Çohu baba dhe eja prapë…

Nga: Georgios Vizyinos

Zgjohu baba! se po agon,
qielli nis e skuqet,
mbarë toka sterrë nis flakëron.
Çohu dhe ti tek zbardhëllon, e të dëgjojmë gushkuqët.

Tok me mamanë në këtë orë
më vinit ju tek dhoma,
më flisje m’ atë zë gazmor.
E binte zilja si këmborë. Po ti si fle akoma?

Çfarë ëndrre po shikon tani
në errësirë të ndritur.
Fjete, kur unë isha kërthi,
e pa kuptuar qysh e si, shiko sa jam, i rritur!

Zgjohu e shih, e rrudhur, plakë,
e gjora nënë e mjerë!
dhe gjyshe e shkretë ng’ai merak,
u tret, u shua e u mpak dhe iku… për ngaherë!

Baba, tregoma atë fshat
të t’ vdekurve nën tokë
e do të nisem një mesnatë,
dy lule për atë të ngratë, të çoj t’ja vë mbi kokë!

Më thonë se qenka natë e zezë,
skëterrë, pis, errësirë,
por unë qiririn do ti ndez,
që të ndriçojë porsi mëngjez, tek gjyshja ime e mirë!

Mban mend? Më puthe ti mjekrosh,
një ditë duke lodruar
më the – sa vite do kalosh,
të rritesh krahë, të fluturosh, të bëhesh burrë i shquar.

Ja pra babush! U rrita, trim!
Shikomë, oh sa do doja,
u bëra burrë, porse jetim!!
Më thanë një ditë me psherëtimë, rrugës kur po kaloja.

-Jetimi i gjorë, ja tek po shkon!
-O Zot, si ngjau hataja!
-Tre vjeç e la i ziu gjiton!
-Ndaj ngjan si zog që diç kërkon?! Eh, ta gëzojë mamaja!

Më thuaj babë, vallë në agim,
tym’i livanit tonë,
që ndez mamaja në vajtim,
aromë e tij a të mbërrin? Të ngroh, të ngushëllon?

E darkave kur vi me vrap
të ndez kandilën, vallë
e ndjen që është i imi çap?
Çohu baba! dhe eja prapë, të pres gjithmonë me mall!

Kur më thërrisje që të fle
në prehër t’adhuruar.
-Pa eja shpejt se po të le.
-Unë fluturoja gjer në re, tek ti për t’u qetuar.

Tani baba, ndën atë tokë
të hidhur e të huaj,
në kthinëzën e ftohtë, ke shokë?…
natën e gjatë e ditën tok, a ngrohesh dot?… më thuaj.

A do të të përgjigjem vetë?
Askënd, ditë apo natë!
Por unë do vi një çast të shkretë,
në gjirin tënd të flë përjetë, të ndihesh ngrohtë, im atë.

Shqipëroi: Arqile Garo

———————

Lexo edhe:

RRËFIMI PREKËS I SHERIF MERDANIT: VËLLANË 6-MUAJSH E ÇOJA NË BURG NË MINUS 10 GRADË QË T’I JEPTE NËNA GJI…