Cikël poezish nga Alisa Velaj: Bymehu në ujëra shpirt

alisa velaj

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Alisa Velaj.

NDRYSHE E DËGJOVA ZËRIN E DASHURISË

Kam ndjerë një dhimbje që ma ka shqyer kraharorin.
Mijëra ujq më ulërinin në shpirt
e prapë shpirti më mbetej shpirt
as ujkërohej
as ulërinte
as e shpërfillte Njeriun.

Ujk, natë, hënë e ftohtë
e një varkë që më premtonte tjera dete
më të largët, më të bukur, më të paanë.

Po unë ende e kisha detin tim të dashurisë…
U zgjova,
u zgjova sërish
derisa u kthjellova përfare.

Harrova gjithë dritën e hënës së ftohtë
dhe iu përfala diellit
harruar sa kohë aty pas shpirti.

Qava atëherë si fëmijë i fyer
dhe në skaj të pikëllimës kur shterra gjithë lotët
ndryshe e dëgjova zërin e dashurisë…

MJEGULLA MBI LUMË

Paqe të shurdhët sjell mjegulla mbi lumë
Një mendim të çartur nëpër thellësi
të avujve, të ujërave, të kushedi se kujt
që mjegullën gjatë e kqyri
dhe mbeti peng aty.

Paqe të pezullt që shpirtin ma gërvisht
me zëra të dashur a të harruar qyshkur
Pëshpërimë orlash pullazeve të mekur
nga pëllumba që s’kanë për t’u kthyer kurrë.

Mjegulla nëpër pezm, pa fjalë e pa tinguj
Mjegulla që në fund të fundit s’na kanë asnjë faj
Flenë përmbi lumenj prej krijimit të jetës,
e s’dinë se pas migrimeve dikush
dashka t’i shpëndajë!

BYMEHU NË UJËRA SHPIRT

Po bien këmbanat Shpirt
e ti bymehesh në ujë e frymë
e bëhesh qiell, avull e brymë.
Digjen qirinjtë e çasteve të shuara,
amëshohesh ti e det me bëhesh det.

Bymehu oqean e nënë oqeanesh
të notojnë aty e liga dhe e mira
shtegtari, i dashuri, e dashura
…dhe padashuria në ty të notojë.

Jeta është frut i athët fort i dhëmbshuri im
Kur tuli mbaron, vërvite tej bërthamën
Përndryshe nis e i shëmbëllen…

Po bien këmbanat Shpirt
Është e diel dhe frika mos më angështohesh
do jetë etydi im në çdo ankth përndritje!

TË RRËFEJ DRITËN!

Shpirt me fare pak shpirt fushave të pambarimta
të zbehet pamja e vetes dhe e botës
në kufijtë e një qielli të mpakur sa pasqyra
ku sheh veten, veten dhe as tjetërkënd

Narcis i trishtë i fushave plot dritë
ku dielli lind e fal rreze për të gjithë
ku parajsa e jote ka pemë, pemë e klorofil drite
ku ka gjelbërim të përralltë si në një ëndërr fëmije
ndërsa ti angështohesh nëpër botë të vogla
pa lule, pa drurë, pa dritë, pa ujëra

Mbytesh në detin e varrosur ndër sy
të madh, të trishtë sa një pikëz loti
Dritën, dritën po të rrëfej njeri i lindur aq i bukur…
Dritën e feksur, frikuar prej bebëzave të tua
që ecin mespërmes pamjeve thuajse verbuar
mes fushave enden si i përhumburi në shkretëtirë!

Shpirt kaq i pashpirt me qenien tënde?!
Po me mua, me ata larg teje ç’ndodh pastaj?

JANË ÇKA MUNDET TË JENË

Se janë pemë e mbajnë qiell përmbi krye
Pemë janë dhe kur vjeshta u sjell rrënim në shtat
(Trishtim i paftuar si ëndrrat e liga)

Se janë degë e mbështeten fort pas trungut
Atit të tyre me fytyrë kah qielli
(Ku tjetër mund të besojnë përpos tij?)

Se janë gjethe e shkunden
prej erës së marrë të vjeshtës
e fluturojnë e ikin askundit
si të mos qenë

Gjethe janë gjethe
bijat e degëve, bijave të trungut qiellor
Besojnë në përtëritje e kurrë
s’ka ndodhur të mos jenë rilindur
për çdo pranverë

Janë çka janë
e gjithë çka munden të jenë

U PËRNATE SHPIRT?

U përnate Shpirt?
Kthjella ka për të qenë jo përherë e mëngjeseve
Ashtu si ngjyra humb reflekse
anëdeti, në kulm të agut

Përgjumur zogjtë e detit shtriqin flatrat mbi dallgë
ndërsa drita ua çon peshë
zemrat në kraharorë

Sa çaste përnaten dashuri, por nuk e dimë
S’dimë pse ndodh të bëhemi më të bukur
sa kohë në thelb të lëndës sonë
prej qielli e dheu
fshehur rri në pritë një luledielli…

ObserverKult

Lexo nga e njëjta autore edhe:

ALISA VELAJ: KUARTET PËR NJË BURRË VJESHTE

ALISA VELAJ: QIPARIS QIELLI E ARKITRAU

ALISA VELAJ: LULEDIELLI

ALISA VELAJ: DIELL QË PO SHUHET