Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Mehmet Elezi
U PRISH KONTRATA ME PARAJSËN
Të Vdekurit vdiqën
Dheu ankohet se nga Parajsa po vijnë gjithnjë e më rrallë ftesa drejtuar
banorëve të tij
Parajsa ankohet se Dheu nuk po ia çon njerëzit sipas kontratës hyjnore
Aty-këtu lulet e Parajsës gati po japin shpirt prej mërzisë për rrallimin e bujtësve
nëpër hotele
Ndodh që të mbërthyera nga krizat ia shkulin petlat shoqja-shoqes
aq fort sa zogjtë qajnë
As lulet as zogjtë s’e kuptojnë plojën shpirtërore të botës
Më mirë të jesh lule, zog a njeri në këtë botë?
Të Vdekurit vdiqën
U vjetruan si librat e paluar në një raft të kaditshëm, trashëguar
prej shtëpisë së prindve, letërsi e dalë mode
U vjetruan si verë nëpër bodrume të thella, ku nuk bën
ngrohtë as ftohtë
Si verë që bëhet më e kërkuar kur merr ngjyrën e ndryshkut.
PAZARI I SHTATOREVE
Qyteti im bën kokrrën e qejfit gjashtë ditë të javës
Dhe të shtatën turret në punë: bash të dielën.
Peshqit barkbardhë të gjumit i rrotullohen nëpër sy
Ndërsa sfidon ligjin e shenjtë të Biblës.
Ndërsa sfidon ligjin e shenjtë të Biblës
Punon, vlon e zien me dihamë të dielën 24 orë
Me djepe e karroca fëmijësh në duar, me shiringa, me tabute, me lëpunga:
Blen e shet, lind e vdes, te Pazari i Shtatoreve.
Te Pazari i Shtatoreve: me çeqe, me lekë në dorë, me euro, me dollarë
Ose me sende çkado, shtatoret shkëmbehen në natyrë
Me mallra si për shembull një arkë me eshtra stërgjyshërish, një pako
mbathjesh fëshfëritëse
Një qese me një copë shpirt të tkurrur, një ulurimë ujku, një gur prej
qoshes së shtëpisë.
Shtatore mermeri dymijegjashtëqindvjeçare, shtatore ajri
Shtatore rëre nga dita e fundit në plazh, shtatore graniti
Të shkoqura me tonelata dinamiti prej shkëmbit kersh i gjallë, shtatore akulli
Shtatore të gdhendura në ahat nëntëqind vjeç të bjeshkës, shkulur e
prurë në pazar me gjithë rrënjë.
Gjithfarë blerësish ua këqyrin dhëmbët shtatoreve njësoj siç bëjnë me
kuajt arixhinjtë
E ato qajnë në heshtje me lot të rrumbullakët shtatoresh
Kryhet shitblerja e shtatoret dënesin kalakryquar në karroca, në
kamionë rënë grumbull përmbys
Nëpër taksi dasme, në makina të zeza vdekjesh, në avionë.
Kah mesnata Pazari mbyllet për t’u rihapur ditën tjetër: 99 shtatore
Lihen kokëfortësisht në pritje ballë për ballë me një trup të gjallë
cipricullak: me një grua,
Mbeten pa u shitur, s’mund të ketë më ulje çmimi
Për më pak se njëqind shtatore nuk mund të jepet një kurvë.
KURRKUSH NUK ÇON LULE TE DASHURITË E HUMBURA
Kurrkush nuk qan për dashuritë e humbura
Që nuk rrojnë as nuk japin dot shpirt, mbetur peng qe mija vjet para Krishtit.
Lotët u pikojnë kripë e thajnë lule buzësh
Lotët u pikojnë vesë që të lahen takimet.
Kurrkush nuk lutet për dashuritë e humbura
Zogj veshur në zi nëpër tela violine prej nëntokës në Diell
Njerëzit s’e kthejnë kryet: “Ky paska qenë fati juaj,
Më e bukur për ne u bëka bota me fatin tuaj të zi!”
Kurrkush nuk dënes për ju, Rozafa dashurish të flijuara,
Veç të mjerëve që ju patën: njerëz çkado, gjeni, lypës, popuj
Mbi qumështin e dashurive – Rozafa qeveritë ngrenë kolltukët
Me qumështin e dashurive – Rozafa klubet e natës lajnë kofshët.
MË THER BRINJA NË VALBONË
Si përherë, flladi kullon prej halës së pishës.
Si përherë, uji pikon prej cicës së borës.
Një UFO dirgjet e digjet nëpër natën ngjyrë pylli. Qenka dron i një televizioni.
Ç’po ndodh? Një vetëtimë inspekton papritmas majat
Yjet me gisht në gojë fshihen pas fustanit të hënës.
E kam njohur Valbonën vajzë të dëlirë, të paprekur. Shpirt- e syqiellore.
E gjeta shtrirë në sallë, pret me u ba lehonë. Durim, Valbona mund të lindë një perëndeshë të vogël. Një Prendë ilire, një Venerë romake, një Afërditë greke.
Një tufë kirurgësh i vijnë rrotull. U vjen era narkozë.
Kirurgë me diplomë, pa diplomë, me diplomë të rreme.
Me bisturi çeliku special, me bisturi llamarinë të ndryshkur, me një dhëmb ujku
në vend të bisturisë.
Secili kërkon me i ba prerje cezariane sipas mendjes së vet, sipas ëndjes së vet.
Me lejen ose me heshtjen e baba shtetit, të baba dreqit.
I bëjnë serum, nëpër damarë i ngulin tuba metali grykëmëdhenj, gojëmëdhenj,
E mbështjellin me fasha resh e mjegulle, me fasha betoni si thundra
nga një përtejbotë tmerri, me xhubleta ilire në vend të fashave, me fasha bore të përjetshme. Valbonën.
Pa një zemër me i rrehë te kryet. Valbonës sonë, Valborës sonë, Valbotës sonë.
«Moj e bukur e trishtuar”, ther në brinjë arbëreshi i madh.
VAJZA E AEROPORTIT
Prej s’diseku u shfaq e s’diseku po shkonte
Vetëtimë e thyer nëpër degë
Një ulurimë ujkonje e ndoqi pas.
Ndërsa flokët e saj e mbushën me pyll krejt një qytet
Unë e pashë veten të shtrirë në vig
SHESHI I SEKSEREVE
Pash në pash, pa u përdredhur, dot s’e çakam pyllin e sekserëve!
Gjithfarë fytyrash larë në dush dylli, sy macesh, kravata të modës së
mijëvjeçarit të dytë, blerë te Gabi
Pëshpëshe dinake krye në krye, dy nga dy: rrallë bëhen bashkë tre
(Në mos llogaritshim trotuarin që shkelet e lëpin lëmoshën e ditës).
Shitblerje apartamentesh, trojesh të zëna me forcë, muranash me
myshk në kufi, gjysmështetesh,
Nepërka e hollë e pëshpërimës zhbiron mure, shemb shtretër
bashkëshortorë, zbraz gota, gjak derdh.
Ç’popullsi pyllnajë në një pëllëmbë vend te sheshi i skeserëve, platformë nafte mbi
valë deti
Hartë, Kullë Babiloni, gjithë gjuhët e pares, të gjalla e të vdekura.
Të tjera fytyra dylli, dhe sy macesh prapë, dhe kravata Pierre Cardin të
sfilatave që priten
Çuçllamë krye në krye, gjatë një coffee-break a në një tavolinë rrumbullake
Emisarë me qeveri mbështjellë me celofan nëpër valixhe
Me qeveri që fryhen si shkumë, ringrenë, rrëzojnë e rrenojnë fate.
Te sheshi i sekserëve s’u shitkan gazetat: lajmet e tyre aty janë të vjetra
Një alo… dhe logu tkurret e rrudhet, ç’trajtë do të marrë pas një ore harta?
Pesëdhjetëmijë varre thashë, pesëdhjetëmijë. Rrokatur ky qenka, si s’merr vesh robi
Pesëdhjetëmijë një garsonierë te Vorri i Bamit, thashë, e vjetër, parafabrikat.
Muzgu këtu mund të nisë në agun me krehër vese krehur
Java këtu mund të mbyllet në syrin e larë të së hënës
Dhe Dita e Jetës në një qese plastmasi mund të ngulfatet, të kopë e të vdesë
Ose – a nuk është njësoj? – në një çantë diplomatësh.
ODË PËR FISNIKËRINË E KËMBËVE
Instinkti gjenial i këmbëve të nxjerr faqebardhë, kur koka harrohet në
xhep, në kokërr të gjumit
Këmbët të çojnë në shtëpi kur koka mbytet në një gotë me përqindje
të lartë alkooli
Borxhet e kokës i paguajnë përunjësisht këmbët: kush s’ka krye ka këmbë!
Këmbët bartin natë e ditë në qafë një kuintal eshtra, rropulli, kokë e
turlifarë mishrash, pa bërë ëh! as oh!,
Këmbët i hanë shkelmat e parë, mbushen me plagë e prapë
s’bëjnë lutje me dekretue dekorata këmbësh
Aq më pak shtatore këmbësh.
Këmbët janë njëmijë herë më besnike se syri: kurrë s’i zbulojnë
qytetet e fshehta ku shkelin
Këmbët janë njëmijë herë më të pastra se goja: e vetmja erë e tyre
është era e ndershme e djersës
Këmbët janë njëmijë herë më të lexueshme se fytyra, por kurrë
S’kërkojnë me ua vu fotografinë në gazetë, as te pllaka e varrit
Bukuria e gruas zbret prej qiellit e bëhet tokësore nëpërmjet këmbëve,
dhe nëpërmjet këmbëve zgjon qiej të tjerë, bëhet kometë
Prekjet e këmbëve tingëllojnë e rrinë varur në hapësirë duke lëshuar valë
rrathë-rrathë
Ka prekje këmbësh që çelin aty për aty bisqe të gjelbër plot fllad ose bisqe
që digjen me flakë të kaltër psherëtimash,
Këmbët e gruas pikojnë pikë-pikë duke lënë një vijë drite a një varg yjesh anës
trotuarit a rrugës me bar
Puthjet përvëlojnë kur marrin zjarr prej këmbëve
Lum kush vdes në këmbë
Lum edhe ai që i ha këmbët e veta deri në gju për të mos e ndalë
fluturimin qiellor me shqipen shpëtimtare të përrallës
(Qe, edhe kur fluturon në krahë të tjetërkujt, prapë këmbët flijohen fisnikërisht!)
NJËZET E KATËR ORË RRESHT
Krahët e tu të hollë si meridianë.
Mbështjellin planetin tim.
Rruzullin tim që rrotullohet në gjithësinë tënde.
Në gjithësinë tonë.
Jemi thjesht lule dielli
Me fytyrë drejt shoqi-shoqit njëzet e katër orë rresht.
RASHË NË GJUNJË E U LUTA
Sa ia nisën këngës kanxhat e mesnatës më fluturoi gjumi
Po më vlonte koka
Miza, yje, bomba, gra, anije kozmike, viruse, libra, ujq brenda ashtit të saj, brenda
rrashtit të saj
Fijet e flokëve haheshin me shoqja-shoqen në të gjitha gjuhët e Babilonit e të
internetit
Rashë në gjunjë e u luta
Jam apo nuk jam?
Të qofsha falë o Zot
Më dhe këmbë të gjata të lehta si ajri, turru, m’i dhe e më the
Turru nga përtejbota në këtë botë, nga toka në qiell, në përtejqiell, fluturim.
Ku jam tashti
Në këtë terr të verbët
Në terr po këndojnë gjelat
Jam apo nuk jam?
Të qofsha falë o Zot
Më vure ndërmjet shpatullave një kokë sa një gogël
Në këtë kokë sa një gogël a sa një kungull i vogël mund të rrijë rruzullimi, ma dhe e
më the, mund të rrijë krejt gjithësia që digjet rrotull e sillet si kotull
Veç ruaje kryet kur ta kthesh në të majtë e në të djathtë e para e mbrapa, kujdesu
për këtë kokë si gogël
Ruaju mos të përdridhet qafa e brishtë si qafë trice, e hollë fije peri
Mos të këputet e mjerë
Kjo kokë
E të bjerë.
Të qofsha falë o Zot
Mbi shpatulla çka më vure:
Eshtë aty
Rruzulli
A
Kungulli?
Të qofsha falë o Zot
Më dhe sy depërtues, këqyr, m’i dhe e më the,
Këqyr përtej gardhit përtej varrit përtej gurit përtej gjumit përtej dritës përtej pritës
përtej tjetrit përtej vetit,
Përtej Njeriut jo,
Përtej Njeriut mos këqyr, je mirë te Njeriu, aty rri, m’i dhe e më the.
Kush është përtej Njeriut o Zot?
Të qofsha falë
Shfaqmu të të shoh!
Rashë në gjunjë e u luta
Përmbytur në kripë syri po më djeg
Lot është apo djersë?
Thirrje a dënesë?
Dikush supesh më shkundi
E gjelat s’po pushonin
Më shkundi e më foli:
Një marrëveshje me Qiellin është shkruar, kur Ai të lëshoi mbi tokë, të dha e të tha
Të ndihmoj unë shumë
Veç ndihmoji vetes pak
Ndihmoji vetes pak,
Ndihmoji vetes prapë!
Një marrëveshje me Qiellin është shkruar, kur Ai të lëshoi mbi tokë, të dha e të tha.
Shtrirë në vig jam a në mes të natës dhëndërr,
Endërr jam a zhgjëndërr?
DO TË THEM NJË DITË
Me mua
bota më e bukur ishte
Pa mua
më e shëmtuar s’do të jetë
Me mua
një njeri më e madhe bota ishte
Pa mua
një pyetje më e vogël do të jetë
NATËN E MBRËMSHME ËSHTË KRYER KRIMI
Natën e mbrëmshme është kryer krimi
Veç këto shenja u gjetën:
Perëndimi i detit u gjet i fshehur nëpër unaza diamanti
(Tej dallgët dënesnin përmbys përmbi bar)
Thellësia e detit kish humbur në një njoftim të NASA-s për zbulimin e
një tjetër vrime të zezë
Thellësia e detit kish humbur në një varr klandestinësh në ujëra.
Deti më s’u pa
Lajmet e mëngjezit thanë detin e mblodhën peshkatarët nëpër rrjeta
E ngarkuan në kurriz, në kokrriza kripe, në karroca të vjetra
E nëpër agshol
E qitën me e shitë në qytet
Përgënjeshtrimet thanë deti është parë lot i varur në një fletë ulliri.
Natën e mbrëmshme është kryer krimi
Veç këto shenja u gjetën
Vrasësit janë larguar në drejtim të paditur.
E PËRMBYSUR
Shtatore të bardha, shtatore të nxira
Vetoni lulishteve nëpër degë bliri
Nëpër kryqëzime rrugësh, hijesh e mendimesh
Me ulurimë mësyni qiellin
Tej një varr i shembur, dheu i ka rrëshqitur
Në një kodër buzëçarë mes drizash.
Të tjera varre shndërruar në kokrriza ajri.
Të tjera varre pikëpyetje
Me litarë në qafë
Vdekërisht heshtin
Cilët janë heronjtë
Që vazhdojnë të vdesin?
ObserverKult
Lexo edhe: