Çun Lajçi: Fund vitesh

Çun Lajçi bubulina
dikush n’fundvit plaket
soset harrohet
dikush dikund lind fillon jetë e re
nis vit i paharxhuem
dikund dikush n’letra shlyhet
dikush shkruhet n’letra
ikë viti për njenin vjen viti për tjetrin
e rrjedhë tatëpjetë jeta
dikund thuhet lamtumira n’fundvit
e puthet balli akull
dikund n’fundvit fillon festa
e puthen buzët e zjarrmta
ah
çfarë vitesh thonë do tjerë

Prishtinë, 31.12.2020