
Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të zgjedhura nga Shqiponja Axhami:
JAM TRËNDAFIL NË DIMËR
Fli tani i dashur… fli qetësueshëm,
Merri ëndërrat dhe qepi në një jastëk të vogël.
Hë pra, fli se dua të kuqen e syve përgjumur nga malli!
Jam një qënie e ndërmjetme,
Më thirr trëndafil dimri,
Ngjaj vesë ngricash, asgjë s’mi prish petalet.
Për sa kohë avulli i frymës tënde në qënien time shpërndahet,
Jam trëndafil në dimër, i trembem veç këputjes.
Fli pra fli i dashur…fli qetësueshëm!
Do ti marr ëndërrat…
Do të pres pak flokë mbi to,
Që ti ruaj në rrënjët e mia…
Ah, kurrë mos e harro..
Jam një qënie e ndërmjetme, trëndafil në dimër.
Për sa kohë që fryma jote tek unë shpërndahet,
Mos harro të marrësh frymë mbi mua çdo sekondë,
Ndryshe…
Ndryshe do shkërmoqem si duhani i plakut mbi lullë.
Nëse mundesh thithe atë tym …
Merrmë me frymë…
Fli i dashur…
Fli loçka ime…fli qetësueshëm,
Unë jam trëndafili yt në dimër…
HEDH RRJETAT
Më fal i dashur…ku netëve si e marrë
Hedh rrjetat e mendimit si peshkatar i vonuar,
Më fal kafshim-puthjen ta lash në gjysëm,
Rrjetat e mia janë të vrazhda
Grisin pelerinën e anijeve
Në prag fundosje.
I mëshojnë në bark lehonës
Të lind pa dhimbje,
Mbulojnë trishtueshëm
Lypsarin, që mardh rrugën
Rrufepritës mëshohem si murg
Shtëpive të fëmijës.
Kafshueshëm me lotin kapërdihem
Si verë – uthull.
Më fal, i dashur,
Që ta lashë në mes kafshim-puthjen!
Rrjetat e mia janë të vrazhda
Tek i mbledh muzgjeve të përflakura.
Shoh që mes tyre si peshk i vogël
Dihat për pak ujë, Shpresa…
Rrjetat e mia lëshohen horizonteve
Si litarë emblem,
Të asaj që quhet brishtësi e nesërme…
DUART
Mi lërë duart, zbritmi pemëve të kaltra
Të mesnatës së fundit,
Më duhen ata duar që të mbrohem..
I dua ato duar t’i puth rreshkëm,
Kur buzët ngjiten heshje.
I dua ato duar, dhjetë gishtërinj
Si dhjetë miq të mire
Të më dridhen flokëve të lara me djersë.
Ankthesh netve të gjata,
I dua ato duar shpata
Me njërën të pres ditën e ligë,
Me tjetrën prekshëm të rrëshqas-ujë.
Më lerë dy duar, më beso…
Kubetë e qiejve do i shpoj me to!
JAM NJË VJOLINË NË DËBORE
Unë, jam një vjolinë në borë!
Dihas pambarimisht që telat mos të më ngrijnë,
Gjinjtë e bardhë të dëborës varen turpshëm
Rreth gushkuqëve
Që vënë këmbët mbi tela.
E unë zë vajtoj erën
Që i shkrin të gjitha.
S’jam gjë tjetër veç një vjolinë mbi borë!
Poshtë brinjëve ndjej rrëkezën e pranverës
Që kërkon të këndojë.
Një kufi ndarës mes të ftohtit dhe të ngrohtit.
S’jam tjetër veçse një violinë mbi bore!
I dua të gjitha stinët,
Veç vjeshta më la gjethe-plagë në kraharor.
………………………………….
S’jam tjetër përveç se një vjolinë mbi borë,
Mollëzave të tua drithërohem dhe zë këndoj!
ENGJËLL ME PANTALLONA
Më ndjek nga pas zëri i këmborëve,
Ndjej mes duarve fërkimin e frerit të kalit.
Kokrrat e grurit më ngjiten gjoksit
Si bluzë e bekuar bukëvalë.
Eshtrën e të parëve e ngjis shpatë,
Rend kubeve të lartësive
Pa i bërë dëm kujt,
Trokun e kalit e ngjyej rrezeve
Shkërmoq mbi tokën time farën e vargut,
Dhe pres papirus ti shfletojë kalimtari i lodhur.
Ngazëllyeshëlm s’më trëmb më koncepti, Kohë.
Rëndshëm eci mbi tokën time,
Veten e ndjej ëngjëll me pantollona!
ObserverKult
Lexo edhe:
Shqiponja Axhami: Një jetesë e paguximshme është një lloj vdekjeje