Cikël poetik nga Sadik Krasniqi: Simfoni mbi bar

sadik krasniqi enver visoka

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Sadik Krasniqi:

KAFKA IME

Nga shtëpia e vdekjes
marr me vete
kafkën time

pa sytë dikur si lumi
pa flokët që janë bërë erë
pa rrudhat e ballit të bërë mendime
pa buzët plot lutje

s´mund ta varros
pa lotët e nënës
e pa hijen e qiparisit

si librin e moçëm me hieroglife
të nxjerrë nga dora e vdekur
e lexuesit të mbramë
e vë në raftin e pluhurosur

që pas mijëra vite drite
ta mbajë engjëlli në pëllëmbë
duke i hequr pluhur yjesh
lules së ëndrrës

VETMI FLUTURE

Në valë
gjethi i Noes
në vetminë time prej fluture

u marr erë katër stinëve të dritës

deri te stina e pestë
e natës së zezë
në oqeanin e vdekur

bie perdja e frymës

bebëzat m’i merr hëna
diell as qiell më
në sytë e mi

MENDIMET E ZEZA

Gishtërinjtë ngulen në tëmthat e mi
si gozhdët në pëllëmbët e Krishtit
që kafka e çarë nga mendimet e zeza
mos të bie nga qafa si urnë e thyer

edhe dy orë
një
dhjetë minuta
pesë
tre sekonda

një gurgullimë e ëmbël lumi
mbi gurë të bardhë
e një cicërimë e blertë zogu

çasti për t’i çelë sytë
drita e ditës po del

mendimet tkurren në një pikë të zezë në qiell
si një pikë farë demoni
që do të ngjizet prapë si futa
sa të bie dielli në det
e do të bëhen prapë mendime të zeza
në natën e tmerrshme skëterrë

NATA

Brushë e mistershme
e një dorë e mistershme
nga një greminë e errët
merr ngjyrë të zezë

lyen udhët lumin malin
kopshtin shtëpinë e pemët
liqenin e qiellin
krejt në të zezë

çdo gjë vdes
në këtë futë të zezë
ndër varre të reja
nga një regëtinë flake
po ajo brushë e mistershme
në majë merr pak të verdhë
një hënëz bën në qiell

ne ende pa këmishë nate
pyesim të shastisur
si kjo natë pa asnjë yll
e vetëm me një hënëz të nëmur
si sy i maces së zezë

KËMISHA ME FLUTURA

Deri tek ajo mbrëmje e mugët
me aromë gruri e me xixëllonja
zvogëlohem unë te driza
ku fsheha jelekun me arna

e zgjoj tim atë nga gjumi i përjetshëm
e bëj të mishtë e me shpirt
të ma sjellë atë këmishë vija-vija
këmishën e parë me flutura

të ma veshë vetë ai
me duart e tij
të më buzëqeshë
t’ma bëjë me shëndet

unë nga gëzimi klith
si djali i daulles së llamarintë*
që s’rritet kurrë
copë e grimë griset ai kujtim

unë me pikëllim
prapë rritem kërrusem
hënën ma zë pema e errët
hija e tim ati ik

*personazh i Gynter Grasit

SIMFONI MBI BAR

Si sytë e këtyre luleve
ma pe nurin e kurmit tim
pa gjethin e Evës në fundbarkun e trëndafiltë

gishtërinjtë e tu
në flokët
qafën e bardhë
gjinjtë e fundbarkun tim të ndritshëm

m’i puthe sytë
thimthat e ndrojtur
e thembrat e këmbëve që më sollën te ti

më thuaj
isha ashtu siç më ke menduar

edhe më magjike se fantazia ime për ty

ah sa qenkam dridhur
deri te kjo fjalë
te kjo simfoni e afshtë
mbi këtë bar

simfoni vetëm premierë
kurrë më

lamtumirë

ObserverKult

Kliko edhe:

CIKËL POETIK NGA SHINASI A. RAMA: HESHTJA E THELLË RA MBI MUE…
CIKËL POETIK NGA AZIZ MUSTAFA: KREJT ÇKA DUHET ËSHTË DASHURIA