Ç’po ngjet kështu? Për Big Brother flet shefi i opozitës, flet lartmadhënia e tij, kryeministri…

Nga Balil Gjini

Big-brother është bërë një ortek i frikshëm që merr me vete gjithçka gjen përpara. Së fundmi moderatorja Arbana Osmani tha se në Shqipëri s’kanë më rëndësi as këngëtarët, as artistët. Madje askush tjetër, përveç lojtarëve të Big-Brother.

Dhe merreni me mend çudinë: kësaj moderatoreje, jo kush tjetër, por vetë Universiteti europian i Tiranës (ai që lypsej të promovonte majën e gjësë në fushën e artit), para nja dy-tri muajsh, i dha një çertifikatë. Pra çertifikatë mirënjohje për shpërndarje të vlerave kulturore (!!!…)

Dua të them se, në këndvështrimin tim, Arbana e bën mirë punën e saj. Por kjo punë, për ta thënë troç, është të trazojë m… me majën e shkopit.

Robert Aliaj, ai që s’le kamerë televizive pa kthyer kokën për të folur për vlerat europiane, para një jave, në një emision me Ylli Rakipin, ka folur të gjitha të zezat. Të zeza për Big brothërin, por, me ç’duket, i është dashur të blejë një ton gëlqere. Kjo për t’i futur lëveret e këtyre fjalëve. Ndryshe s’ka si shpjegohet që mbrëmë ato fjalë i dilnin nga lavatriçja e gojës së tij aq të bardha, të bardha…

Ç’po ngjet kështu? Për big-brothërin flet shefi i opozitës, flet lartmadhënia e tij, kryeministri…

Po synohet me çdo çmim të zbritet në fund të humnerës, në tabanin kulturor zero. Aty ku mund të thuash pa teklif që Kosova kufizohet me Greqinë dhe të jesh nxënës i ekselencës.

Kllogjeri, Luisi, Olta, si mund të mëtojnë të arrijnë lavdinë artistike, jo në skenë, po në një kampim zboristësh. Aty ku gatuhet në kazanë kolektivë një supë për fakirfukarenj?

Mos vallë në këtë vend është harruar se lavdia e vërtetë s’ka nevojë për bori e trumpeta?

Dhe pastaj pretendimet e djalit të Yllka Mujos për dinjitet artistik, për modele kulturore përmes kotësisë së këtij emisioni?

Çfarë farse, ëëë? A nuk e dinë vallë se edhe nëse hyn në dyert e këtij emisioni si aktor, pas disa muajsh do të dalësh prej andej veçse karagjoz?

ObserverKult


Lexo edhe:

GËZIM TUSHI: MESAZHI I BIG BROTHER NUK ËSHTË I PARËNDËSISHËM

Big Brother Vip 2” është tema kryesore e shqiptarëve dhe për sociologun Gëzim Tushi, përzgjedhja e lojtarëve është bërë në një mënyrë disi elitare. Po ashtu ai jep edhe një qasje se çfarë mesazhi ka në vetvete ky format televiz.

Për të nëse kemi marrë njerëz të rinj dhe të moshës mesatare, një pjesë të famshëm, një pjesë më pak të famshëm, atëherë duhet të bëjmë disa Big Brother. Po ashtu duhet të marrim dhe ca të moshuar, të marrim dhe ca nga zonat rurale.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult