Ben Blushi rrëfen takimin me Saliun nga Çeçenia: Më tregoi si të bëhesh mysliman në Kavajë
Shkrimtari Ben Blushi ka rrëfyer një takim që ka zhvilluar me një person të quajtur Sali Damarjen në Kavajë.
Në rrëfimin e tij Blushi thotë se Saliu ishte nga Çeçenia dhe në bisedën që zhvilloi me të i tregoi se të parët e tij kanë qenë të krishterë në momentin që kanë ardhur në Shqipëri, por me kalimin e kohës u kthyen në myslimanë.
Blushi tha se ai i foli rreth traditave të fesë Islame dhe për disa çështje të tjera që shkrimtari kishte shprehur interes t’i dëgjonte.
Rrëfimi i Blushit:
Si të bëhesh myslimanë në Kavajë
Shkova në Kavajë për të takuar Sali Damarjen. E kisha fotografuar para dy muajsh. Saliu mban tre çelësat kryesorë të qytetit.
Çelësin e Sahatit. Çelësin e Xhamisë. Çelësin e Shkollës.
Ndalova para xhamisë. Një burrë shiste hurma dhe libra fetarë.
Ku është Saliu, roja i shkollës dhe i sahatit, e pyeta.
O Ben Blushi, tha burri, Saliu më ka lënë porosi që po të vish, ta njoftoj.
Po ku e dinte Saliu që unë do vija, e pyeta.
Ore kështu më tha, ja ta marr në telefon.
Po më habit, i thashë, kur të tha Saliu që unë mund të vija?
Dje, tha burri.
Po dje nuk e dija as unë që sot do vija në Kavajë, i thashë.
Epo Saliu nuk është si ty, është besimtar, di ca gjëra më shumë. Tani rri me avokat Benetin, sa të vijë Saliu.
Avokat ku je, i thashë Benetit, sa herë vij në Kavajë më del përpara.
Isha me Saliun në varrim, tha Beneti, po vjen dhe ai.
Më trego pak xhaminë, i thashë.
Në kohën e Enverit ka qenë banjo publike, tha avokati, e dije?
Jo, nuk e dija, i thashë.
Hiqi këpucët, tha.
Nuk i heq, i thashë, i kam atletet me lidhëse, duhet një orë t’i vesh prapë. Rrimë këtu jashtë në ballkon, të të bëj një fotografi.
Jo, tha Beneti, s’mund të më bësh foto, ta kam thënë dhe herën e parë.
Po pse nuk bën fotografi ti?
Ne nuk dalim në fotografi, është e ndaluar.
Avokat, ça po thua, nuk ke fotografi me gruan dhe fëmijët?
Jo, tha Beneti, nuk kam.
Shiko avokat, ti e di që unë nuk besoj.
E di, tha, e ke shkruar disa herë dhe ke bërë gabim.
Po nëse unë dua të bëhem mysliman, a më bind dot?
Të bind, tha avokati.
Fillojmë atëherë, më bind.
Fillojmë, tha Beneti
Sa ke pa e prerë mjekrën, e pyeta.
Gjithë jetën, tha, tridhjetë vjet.
Edhe unë kam mjekër, i thashë, e rregulloj te një berber turk. Unë vendos vetë sa të gjatë e mbaj. Po për mjekrën tënde kush vendos?
Profeti, tha Beneti.
Ç’punë ka Profeti, i thashë unë.
Ai ka thënë shkurto këtu, për mustaqet, dhe zgjat këtu, për mjekrën.
Po pse mustaqet mund të shkurtohen dhe mjekra jo, mos ka ndonjë ngatërresë këtu, e pyeta.
Nuk ka asnjë ngatërresë, tha Beneti. Profeti, paqja qoftë me të, ka dashur të na dallojë nga të krishterët, prandaj ka thënë që mustaqet të hiqen dhe mjekra të mos pritet.
Për çfarë arsyeje do e hiqje mjekrën avokat?
Për asnjë arsye, tha Beneti, vetëm i vdekur mund të ma ndajnë trupin nga mjekra.
Ti beson te jeta pas vdekjes?
Besoj, tha avokati, pse ti nuk beson?
Jo, thashë unë.
Kush është kuptimi i jetës tënde, pyeti Beneti.
Ç’do të thuash?
Për çfarë mendon se ke ardhur në këtë botë, tha avokati.
Po së pari, që unë kam ardhur në këtë botë nuk ka qenë vullneti im, i thashë. Ishte vullneti i prindërve të mi.
Së dyti, mendoj se kam ardhur në këtë botë për ta bërë pak më të mirë dhe për të shtuar racën njerëzore. Dhe kjo është detyra e të gjithëve ne, ta bëjmë botën më të mirë dhe të garantojmë vazhdimësinë e njerëzimit.
Po pse, tha Beneti, vetëm për kaq pak mendon se kemi ardhur në këtë botë, që të lindim fëmijë dhe fëmijët të lindin fëmijë të tjerë e kështu pa fund?
Është shumë pak kjo që thua.
Po atëherë, përse kemi ardhur në këtë botë sipas teje, e pyeta.
Që të adhurojmë Allahun, tha avokati.
Pra, ti mendon se Allahu na ka krijuar vetëm që ne ta adhurojmë atë?
Sigurisht, tha avokati. Ne kemi lindur që t’i dedikohemi atij dhe kjo na bën njerëz më të mirë për vete dhe për familjet tona.
Kam lexuar diku që profetët e feve të ndryshme shkuan te Perëndia dhe e pyetën se sa herë duhet të falen dhe Perëndia u tha të mos falen gjithë ditën, sepse kjo i pengon njerëzit të punojnë. A nuk mendon se është shumë të falesh pesë herë në ditë?
Aspak, tha avokati, lutja është kënaqësi.
Po nëse ti je në gjyq në orën e faljes, si ia bën, e pyeta, ndërpret gjyqin?
Jo, tha Beneti, e bëj faljen më vonë, kur të mundem.
Gruaja jote është e mbuluar?
Patjetër, tha avokati.
Sa kohë ke pa i dhënë dorën një gruaje?
Kjo nuk lejohet, tha Beneti.
Po si nuk lejohet, i thashë, pse duhet të privohet njeriu nga kënaqësia për të takuar një grua të bukur?
Ne kemi lindur të adhurojmë Allahun, jo gratë e botës, tha avokati, prandaj gratë tona i mbulojmë.
Pra, ti mendon se gratë duhen mbuluar që të frenojnë dëshirat e burrave?
Sigurisht, tha Beneti. Burrat kanë epshe dhe ato duhen frenuar, sepse ndryshe bota shthuret.
Po mirë, i thashë, me të njëjtën logjikë, edhe burrat duhet të mbulohen që të frenojnë dëshirat e grave. Pse nuk mbulohesh edhe ti, që të mbrosh gratë nga dëshira për ty?
Ore kupton ti apo jo, tha avokati, kështu ka vendosur Pejgamberi, paqja qoftë me të.
Ç’do bëje ti, nëse do ishe në një autobus vetëm me një grua?
Nuk do hipja, tha avokati.
Si nuk do hipje?
Nuk do hipja. Ne s’mund të qëndrojmë vetëm për vetëm në një ambient të mbyllur me një grua që nuk është e jona.
Po sikur ai të ishte autobusi i fundit, i thashë.
Do t’i ktheja kurrizin, tha avokati.
Udhëtim të mbarë, thashë unë.
Udhëtimi yt me Islamin sapo ka filluar, tha avokati.
Çfarë ka tjetër, e pyeta.
Dëgjo, tha. Një ditë po kaloja afër një shkolle. E kishin hapur muzikën në kupë të qiellit. Hyra brenda dhe i kërkova drejtoreshës që ta mbyllte muzikën.
Po si mund ta bësh këtë, e pyeta, ç’punë ke ti me muzikën e kalamajve?
Nuk lejohet, tha Beneti, muzika është e ndaluar.
Ore ça thua, po si jetohet pa muzikë? Po në dasmë shkon ti?
Ne nuk bëjmë dasma, tha avokati.
Si nuk bëni dasma? Nuk kërceni ju në dasmë
Ne martohemi, po burrat rrinë veç, gratë rrinë veç, nuk kërcejmë me njëri-tjetrin.
Po pse edhe kërcimi ndalohet?
Natyrisht, tha Beneti, sepse levizjet gjatë kërcimit ngjallin epshe.
Po pse nuk mund të jetë feja pak më praktike, i thashë, a nuk mendon se gjithë këto kufizime i largojnë njerëzit nga Islami, agjëro, mos pi ujë, mos ha bukë, mos ha mish, mos bëj fotografi, mos bëj piktura, mos dëgjo muzikë, mos pi verë, mos kërce, mos i jep dorën një gruaje, a jetohet kështu?
Jetohet shumë mirë, tha Beneti, unë jetoj më mirë se ti që i bën të gjitha këto.
Aaa, domethënë unë jam qafir, i thashë.
Nuk më lejohet ajo fjalë, tha avokati, po ky është ndryshimi mes meje dhe teje.
Kush është ndryshimi, e pyeta.
Ti jeton për të pirë verë, për të shijuar gratë dhe për të kërcyer, pra me pak fjalë, për të bërë qejf. Kurse ne jetojmë për të adhuruar Allahun dhe prandaj jemi më të lumtur se ti. Allahu nuk na mungon asnjë ditë të jetës, kurse gratë, pija, muzika, një ditë do mungojnë dhe atëherë ti do jesh i dëshpëruar dhe i vetmuar.
Nuk e di a më bind dot të heq dorë nga të gjitha këto për t’u bërë mysliman, i thashë.
Mbase të bind Sali Damarja, tha Beneti, ja ku erdhi.
Sali, i thashë, bëjmë një xhiro, më trego Kavajën.
Ecim, tha Saliu duke qeshur.
Nga vjen mbiemri Damarja, e pyeta.
Ne jemi kroatë, tha Saliu, nga babai.
Kur keni ardhur në Shqipëri?
Mund të ketë 500 vjet, mbiemri Damarja vjen nga Damaroviç.
Po nga linja e nënës, nga jeni?
Jemi çeçenë, tha Saliu, nga Çeçenia.
Ou, i thashë, hera e parë që takoj një çeçen, këtë fjalë në Tiranë e përdorin për keq.
Unë jam çeçen, tha, çeçen nga Korça.
Unë jam nga Korça, i thashë, po aty s’ka çeçen.
Ne jemi nga fisi i Iljaz bej Mirahorit, tha Saliu, ai ishte çeçen me origjinë.
Ça thua, i thashë, Iljaz Bej Mirahori është themelues i Korçës.
Pikërisht, tha Saliu, ai ngriti të parën xhami në Korçë.
Ai luftoi kundër Skënderbeut, i thashë.
Nga ai fis është mamaja ime, tha Saliu. Kur kemi ardhur në Shqipëri ishim të krishterë. Iljazi e kishte emrin Ilia.
Pra, kroat nga babai, çeçen nga nëna, çne që je mysliman, e pyeta.
Myslimanë u bëmë në Shqipëri, tha Saliu.
Do ishe kthyer sërish i krishterë, e pyeta.
Asnjëherë, tha Saliu.
Ti ke mustaqe, i thashë, pse i mban?
Unë dua të dukem mirë, tha Saliu, ata më kritikojnë që mbaj mustaqe. Por zemrën time e njeh vetëm krijuesi.
Po në dasmë shkon, e pyeta.
Patjetër, tha Saliu, martova vajzën para dy vitesh.
Unë vetë dëgjoj Elita 5.
Është e mbuluar vajza?
Jo, tha Saliu, as vajza, as gruaja nuk mbulohen. Unë nuk i detyroj.
Po fëmijë të tjerë ke?
Kam dhe një djalë, ishte futbollist shumë i mirë, por u dëmtua.
Të pëlqen futbolli?
Kam luajtur shumë, tha Saliu, jam marrë gjithë jetën me sport, tani eci 10 km çdo ditë. Çfarë ekipi ndjek?
Më pëlqejnë shumë gjermanët, kanë disiplinë. Po të ikja nga Shqipëria, vetëm në Gjermani do jetoja.
Po nëse do të kërkonin në Gjermani të hiqje mjekrën, do ta bëje?
Nëse do më duhej për të punuar, do ta bëja, tha Saliu, unë kam detyrimin të garantoj mirëqenien e familjes sime.
A të pëlqen puna si roje shkolle?
Jam i lumtur, tha Saliu, unë di emrat e 400 nxënësve dhe çdo problem që ka secili prej tyre.
Bëjmë një foto, i thashë.
Sa të duash, tha.
Ja, rri pas asaj lules, thashë unë.
Herën e kaluar më ke bërë foto në majën e Kullës së Sahatit.
Aty lart m’u morën mendtë, thashë unë, më mirë në tokë se në qiell.
E di sa shkallë ka Kulla e Sahatit?
Pse ti e di, pyeta unë.
Sigurisht, tha Saliu, 69 shkallë.
U kthyem prapë te Xhamia e Vjetër ngjitur me Sahatin.
Ja dhe Qamili që takove kur erdhe, tha Saliu.
Selam alekum Qamil, i thashë.
Alekum Selam, tha Qamili.
Do blej hurma, i thashë.
Janë hallall, tha Qamili, merr këto të Arabisë Saudite.
Po ata libra çfarë janë, e pyeta.
Ja tha, Historia e Perandorisë Osmane, në dy vëllime.
Po pse nuk ke dhe historinë e Perandorisë Austro-Hungareze?
Shiko, tha Qamili, ça ke ti me Turqinë? Në parlament nuk ke folur mirë për Erdoganin. Erdogani tha që do ndërtojë parlamentin e ri të Shqipërisë, thashë unë. Çdo shtet i lirë parlamentin e bën me paratë e veta dhe jo të të huajve.
Ai është burrë shteti, tha Qamili, mos u merr me të.
Ai na kërkon të mbyllim shkollat, thashë unë.
E po, ato shkolla janë gylen, tha Qamili, ata bënë grusht shteti në Turqi.
A të bindi Saliu të bëhesh mysliman? erdhi avokati.
Nuk besoj, i thashë, por nëse një ditë do bëhesha mysliman, do doja të isha si Saliu. Normal, tha avokati, për të mbajtur një palë mustaqe çfarë nuk bën njeriu.
Hajde pas Ramazanit, tha Saliu, shkojmë te restoranti i Redit për drekë.
Unë do pi birrë, i thashë.
Edhe unë, tha Saliu, pa alkool.
Shiko Sali, i thashë, nëse do e kisha në dorë, bashkë me çelësin e sahatit, të xhamisë dhe të shkollës do të kisha dhënë ty edhe çelësin e qytetit.
A i mban dot katër çelësa?
I mbaj, tha Saliu.
ObserverKult
Lexo edhe:
BEN BLUSHI SHKON NË KINË
Botohet në Kinë romani i shkrimtarit Ben Blushi “Otello, Arapi i Vlorës”.
Botimi i tij është mundësuar nga një prej shtepive botuese më të mëdha kineze, Shtëpia botuese e Mesimit dhe studimit të gjuhëve te huaja ( Foreing Language Teaching and Research Publishing Co., ).
Kjo në kuadër të Projektit të bashkëpunimit mes dy vendeve për përkthimin dhe botimin e ndërsjelltë të librave nga Kina dhe Shqipëria.
“Otello, Arapi i Vlorës” vjen në gjuhën kineze me përkthim të Chen Fenghua, shefe e katedrës së Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja në Pekin.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult