Çun Lajçi: Era t’paska bajtë andej, kah unë s’kam dashtë

Çun Lajçi

T’kam folë shumë, aq shumë sa mësua i kam t’gjitha frymëmarrjet e fjalëve t’mia, e hapat e rrugëve tua t’thyeme!
S’ia vlejka ma me tharbë gjakun, e synin me njomë me shpresën e rreme!
Thâ m’u paskan edhe mendimet, e pikë langu n’fyshtin e tyne s’më paska mbetë
Derën s’po e la ma t’çelun, as unë ma s’po e pres kthimin tand!
Po e ngrehi parmendën vetëm, edhe për aq sa kambët mund ta shtyjnë njena-tjetrën!
Kurrgja s’qenka siç mendua e kisha, e tash, tepër vonë m’u kthye n’vitet tua t’mira, se qafën s’ma kthyekan damarët mbrapa ma!
Po, po eci vetëm, siç eca, para se me t’gjetë ty.
Ma le jarmin n’qafën e rrudhun, ma jep nji tas ujë ta pi, e mëshoma nji herë shpinës, me thuprën e kijeve, ta mbaj për kujtim dhimbjen, dhe ik.
Për lavër t’mirë, duhet kau i mbarë. Ti s’je ai, e ai kam dashtë t’jesh. Por mashtrua m’paska syni herët. E pra, mirë kam pa deri vonë!
Ik majtas, andej kah ngreh ma ke parmendën, andej kah lavra asht ba dredha-dredha, se qafën nuk e paske pasë t’babës, as kryet për kapuçin e tij t’zdralavt!
Era t’paska bajtë andej, kah unë s’kam dashtë. E shumë kam dashtë t’jesh i miri im, o ma i miri i t’mirëve!
Por rrejtë m’paska pasë syni. E pra, deri vonë mirë kam pa!
Ik, ndërtoje kolibën për zogjtë tu, e shtrije qafën n’daç me t’marrë gjumi, e andërr me pa babën!
Ma le jarmin n’qafën e rrudhun, ku ti lag m’ke e unë jamë rritë lumtunie!
Kur t’kthehesh mendve tua, nëse kthehesh ndonjiherë, ke me gjetë vetëm jarmin, por s’ke me pasë ma qafën e trashë, me hi vetëm n’lavër!
Djalosh!
T’kam folë shumë, aq shumë, sa mësua e paskam vetëm vetveten, se si me vdekë vetëm!
Mua fjala ma s’m’duhet!
Ti kthehu nëse t’bjen rruga, andej kah ara ime. Aty ka me t’pritë parmenda e gjamtë e babës! Edhe thupra e kijeve, por s’ke me pasë kujt shpinën me ia fshikullua, pos vetvetes.


Lexo edhe:

ÇUN LAJÇI: KUR MËRZITEJ BABA…

ObserverKult