Çun Lajçi: Ah, sa shumë m’ka marrë malli…

Nga Çun Lajçi

Ah, sa shumë m’ka marrë malli!

Po. Po bahem gati me ardhë. Sot, nesër, mbasnesër!
Ma pak se tri e ma shumë se katër ditë, jo, s’kan me shkua.
Tash edhe për rreth teje, kanë nisë me shpërthye do lule vjollce! Edhe do bulëza i kan qitë shelqet, aty të sheu! Ato langëzohen kur thanat bahen me lule t’shapueme e shpërthejnë luleboret.

Ma shumë se tri ditë jo, se malli asht çua peshë, si përrrojet, kur shkrihet bora e dalin shtratieve.

Blegerimë delesh asht ba malli n’gjoksin tim.
Sikur qingjat po m’lodrojnë dhimbjet syve t’mallit!
Qyqëja po bahet gati për ditën e Shëngjergjit, me knua kangën e re.
Edhe unë po bahem gati me dalë deri të dbani e me pushua n’cungun e vjetër. Me i mbushë mushknitë fllad pranveror e sytë me i ngi male.
Livadhit t’Isufit dua mu zhdirgj!

Oborrit tij me trupua e me thirrë: O Isuf Alia! Ty të shtegu me t’pyet: A je mërzitë moj e mirë?

Me ecë mes varresh tue u kollitë thekshëm, e mu ndalë të dërrasa jote.
Dua me ta qëndisë nji gurë të mjeshtri, bukur, si mestët e jaranit vasha, e me ta vu te kryet me emnin tand e timin, e me ta puthë sa herë t’kthehem nga rrugët e largëta.


Po. Po bahem gati me ardhë e me t’kallxua për rrugët e babës me do libra! Për do mërgimtarë tej Oqeanit, që t’kishin pa me nji fëmijë ngryk, në nji film lufte!
Nji gur t’bukur dua me ta qëndisë të gurëgëdhendësi, me pak vargje e do lule katundi me ti vu mbi eshtnat e fjetun!
Me prit se po vi jo ma larg se katër, jo ma pak se tri ditë Ramazani, me nanën e vëllaun!

Ah, sa shumë me ka marrë malli!

ObserverKult

Lexo edhe:

SHKRIM PREKËS I ÇUN LAJÇIT: U BANA DHÉ E ZBRITA N’GROPË, T’IA MBULOJË ESHTNAT BIJËS SIME…