Ju ftojmë të lexoni një cikël të gjedhur poezish të poetit amerikan Curtis Bauer sjell në shqip nga Vlora Konushevci.*
Kthim tek nji moment
Asgja prej këtyre gjanave nuk t’ befason ma,
apo jo? S’jam i sigurt që e di këtë punë,
iu përgjigja vetes.
Ose mendoj se e bana.
duhet ta kisha ba.
Nji mik më tha me përqafu
çorientimi tem këtu, me
u shoqnu me të me jetu në të, me ba
praktikë t’përditshme, si ecjen,
ose kafen.
Kam ecë nëpër këtë qytet
panumër herë këta pesë muajt e fundit.
Para disa muajve, nuk kam mujt
me dallu Bulnes nga Pueyrredón,
as prostitutat nga fqinjët në Kordobë.
Isha tue u mësu me ecë
nëpër nuancat e këtij qyteti.
Gjithcka ka ndryshu:
shtyhem nëpër metro; gruja jem
ende s’mundet me ble tampona, gratë
kujtojnë se protesta ka me ndryshu
diçka; shpresa, kjo aromë e mbetun
pasi të çel jasemini në ditë të ngrohtë,
por ajo davaritet
dhe harron që ka ekzistu ndonjiherë.
Isha i befasum
kur shoqja jem m’tregoi që ishte me kancer.
Mendova atëherë
Qysh kurrë se kisha mendu për të.
Sonte në Buenos Aires asht nji protestë
si përgjigje ndaj vrasjes së fundit:
Vritet nji vajzë 14-vjeçare, shtatzanë,
nga i dashuri i saj 16-vjeçar dhe varroset
me ndihmën e prindërve të tij në oborr t’shtëpisë së tyne.
Ni Una Menos, Not One Less*.
Nuk kam mendu për shoqën tem
gjatë muajit të fundit.
Ndoshta ja kam ndërru vendin,
tronditjes
që dikur më shoqëronte në shëtitjet e mia.
A mundet njeri gjithë me rrnu në
gjendje ankthi?
Ma herët mendova për të
derisa ecja. Natën
që i shkrova, partneri i saj
u përgjigj, jam i thellësisht i pikëllum.
Më duhet të tregoj se Jackie vdiq të premten e kalume.
Vdekjen, e kam pritë të saj…
por kam kujtu se kam me pa edhe njiherë,
se kam me pas mundësi me i tregu
që surprizat këtu janë tue e humb shkëlqimin.
Nuk di cilës udhë
me i ra, qysh me kuptu
këtë punë. E kisha nji guri
kam dashtë me ja dhanë asaj, por
e hodha në nji pellg dhe shikova se si
dallgëzimet e qeta,
fshijnë provat
e çdo valëzimi.
- “Asnji gru ma pak” – lëvizje feministe e valës së katërt të Amerikës Latine, e cila nisi në Argjentinë dhe u përhap në disa vende të Amerikës Latine.
Nekrologji
Lajmet e këtij mëngjesi s’kanë me njoftu asgja
për vdekjen tande, si u thye nji gotë
nga përplasja në gjoksin tand. S’ka me pas aromë
toke që do të fërkohet gishtave të mi
të asaj që do t’bahesh ti. Asnji raport për netët
që i ke kalu fjetun n’shtrojën tem, për zagushinë
e ditëve kur deheshim e baheshim fitil,
për topat e bilardos që goditin e thumbojnë butë
anësoret. S’ka mbet gja prej teje
veç dëshirave të mia egoiste, veç pëshpëritjes së emrit tand
katërdhjetë e katër herë sot. Dje kisha pas harru
që jemi kanë miq. Dhe nesër – e di
kush jam, kush jam ba tash – dhe nesër,
për këtë jam i sigurt, ose disa ditë ma vonë, kam me harru prapë.
Selfi amerikan
Kush asht ai burrë, se në mendjen tem veç
burrë mundet me kanë ai që e prek nji fëmijë,
që e zhvesh atë fëmijë, që ka
me përkulë atë fëmijë dhe
e përkulë atë fëmijë
i futet brenda edhe këtij edhe atij fëmije
dhe i drejtohet nanës,
së këtij apo atij fëmije, e cila
lidhun me rripa për karrige, bahet krejt
e pajetë si karriget, bosh si karriget
nanat tjera refuzojnë m’u ulë në atë karrige,
por kanë m’u ulë, kanë m’u detyru me shiku
në heshtje siç bajmë në kinema ose muze,
njeriun që doket se po i shkon buza në gaz
për ato nana teksa hyn brenda këtij apo atij fëmije,
por nuk e ban dhe nuk e ban për ata fëmijë që duhet
tash në heshtje t’gulçojnë pasi pellgjet e lotëve
brenda tyne janë tha, por për kamerën në duart e nji burri
tjetër pas atyne nanave, që fotografon, merr pamje,
suvenire për t’i çu në shpi tek miqtë,
tek familja dhe t’i mbaj në nji kuti këpucësh që nji ditë,
kur ai burrë të jetë plakë, e të ketë harru çka ka ba,
sepse ky soj i njeriut edhe harron çka ka ba, teksa
i mban në prehën fëmijët e fëmijëve të tij, të cilët nji ditë
gjejnë atë kuti t’mbushun me habi në dollap, nëse dollapët
dhe kutitë e këpucëve dhe fotografitë kanë me ekzistu atëherë,
për me thy monotoninë, e hapin dhe shohin
çka ka ba gjyshi i tyne, çka kanë ba miqtë e tij dhe
stërgjyshi për me thy monotoninë edhe ata
në emën të atdheut.
Mërgimi
Nisi me ecë buzë
parkut prapë, pres
me u liru trafiku në
rrugën Dodge, prapë
ndalem e ndigjoj rrëshqitjen
e akullit dhe gjethet e drunit
Akacia dhe degët e elbit
të cilat më herët i soditnin
sorrat. Dielli perëndon
mbi qendrën tregtare
dhe hana e plotë lind
mbi rrugën Summit
si asnjë natë tjetër përpara.
Bora m’i thithë kambët,
era ma merr prapa nji hap
për çdo dy hapa tutje që i baj.
Lutja e mbramjes
Perëndi e Dritës, çou.
Përndi e epshit, pendohu.
Perëndi e tana gjanave të panjohuna
tregom veç këtë herë
qysh me dashtë, kur, ku,
dhe ngaqë jam kurreshtar, pse.
Perëndi e Taktit, Ndershmërisë dhe Ashpërsisë
Boll ma.
Perëndi e temelit, bane temin t’ fortë
pëkujtoma kështu për çka shërben Ti.
Perëndi e burgosjes, miku jem
asht njeri i mirë, mos u merr me te.
Nëse më ndigjon
kam m’i pre flokët.
Perëndi e pavendosmërisë,
falëm që nuk e njofta ma mirë.
Në fund, o Hyj që je gjithkund
faleminderit për tana këto mëkate që më mbajnë gjallë,
faleminderit për
sendviçet me proshutë dhe pornografinë falas, por
ndihmom me i kujtu emnat e tyne.
Ajo që ma dha fjalën
se ka me m’leju me ba t’ndershme.
Ajo që shfaqi keqardhje
e më çoj poshtë.
Ajo që m’lejoi
me u ba i pabesë me nji tjetër, të huejën e parë,
ajo që më gjeti n’gropë.
Ajo ishte e sjellshme, nga Minesota
shkrujke letra të mahnitshme edhe masi i tregova.
A asht nanë ajo? Nëse po, lejoje fëmijën e saj
t’bahet i mirë. T’lutem.
Ajo në gropë më ka përdor, por
kam qef me mendu se i kam dhanë ndoj mësim.
Nëse mundesh, jepma nji shenjë:
A ish prej Danimarkës ajo?
A besoi ndonji gja prej atyne që ia thashë?
Mendoj që asht ba vonë tash.
Perëndi e të dashurve t’harruem, ndihmom t’i kujtoj
nëse jo emnat, ftyrat e tyne të orës 3:00 të mëngjesit,
përkujtomi në momente të paprituna
lakimet e vijat e ftyrës. Ndihmom
t’i kujtoj kur jam rrugës për shpi, natën,
pa ja mbajt kujt dorën. Ndihmom ta çoj
këtë shpirt t’fjetun, oh Perëndi e Dritës
kur t’çohesh edhe ti.
Sonte e kam edhe nji lutje.
Ka edhe nji tjetër.
Tash sytë i saj janë mbyllë
t’isha kanë aty duert e saj ishin kanë
kapun me t’miat, t’ish kanë ajo
këtu, nuk t’kisha kërku ndihmë.
Zot, mik, dhuroja dhembshurinë tande
këtij t’pabinduni. Largoje
nëse vjen ajo te Ti. Thuej
që tashma e ke përmbush kuotën,
Thuej se vakt i keq asht ky. T’lutem
gjej çfarëdo arsyetimi, thuej çkado,
veç mos e merr.
______________
* Curtis Bauer është autor i tri librave me poezi. Ky cikël është shkëputur nga libri i fundit “American Selfie”, botuar nga Barrow Street Press, 2019. Libri është përkthyer edhe në spanjisht me titullin “Selfi Americano” nga Vaso Roto Ediciones, 2022.
Bauer është po ashtu përkthyes nga spanjishtja. Ka përkthyer romane, poezi, dhe prozë, ndër tjerash edhe librin “Image of Absence” nga Jeannette L. Clariond për të cilin ka fituar Çmimin Ndërkombëtar “Përkthimi më i mirë i librit joletrar nga spanjishtja në anglisht”.
Bauer ka mbajtur ligjërata dhe seminare në spanjisht dhe anglisht në të gjithë SHBA-në, në Argjentinë, Ekuador, Meksikë, Venezuelë dhe Spanjë.
Së fundmi ai ka ligjëruar në seminare shkrimi në spanjisht për Lines & Spaces një partneritet letrar me Byronë e Çështjeve Arsimore dhe Kulturore në Departamentin e Shtetit të SHBA dhe Programin Ndërkombëtar të Shkrimit në Universitetin e Iowa-s dhe në anglisht për 24 Pearl Street, përmes Qendrës së Punës së Arteve të Bukura në Provincetown.
Është gjithashtu ligjërues në Universitetin Teknik të Teksasit për lëndët: shkrimi krijues dhe letërsia krahasimtare.
Bauer është botues dhe redaktor i Q Avenue Press Chapbooks dhe Redaktori i Përkthimeve për The Common.
ObserverKult