Nga Tonin Çobani –
‘rriNshpi’ është fjala më e re që po hyn në gjuhën shqipe ose që po bëhen përpjekje për ta futur në gjuhën e sotme shqipe. Duket sikur ka ardhur si pasojë e pandemisë globale, ashtu si papunësia që po shkakton krizën pandemike të ekonomisë. Dhe është krejtësisht origjinale (si thonë: krejt shqiptare) e jo imitim.
Ajo fjalë e re pasohet me fjalinë ‘Shpëto jetë’. ‘Pra rri në shtëpi (dhe) shpëto jetë. Ose ‘Rri në shtëpi që të shpëtosh jetë’. Por ‘shpëto jetë’ është një fjali dhe sipas drejtshkrimit të shqipes kërkon një pikëçuditëse si shenjë pikësimi. Kjo të sugjeron që edhe fjala ‘rriNshpi’ të shihet si një fjali urdhërore: ‘rri Në shpi!’.
Duke qenë se në shqip fjalia fillon me shkronjë të madhe, do të kishim: ‘Në shtëpi (po) rri’ (fjali dëftore) ose ‘Në shtëpi rri!’ Kjo e dyta është fjali urdhërore që sugjeron ta shohim edhe fjalën ‘rriNshpi’ si fjalë të përngjitur që vjen nga fjalia urdhërore: ‘Rri në shtëpi!’.
A kemi modele të ngjashme në gjuhën shqipe të fjalëve të përngjitura? Po, është fjala e bukur ‘tungjatjeta’ që ka kuptimin T’u zgjatë jeta! Madje, ashtu si fjala ‘rriNshpi’, fjala ‘tungjatjeta’ ka hyrë edhe në gjuhën shqipe të shkruar nga gegërishtja, pra, duke thyer parimin bazë të përfaqësimit të dialekteve. Prandaj lind pyetja për ata që po përpiqen ta përfshijnë këtë fjalë në gjuhën shqipe të shkruar: a do ta pranojë gjuha shqipe e shkruar këtë neologjizëm? Unë mendoj se jo, ashtu sikundër nuk do të pranojë, ndoshta, as trajtën ‘Tirona’ që shkruajnë në banderolat e tyre tifozët e Tiranës.
E kam parë të shkruar (‘rriNshpi’) në një reklamë televizive kundër Kovid-19 dhe më ka trazuar, sepse më përzihet me të ajo forma urdhërore e masave ndaluese të qeverive përkatëse të rajonit ku shqiptarët përbëjnë shumicë ose jo. Këtu nuk mendoj se kemi të bëjmë me diskriminim etnik të shqiptarëve (Koronavirusi nuk diferencon njerëzit nga prejardhja e tyre etnike). Përkundrazi. Mua më duke se jemi vetë ne, shqiptarët, që sillemi keq me gjuhën tonë dhe e lejojmë Kovid-19 ta infektojë atë, duke menduar, ndoshta, se nuk do të na afrohet ne që e flasim dhe e shkruajmë dosido.
Unë nuk mendoj, gjithashtu, se dëmet më të mëdha i erdhën njerëzimit nga pandemia, por dëmet të mëdha po i vinë nga keqmenaxhimi i saj, prandaj ajo (pandemia) u shoqërua nga një krizë ekonomike që gjithnjë e më tepër thellohet e thellohet duke prodhuar edhe neologjizma propagandistike ( ‘rriNshpi’), që justifikojnë rritjen e autoritarizmit qeveritar dhe përkeqësimin e lirive dhe të drejtave jetike të njeriut.
Fjala më e re ( rriNshpi ) nuk mund të hyjë në gjuhën shqipe të shkruar edhe nëse vjen si gjetje e veçantë grafike për një reklamë shkrimore.