Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Jacques Prévert, shqipëruar nga Kolec P. Traboini*
KJO DASHURI
Kjo dashuri kaq e egër
Kaq e brishtë
Kaq e prekshme
Kaq pashpresë
Kjo dashuri
E bukur si dita
E keqe si moti
Kur moti është i keq
Kjo dashuri është aq e vërtetë
Kjo dashuri është aq e bukur
Sa e lumtur
Sa e përjetueshme
Po aq patetike
Drithëron prej frike si fëmijë në errësirë
E aq e sigurtë në vetvetegjashëm
me një burrë të qetë në mesnatë
Kjo dashuri që i bën të tjerët të drojtur
I bën ata të flasin
I bën ata të treten
Kjo dashuri që me ngulmim shikohet
Sepse ne me qëllim e synojmë atë
Vrapojmë, rrëzohemi, plagosemi shkelmohemi
mbarojmë, dënohemi harrohemi
Sepse ne e rrëzojmë atë, e plagosim atë
e nëpërkëmbim atë
I japim fund asaj, e dënojmë atë
dhe e harrojmë atë.
Gjithçka kjo dashuri
Kaq nxitëse
E kaq diellore
Është e jotja
Është e imja
Ajo hyn
Gjithmonë me gjëra të reja
Ndërkohë asgjë nuk do ndryshojë
Sakohë që të vërteten, sakohë që pemët
Sakohë që drithërimën, sakohë që zogun
Sakohë që ngrohtësinë, jetën, pranverën
Do t’i kemi bashkë të dy
Tek shkojmë e vijmë
Do të harrojmë
A atëherë shko prap të flesh
Kur të ngrihesh e do ndjehesh i moshuar
Shko të flesh sërish
Zgjohu i qeshur e gazmor
E ndjehu i ri
Dashuria jote qëndron atje
Kokëfortë si një mushkë
Nxitëse si dëshirat
Torturuese si kujtimet
Budallaqe si keqardhja
E thyeshme si mendimi
E ftohtë si mermer
E bukur si dita
E brishtë si fëmija
Tek na vështron, buzëqesh.
PËR TY, DASHURIA IME
Për ty, dashuria ime
Shkova në tregun e zogjëve
E të solla një zog
Për ty Dashuria ime
Shkova në tregun e luleve
E të solla një lule
Për ty Dashuria ime
Shkova në tregun e hekurishteve
E të solla një zingjir
Një zingjir të rëndë
Për ty Dashura ime
Vajta në tregun e sklleverve
Të kërkova
Por kurrë më s’të gjeta
Dashuria ime.
………………
I flas vetes pa thënë asnjë fjalë
E dëgjoj vetveten me drithërimë
Dhe ja plas së qari
Unë qaj për ty
Unë qaj për veten
Kërkoj ndjesë e lutem
Për ty e për të gjithë ata që dashurojnë një tjetër
A dashurohen prej një tjetri
Po, unë qaj për këtë
Për ty për mua e për të gjithë të tjerët
Të cilët nuk i njoh
Qëndro atje
Atje ku ti je
Atje ku ishe në të shkuarën
Qëndro atje
Mos lëviz
Mos ik që andej
Ne që e duam njeri-tjetrin
Ne që të harruam ty
Mos na harro
Veç teje s’kemi tjetër në Botë
Mos na lërë të ngrijmë
Gjithmonë më larg që ketej
Dhe në çdo vend qofsh
Na jep një shënjë jetë
Tejet vonë në errësirën e natës
Në pyllin e kujtesës
Shfaqu papritur
Zgjate dorën tënde drejt nesh
E na shpëto!!
BARBARA
A e sjell në kujtesë Barbara
Atë shi që gjithë ditën rigoi në Brest
Ti kaloje e qeshur
Në dallgëdi me flokë të qullur
Harlisur në shi
Gjithë ditën rigoi shi atë ditë në Brest
Kur u gjenda përballë teje në Siam Strit
Ti ishe e qeshur
Dhe unë gjithashtu
Të kujtohet Barbara
Qemë dy të panjohur
Edhe unë – edhe ti
Kujtoje
Kujtoje atë ditë që më ngriu në kujtesë
Mos e harro
Një burrë kish gjetur strehez në një verandë
E me ngashërrim thërriste emrin tënd Barbara
Ti vrapove atëherë nëpër shi
Në dallgëdi me flokë të qullur, harlisur
U lëshove në krahët e tij
Sille në kujtesë atë Barbara
E mos u pikëllo në të flas ngrohtësisht
Unë i flas ngrohtësisht çdo njeriu që dua
Edhe sikur ta shoh veç një herë
U flas ngrohtësisht të gjithë të dashuruarve
Edhe sikur të mos i njihja asnjëherë
Kujtoje Barbara mos e harro
Të mirin e të gëzuarin shi
Në fytyrën tënde të lumtur
Në të lumturin qytet
Atë shi tej në det
Mbi armatimet e rënda
Mbi anijen Ushant
Çfarë mutçmëndurie kjo luftë
Tani kush do të vij tek ty
Nën këtë shi të hekurt Zjarr,
Çelik dhe gjak
Dhe ai që të mbajti në krahë
Me dashuri ate ditë i vdekur
i harruar është apo akoma gjallë
Ah, Barbara
Edhe sot gjithë ditën rigon shi në Brest
Ashtu siç binte dhe më parë
Veç ai nuk është më njësoj
Gjithçka është gremisur
Është një shi i përzishëm, vetmitar
Nuk është një stuhi e hekurt,
e çeliktë, e përgjakur
por thjeshtë rè që vdesin si qëntë
Si kufomat e qenëve që zhduken
Nëpër rrekët që përmbytin Brestin
Tek ikin, pluskojnë e kalbëzohen
Diku larg që këtej
Larg e më larg nga Bresti
Në të cilin nuk ka mbetur asgjë.
RANISHTE
Perlat e mrekullitë
Erërat dhe rrymat
Që ikën tej e zbatica i nxorri në breg
Dhe ty
Ngjashëm me leshterikët që era perkëdhel
Në ranë, si në një shtrat ku lëviz, ëndërron.
Perlat e mrekullitë
Erërat dhe rrymat
Që ikën tej e zbatica i nxorri ne breg
Por në sytë e tu gjysëm të mbyllun
Dy dallgë të vogla mbetun kanë.
Perlat dhe mrekullitë
Erërat dhe rrymat
Dy dallgë të vogla të më marrin
Në detin e pa anë dhe mua.
GJETHET E VDEKURA
Oh sa shumë dëshëroj të mbash mend
Të bukurat ditë kur ishim miq
Jeta në ato kohë kishte më shumë dritë
E dielli ish më i ngrohtë se sa sot
Gjethet e vdekura i flakte kopshtari tej
E sheh, unë të gjitha i mbaj mend
Gjethet e vdekura i flakte kopshtari tej
Kujtesen e dhëmbjen gjithashtu
Era e Veriut i kuturiste larg
E ftohtësira e natës i mbështillte në harrim.
E sheh, unë të gjitha i mbaj mend
Këngën që ti këndove për mua:
Ajo këngë që na përngjiste aq shumë.
Ne jetonim bashkë, ne të dy
Ti më doje mua Unë të doja ty.
Po jeta ata që duhen i ndan
Gjithmonë butësisht
Gjithmonë pa nxjerrë zâ
Dhe deti i shuan gjurmët në ranë
Gjurmët që të dashuruarit tek iknin, lanë
*WORLD POETICA Vol.1, Pantheon Books 2019
ObserverKult
—————
Lexo edhe:
Jasques Prévert: TI DO TË VISH…
JACQUES Prévert: NJERIU QË DOJA VDIQ…
JACQUES Prévert: DJE… MË THA SE MË DONTE
“PARISI NË ERRËSIRË” POEZINË E JACQUES Prévert E LEXON ENGJËLLUSHE ALLA