Cikël poetik nga Natasha Duriçi: Jo gjithkush e meriton nji amazonë!

natasha duriçi

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poetik nga Natasha Duriçi:

…KUKAFSHEHTAS…

Tash flasim rrallë
i kena zavendësu fjalt me gjestet
jena ba t’huej.
As sytë s’t’i kap ma kur t’i kërkoj
m’i fsheh dikun si askund!
Kur dola n’oborr sot
t’zuna tuj m’kundru mbas perdes…
Ani thashë e bana sikur nuk e dita se po më sheh,
veç sytë mu zunë me lotë.
Po luejna kukafshehtas
nji jetë jena kuptu dhe pa folë
paj sa herë dhe jena përla me fjalë
jena përfytë n’duer inatesh
E prapë jena pajtu
e dashtë ma fort biles.
Jena thanë si jena ndi
e kena mujtë e largu çdo gja që ka guxu me na da nërmjet vedi!
Kem qëndru
se kishim njeni – tjetrin forcë.
E tash…?
A thue asht thy buka?
Trupi mu ftof…tyt bre goja tu thaftë
i thashë vedit.
Lash grepin e lulave e u sula nxitim shkallësh
du me të xanë mas perdes si kaçak
e me të qafu fort..
Kur hyna..perdja lkundej në qejf t’ vet.
Ndiva derën e odës kur u mbyll…krak
edhe nji herë u shty … krak
se nuk u mbyll me të parën herë sa duket.
Ra qetë.
iu avita dritares kadalë…
e humba tuj pa lulet n’oborr!

NGUJIMI I AMËL

T’du
pa t’pa
pa t’qaf
pa t’puth
pa t’prek
T’du gjithqysh
Mos guxo me ikë
A nive …
ngujimi jem i amël !?
T’du !

TË MBUSHESH ME TY

Të mbushesh me ty..
është të jesh ujë
që derdhesh përmbi ujë.
Të mbushesh me ty,
është si të pihesh
e të mos dehesh!
Të mbushesh me ty
është të bëhesh lagie
nëpër starte zjarresh.
Të mbushesh me ty
është të bëhesh shi
kalëruar ylberesh.
Të mbushesh me ty
është të pish
e më shumë të etesh .
Të mbushesh me ty
e të prekësh buzë burimi
duke rënë përmbys, pa duar.
Të mbushesh me ty
aq lehtë afrohen brigjet me frymë
e lumi behet lëng mekati.
Të mbushesh me ty
e di se bora është ujë i avullt
veshur me të bardha nusërie.
Të mbytesh me ty
duhet të thyhesh pikash
që të mos mbytesh.
Të mbushesh me ty..
e të gërryhesh pasigurisht
se je ena e vetme jotja .

E PREMUN N’BESË

E premun n’besë
Nuk due me folë ma…
as me sha
as me kja
as me mallkue…
Nuk vyn nji britmë
me vu kujën
duhet ulëritë për njat çikë
t’vogël fort
t’premun n’besë
kërthinja hala pa u rritë.
U gjakue trup e shpirt
e rrëzuem sot e përherë
bash pse ka gjinj
e jo mollë burrnie n’fyt.
Ja ngjyn muret n’fjalë marrje
kur si shoqeve t’saj tash u shkruhen zemna shigjetue dashuriet
E treguem me gisht si dele t”zezë
asht hala qingje e njomë
e vogël mbetun pa rritun
paj e rritën dhunshëm
e banë grue. ..kuku bre
Shoqet e saj gdhelen n’duer nanash
nguju shqerra e njomë…ujqnit skërmisin dhamët.
E ajo robinjë e grisme n’thoja t’zi
epsh dreqnish
e bij dreqnish…
Nuk du me mallkue
druj se zoti ban amin
e desin shumë..
Hajna e hijena mbulue n’pupla pllumash
dalshi fare…
Sot të gjithë shuni, heshtni
trusni kryt e skuqi
N’paçi sedër e marre
vec menoni nanat …motrat…bijat
Ktheni thikën kah vetja
e vramë na
këtë cikë
këto çika që tuten me folë.
I vramë ne ato gra e motra
jo burrat e tyne…
I vramë unë, ti ,shteti..
i vramë tuj heshtë..
Thonë se dridhen dhe trenët e shpisë kur lind një çikë
Ato trenë janë tuj ra tashma e përditë
na kanë zanë sy e veshë..
Uuuff jem qorrue bre
jem verbue
jem ba memecë
Kurrë s’kena me u ba na
na ka mallkue nama femën
shtatë brezni..
Nanë jam…
as due me sha
as me mallëku..
as me nemë..
Paj…kjaj bijo n’prehnin tem..

KSI GRUEJE…

Nji grueje nuk kish guxue kush
me i shkru i pari.
Nji burrë i huej
nuk mundet…
Asht copë e madhe grueja e miletit,
t ‘mbetë n’fyt
t ‘merr frymën.
Hall me e dashtë hall me e lán pa dashtë.
Kjo lloj grueje
n’nadje mbetë pa shkru me askënd
e n’mbramje ajo len gjithkënd veç vedit .
Nji ksi grueje
asnji burrë nuk trimnohet
me e dvetë,
me i folë ai i pari.
Burrnia kot mshefet n’pantolla t ‘gjana,
n’kmisha t ‘kopsituna ku jakat t’puthituna
mundohen me msheh
mollën e mëkatit.
Nji burrë e len ket grue
me qenë “trime”
me lypë ajo dashni e para e nesër,
nesër me i thanë
e nise ti e para zemra jeme!
Ti je e ndalueme për mue
je hise e huj.
Ani pse luftnat herë e për herë
kanë emën femne,
burrat jane vra përherë për hisen e tjetrit.
Me marrè jane shue qytetnimet
pa falë, pa marrë.
Asht haram me marrë gjan e huj thuhet
prap’ çdo burrni ka ra përdhe
nën kamt e saj
lind e shembet çdo gja prej nji ksi gruje
Tuten, frigen,
ata që u ban të vdekshëm për të
e sot bajne moral rrejshëm.
Nën rrogoz mshefun
dëshirim për kurmin e saj
afsh,sy që digjen..
At’ që sot përfolet e gjuhet me gurë,
herezinë që then kanune e kode unazash
jo çdo burrë e meriton.
Jo gjithkush e meriton nji amazonë.
Fundi nis tuj fillue..
Paj ,
nji grue pret me le burra..
n’ket nadje…

ObserverKult

Lexo edhe:

NATASHA DURIÇI: HEJ, SI PO NDIHESH TI IDHNAK, TASH PA MU?

NATASHA DURIÇI: M’PUTHE E HAJT…