Cristina Peri Rossi: Rrënjëshkulurit, kush janë ata?

Cristina Peri Rossi

Nga Cristina Peri Rossi

Janë burra dhe gra që shpesh i shikon duke ecur rrugëve të qyteteve të mëdha; duken sikur, të dënuar, notojnë në ajër, në një kohë dhe hapësirë tjetër. U mungojnë rrënjët poshtë këmbëve dhe, nganjëherë, u mungojnë edhe këmbët. Nuk u dalin më rrënjë as te flokët, as lastarë të butë që të kapen në ndonjë farë tabani. Janë si ato algat pluskuese nëpër rrymat detare, të cilat ndonjëherë qëndrojnë diku në sipërfaqe, që rastësisht zgjat vetëm një çast. Por menjëherë pluskojnë prapë dhe aty ka njëfarë nostalgjie.

Mungesa e rrënjëve u jep atyre një pamje të veçantë, të vagëllimtë; prandaj, kudo ndihen të parehatshëm, askush nuk i fton nëpër festa apo nëpër shtëpi, sepse shihen si të dyshimtë. Është e vërtetë se, në dukje, bëjnë të njëjtat veprime si edhe qeniet e tjera njerëzore: hanë, flenë, ecin, apo vdesin. Ama, ndoshta një vrojtues i vëmendshëm do të mund të vinte re se, në mënyrën e tyre të të ngrënit, të të fjeturit, të të ecurit apo të të vdekurit, ka një ndryshim të lehtë, gati të paperceptueshëm.

Ata, kudo qofshin, në Berlin, në Barcelonë apo në Montevideo, hanë hamburgera MacDonald-i ose sandviçë Pokins-i me mish pule. Dhe, akoma më keq, porositin një menu të çuditshme, ndryshe nga të tjerët: supë të ftohtë me barishte, gjellë tenxhereje dhe krem angleze. Si gjithë të tjerët, flenë natën, veç, kur zgjohen në terrin e një dhome të rëndomtë hoteli, për një çast mbeten të hutuar, të ndërdymë: nuk mbajnë mend se ku ndodhen, as se ç’ditë është, nuk u kujtohet as emri i qytetit ku jetojnë.


Mungesa e rrënjëve u jep vështrimeve të tyre një tipar karakteristik: një ngjyrim qiellor, të ujshëm, të druajtur, vështrimi i atij që, në vend të kapet fort pas rrënjëve të ngulura tek e kaluara dhe te toka e vet, noton në një hapësirë të mjegullt e të paqartë.
Edhe pse disa, me të lindur, kishin disa fije lidhëse që, pa dyshim, me kalimin e kohës do të kthehen në rrënjë të forta, për ndonjë arsye apo tjetër, i humbasin, ua shkulin apo ua presin, dhe kjo gjëmë e zezë i kthen në një lloj të mallkuarësh. Por në vend që të zgjojnë keqardhjen e të tjerëve, shpesh zgjojnë mllef: dyshohen si fajtorë të ndonjë gabimi të errët, çrrënjosja (nëse ka pasur një të tillë, pasi mund të bëhet fjalë edhe për një mangësi qysh në lindje) i bën të fajshëm.


Po i këpute një herë rrënjët, nuk mund t´i ngjitësh dot më. Më kot rrënjëshkuluri qëndron me orë të tëra, i palëvizur, në një kryqëzim, pranë një peme, duke kundruar me bisht të syrit ato rropulli që bashkojnë pemën me tokën: rrënjët nuk janë të infektuara dhe as që bashkohen me një trup të huaj.

Ka nga ata që mendojnë se, duke qëndruar shumë kohë në të njëjtin qytet apo vend, mundet që ndonjëherë të krijosh rrënjë të rreme, për shembull, disa rrënjë plastike, veç asnjë qytet nuk është aq zemërgjerë. Megjithatë, ka rrënjëshkulur që janë optimistë. Janë ata që përpiqen të shikojnë anën e mirë të gjërave, të cilët pohojnë se mungesa e rrënjëve siguron lirinë e madhe të lëvizjes, shmang varësitë e papërshtatshme dhe lehtëson lëvizjet. Por, mu në mes të këtij arsyetimi, fryn një erë e fortë dhe zhduken, të përpirë nga ajri.


Në shqip Bajram Karabolli

ObserverKult

Lexo edhe:

CATHLEEN SCHINE: LETËR DASHURIE…