Cikël poetik nga Shazim Mehmeti: Armik i madh i vetes, mik i vogël i gjithë botës

Shazim Mehmeti


Ju ftojmë të lexoni një buqetë poetike nga Shazim Mehmeti

SHTËRZIM PËR NJË AUTOPORTRET TË VOGËL

Majtak n’mendje,
n’duar e këmbë,
n’zemër qindpërqind djathtak.

Armik i madh i vetes,
mik i vogël i gjithë botës.

Deri n’uritje i ngirë,
i uritur deri n’ngirje.

Syçelë, i pafjetur n’gjumë,
i fjetur n’ditë,
i fjetur n’përdritje.

Djegur,
përcëlluar n’dimëra,
n’vera i lagur, i mërdhirë.

Plak zambak n’rinì,
n’plakje i ndrojtur,
çilimì…

GRUA PËR ADMIRIM

Dyzetëenjë pranverat
që kemi plakur bashkë,
aq shumë e kanë ndryshuar,
aq shumë e kanë harxhuar,
por, vazhdoj ta dua.

Akoma dhe akoma,
vjedhurazi vazhdoj
ta përpij me sy,
ta përpij me zemër.

Vazhdoj t’i bij më qafë,
vazhdoj ta mundoj,
vazhdoj t’ia ha me afsh
mishin, ashtin, palcën.

Frymën e vakët
vazhdoj t’ia përpij,
vazhdoj t’ia pi
gjakun e pakët…

E shoh, e vëzhgoj
si i shkurtohen hapat.
E shoh, e vëzhgoj,
si i prek lulet,
si i miklon jargavanët,
me artitin e gishtave.

E shoh, e vëzhgoj,
si e qëmton,
si e lan,
si e pastron edhe oborrin
në çdo kënd,
dhe e pyes veten:
u harxhua
më shumë me mua,
apo, me oborrin tim,
kjo grua?…

Ç’E DONI MISHIN?…
(këshillë naive për jetë jonaive)

Ç’e doni mishin?!…
Hani fruta, hani fruta!

Mos hani mish!
Është mënyra e vetme
për ta mbajtur mjekun larg;
është mënyra e vetme
për ta mbajtur zemrën n’dorë.
Është e vetmja mënyrë
për t’i mbajtur nervat të shëndosha,
trupin të shëndoshë, të pashëm,
shpirtin të pashëm, të dëlirë,
lëkurën dritë,
flokët duj…

Hani fruta!
Frutat janë shpëtim.
Lëreni mishin!

Lëreni mishin,
ama jo krejtësisht!
Ngaqë – e di –
do t’ju marrë malli
për mish.
E kur t’ju marrtë malli për mish,
bëjani vetes rrafsh,
bëjani vetes det,
e mbajuni fort detit,
mbajuni fort ëndrrës.
Për gjah dilni, detit,
dimër qoftë, a verë!
Dhe joshni sirena,
gjuani sirena,
përkëdhelni sirena,
puthni sirena!

Qafë sirenash puthni,
buzë sirenash puthni,
mish sirenash lëpini!
Lëpihet, e hahet,
e pihet
ai mish.
Ndaj, hani e pini,
e bëni dashuri
me atë mish të gjallë,
të rrallë!

Ai mish është frymë,
ai mish është frut,
ai mish është kripë,
ai mish është algë,
ai mish është peshk,
ai mish është ëndërr,
ai mish është ujë…

ATIJ, I TESHI SHPIRTI…

N’ëndërr
e kafshoi një gjarpër.
Atij, i teshi shpirti –
nji libër bëri.

Roman, i tha.
E nisi, e hapi
me një naiv t’përsosur.
Lakuriq, si jetën,
e zhveshi, e rriti,
e bëri Njeri,
dhe e solli te frymë e fundit,
si një t’përsosur,
naiv, naiv.

Dhe, besoni,
s’ia lexoi kush atë libër.
Madje,
as një naiv i përsosur,
as një i përsosur naiv…

ObserverKult


shinasi rama

Lexo edhe:

SHINASI RAMA: RIDIMENSIONIMI I TRADITËS LETRARE: RRYMAT BASHKËKOHORE DHE TRADITA E VJERSHËRIMIT SHQIP

CIKËL POETIK NGA SHINASI A. RAMA: HESHTJA E THELLË RA MBI MUE…