresë.

Këndojnë zogj

Këndojnë zogjtë mbi degë të shtrirë,
se ç’thonë ata e dinë
Ndoshta po shprehin një dëshirë,
këndojnë për dashurinë

Pastaj shkojnë me krahë të nderë,
flutrojnë për s’di se ku
O zogj të vegjël e të mjerë,
të vij pak bashkë me ju??!!

Të ikim bashkë në tokën time
ku qiejtë janë ndryshe
Në strehë ku mblidhja ca thërrime
të gjej një dallëndyshe.

Atje mes grurit nëpër arë,
ku është fole e shkretë
Më merrni dot se ka të ngjarë,
të bëhem zog dhe vetë.

Nuk ka çudi me krahë të lagur,
me pupla nëpër shi
Një ditë prej mallit puplazbardhur,
të bëhem s’është çudi.

Lulëzojnë…

Lulëzoi dhe lul’e pjeshkës dhe u mbars me psherëtimë
Ndërsa fryn era ndër gjeth dhe më flet me fëshfërimë
Çdo më thuash këtë herë mbushur me polen të ri
Mos më thuaj është e thjeshtë, mos më thuaj është çudi.

Lulëzoi dhe lul’e mollës nëpër degë që duken tharë
Si t’ju them që nuk besova por këndova me kitarë
Serenatë nën një dritare në qytet ku s’njihja kënd
Me një këngë të shekulluar e përmenda emrin tënd.

Lulëzoi dhe lulj’e dardhës por pranverë nuk ish o Zot
Nëpër baçet plot me lule u mundova kot më kot
O ju lule gënjeshtare pse më bëni që të vuaj
Jam prapë unë që isha herët e nuk jam njeri i huaj.

Lulëzoi lul’e limonit sapo prilli kishte hyrë
Po nuk desha lulen tënde por të shihja në fytyrë
Po nuk desha asnjë lule vetëm ty të shihja pak
Të të puthja veç njëherë, të të bëja buzë me gjak.

Lulëzojnë të gjitha lulet, le të bëhet ç’është e shkruar
Ohhh të marr vetëm petalet e në erë ti hedh me duar
Le të mbushet vënd ku shkel me aromë të kundërmuar
Le të thonë e tundin kokën po ky qënka dashuruar…

Këngë e fshesarit

Kur nata ra përmbi qytet,
filloi këndonte një fshesar
Në rrugë ku shkonin ca të shkretë,
në rrugë ku qeshnin ca të marrë.

Të shkretët shkuan shpejt të flenë,
të marrët humbën nëpër hije
Veç era fshinte bashkë me renë,
ca pika lotësh prej mërzije.

Nesër do jetë çdo gjë e ndrirë,
qytet do mbushet plot me jetë
Prift do këndojë; o Zot mëshirë,
hoxhë do të psallë nga minaretë.

Askush s’dëgjoi fshesar të gjorë,
këngën e tij me fshamë në gji
Qytet po flinte në atë orë,
qytet për kujën s’do t’ja dijë.

Jeta vazhdon për njërëzinë,
për ca vazhdon me shpirt të vrarë
Ç’kam bërë ohhh shpirt me perëndinë,
këndonte natën një fshesar.

Borxhi

Ca borxhe kam me vëndin tim,
i pari që e pashë
Të tjera kam me nënën time,
kur ishte ende vashë
Por nëna kish njëmijë halle,
e ish me shpirt të vrarë
Të tjera kam me gjuhë të folur,
paçka se duke qarë.

Ca borxhe kam me zogj të ardhur,
me cicërimë e pëndë
Ca borxhe kam me njërëzinë,
e as që i mbaj mënd
Dikujt një fjalë të kthyer keq,
dikujt një fjalë të mirë
Një plak më thosh kur isha djalë,
kjo jetë është e vështirë

Ca borxhe kam me babën tim,
pse nuk i gjendem pranë
Të pimë një kafe duke qeshur,
ta kthejmë me filxhan
Ta pimë të hidhur shoqëruar,
bashkë me një gotë raki
Ndoshta ish fati ynë i bardhë,
a ndoshta fat i zi.

Të gjitha borxhet do t’jua laj,
edhe në s’qofsha gjallë
Edhe në u bëfsha ëngjëll lart,
edhe në u bëfsha djall
Gjithçka që bëra mirë në jetë,
nuk dua që ta marr
Mjafton bëni mirë dikujt tjetër,
kur unë të jem në varr.

Ca borxhe kam me perëndinë,
po s’kish monedhë në botë
Atë borxh e shlyeva që qëkur,
me dhimbje e me lotë
E ndoshta kurrë s’do të mjaftojë,
por s’di të kem pendesë
S’kam vrarë kënd me plumb e fjalë,
s’kam qenë kurrë i pabesë…

Të puth

Të puth pak buzë trëndafiluar,
mbushur me mjaltë edhe nektar
Në qoftë se s’ka për t’më shëruar,
nuk do më lërë në tokë të vrarë
Po mbase do të ndiej në zëmër,
gjithë ëmbëlsinë që ka kjo botë
Paçka se thonë se është ëndërr,
e parë në fjetje kot më kot.

Por unë e di që frymë mjafton,
të përtërihesh gjithsesi
Mjafton të puthësh vajzë që do,
edhe ti shprehësh dashuri.

Të puth pak prapë të ndiej akoma,
një erë lulesh mbirë në fushë
Pakëz në vetull të harkuar,
pakëz në faqe dhe në gushë.
Edhe do pres të skuqesh krejt,
e të më thuash; të lutem mos
Por unë mendoj për dashurinë,
dhe kurrë nuk dua të plagos.

ObserverKult

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA DESANTILA QERIMAJ RRANXA: VETMIA E NJENI-TJETRIT NA PËRKET SI DIMNI