Cikël poetik nga Mahmud Darvish: Ma të rrallë janë trandafilat

Mahmud Dervish

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Mahmud Darvish.

DHE NA E DUEM JETËN

Dhe na e duem jetën aq sa asht e mundun.
Na vallëzojmë mes dy dëshmorësh.
Mes tyne na ngrejmë
për vjollcat nji minare ose palma.
Na e duem jetën aq sa asht e mundun.
Na i vjedhim nji fije krimbit të mëndafshit për të endë qiellin tonë
dhe për t’i dhanë fund këtij ekzodi.
Na hapim derën e kopshtit në mënyrë që jasemini të vërshojë
nëpër rrugë si të ishte nji ditë e bukur.
Na e duem jetën aq sa asht e mundun.
Atje ku banojmë, na mbjellim bimë të harlisuna dhe
mbledhim të vdekun.
I fryjmë fyellit ngjyrën e së largtës, larg, dhe
vizatojmë një hingëllimë mbi pluhnin e shtegut.
I shkruejmë emnat tanë gur për gur.
O vetimë, ndriçoje natën për ne.
Na e duem jetën aq sa asht e mundun.

DASHUNIA MË MËSON MOS ME DASHTË

Dashunia më mëson mos me dashtë, me hapë dritaren
buzë rrugës.
A mund të hidhesh nga thirrja e borzilokut
dhe të më ndash në dysh: ti dhe çka mbetë nga kanga?
Oh, ç’dashuni, dashunia!
Në çdo dashuni unë shoh dashuninë
si vdekja e nji vdekje të maparshme
Stuhi që i thotë virtyt lëshimit të kuajve, mes resh
dhe luginash, drejt stuhisë-amë.
A nuk mund të dalësh nga gurgullima e gjakut tim që unë të mund
ta përkund këtë dëshirë të zjarrtë?
Që t’i tërheq bletët nga gjethet e trandafilit të smundë?
Oh ç’dashuri, dashuria! Ajo më pyet ; si u kthye vena
tek e ama e pastaj u ndez flakë?
Sa e ambël asht dashunia kur e torturon dhe shkreton narcizin
e shpresës!
Dashunia më mëson mos me dashtë dhe më lëshon në dorë të gjetheve.

A MUND TË MA FIKËSH NJI HANË

A mund të ma fikësh nji hanë të vetme, në mënyrë që unë
ta baj nji sy gjumë?
Nji sy gjumë mbi gjujt e tu, në mënyrë që fjala të zgjohet.
Dhe këndon nji dallgë të lashtash që mbin mes damarëve të mermerit?
Ti më ike duersh, gazelë e egërsueme, tue vallzue rreth meje.
Dhe unë që nuk mund ta za zemrën që duert e tua t’i kafshon dhe bërtet: rri
Që ta marr vesh nga cila erë fryn mbi mue reja e pllumbave.
A mund të ma fikësh nji hanë të vetme që unë të shoh
Kotësinë e gazelës asiriane që tejpërtej e shpon gjuetarin
me hanë Sumeri në mue? Ku asht Damasku?
Mbaj mend se të kam harrue. Vallen hidhe atëherë mbi naltësitë e fjalës.

VJESHTË E RE PËR GRUEN PREJ ZJARRI

Vjeshtë e re për gruen prej zjarri: ji ashtu si të kanë krijue legjendat dhe dëshirat. Ji trotuar për trandafilat e mi që shkapërderdhen. Erë për detarët që nuk duen me u nisë në det të hapët. Oh, sa të dëshiroj kur vjeshta zbret në shpirt. Sa e uroj të mbetem shtang mbi nji kambë lëvdatash prej mëndafshi. Ji grue për zemrën time, emën për sytë e mi, ji dritare për kopshtin, nanë për dëshprimin tim të tokës. Ji engjëjt e mi ose mëkati i dy kambëve përreth meje. Të due para se gjaku im të fërkohet me stuhitë dhe bletët. Ji ajo që ke qenë. Ji ajo që nuk je. Prek me thekët e hijes tande xhindin e kangëve dhe fjala do të rizgjohet mbi mjaltin e dëshirave. Të due ose nuk të due. Unë nuk mund të kthehem në vendin tim. Nuk due me u kthye në trupin tim. Nuk due të kthehem tek askush mbas ksaj vjeshte.

ZOTI IM, PËRSE MË BRAKTISE?

Zoti im… Zoti im, pse më brasktise? Pse u martove me Marien?
Pse ua premtove ushtarëve hardhinë e vetme që kisha, pse?
Unë jam vejusha.
Unë jam bija e ktij boshllëku. Unë jam bija e fjalës tande të lanë mbas dore.
Pse më braktise, Zoti im? Pse u martove me Marien?
Ti zbrite, fjalë në mue, dhe, nga nji kallëz, krijove dy popuj.
Ti më bane që të martohem me nji ide dhe unë t’u binda. Iu nënshtrova plotësisht urtësisë tande ardhmënore.
Ndien neveri për mue? Apo je nisë të shërosh me gijotinë ca të tjerë e jo mue, anmiku im?
Ajo që asht si unë, e ka të drejtën ta dojë Zotin për burrë dhe ta pyesë:
Zoti im, Zoti im, përse më ke braktisë?
Pse më more për grue, o Zoti im… pse more për grue edhe Marien?

DARKA PO ZGJATET

Darka po zgjatet, po ashtu dhe urdhnimet e Darkës.
Ati ynë që je me ne, na e jep kohën tande, na prit pak.
Mos e largo prej nesh kelkun. Prit që na të mund të pyesim,
ma shum se kemi pyetë deri tash.
Dhe mos akuzo njeri. Ji zemërbutë me ata prej nesh
që ligshtohen.
Ati ynë që je në sukseset tona, ngjitu pak nga pak drejt vdekjes sonë.
Ky vend asht ba shum i ngushtë për klithmën tone. Dhe ky trup shum i ngushtë
Për idenë tonë, o Ati ynë. Ti e the fjalën që ndodhej në ne. Na merr me vete tek fillimi i ujit, tek zanafilla e sendeve, tek nistorja e fjalës.
Kjo Darkë u zgjat, po ashtu edhe urdhnimet , kurse buka asht hollue. Atëherë na ban që të ngjitemi
Sepse, mbas teje, “Letrat” na vrasin nji kah nji… o Ati ynë.

Përktheu: Primo Shllaku

ObserverKult

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA HAJNRIH HAJNE: UNË QAVA NË ËNDËRR…