Çun Lajçi: Harrojeni se m’nihni, nuk jam ai kopili që kujtoni!

çun lajçi

Ju t’mirët atdheut, andej Drinit, që mendoni se m’nihni,
po iu them se nuk jam ai kopili që kujtoni!
Asnjiherë qëllua s’ia keni kush jam!
Kemi qenë të ndamë, me nji bjeshkë t’naltë deri n’qiell,
e pa s’jemi sy-m’sy!
Mua nana, n’fëmini, m’ka vjerrë n’degën e Çun Mulës,
krejt çka kam mujtë me ba, ka qenë t’mos me shkyhet këmisha,
t’mos me thehet dega me ra poshtë!
Se poshtë keni qenë ju, që vra m’i keni rojet e kufinit!

Ju keni ecë rafshit, kurse unë hapave t’Prek Calit,
prej shkambit n’shkamb,
tue ia bekua pushkën, me vargjet e Lahutës.
Ju s’e keni dashtë Prekën, biles e keni tradhëtua.
E keni nxjerrë prej shpellës dhe n’besë e keni pre!

E pre m’keni edhe mua, fyshekun e pushkës tij!
Prandaj s’ua fali e s’iu njoh!
Po, pre e keni Piramidën e kufinit. Rojën e Vermoshit dhe t’Kelmendit!
Mund t’më preni prap, se malsori beson n’pushkë e n’besë, e fjalën e lidhë n’plumb.
Ju s’keni besua se unë jam hija e Prek Calit,
e mundua jeni t’me lidhni n’uçkurin tuej!

Por jo, mua m’lidhin vetëm bjeshkët.
Atyne ua fali fjalën e zemrën.
Ato janë skenat e mia e Teatri im, që zbardhën dimnit,
verave ngjyrosen me t’gjitha lulet e Kelmendit!

Ato nuk rrënohen si Teatri juej mes qytetit!

E shihni se nuk me njihni Ju që m’përfolni n’televizione,
e me merrni për tuajin!
Jo, unë betua jam
me ecë kah ecë dhia,
e ujkut me ia këqyrë sytë kur t’i skuqën.

S’më duheni kur jam n’mes t’pyllit, se lisat m’bajnë roje!

Harrojeni se m’nihni ju t’mirët e atdheut andej Drinit
qyshë s’më keni njoftë kurrë, edhe pse shtetas i juaj jam!

Pak si marre po m’duket!

Dardani, 19.05.2020

ObserverKult