Çun Lajçi: Jam zhugani, morrani, zhelani..!

çun lajçi dashni mes malesh

Para Hotel Lubotenit, n’Ferizaj, m’afrohet nji zonjë rreth të dyzetave. E veshun me shije. Hetohet se jeton n’Evropë.
Unë i nxjerri librat nga kuferi, tue shpresua se njena prej tyne u shit, dhe i vendosi n’stolin e shetitorës.
Ajo i merr dy “Bastardë” n’dorë.
Uh, them unë, dy u shitën!
Ajo i shikon tue i rrotullua librat e mi e duert e veta e m’flet ambël. Nuk pyet për çmimin por i çon mbi kokën e vet dhe i hudhë n’tokë.
M’shikoi e gjatë e shikova!
Mirë bane, se asht libër bastardësh! S’e meriton me qenë n’stol ku ulem unë. I thashë se s’kisha ç’ti them tjetër.
Ajo s’lëvizë, vazhdon me m’shikua! Unë s’foli ma, por i marr librat dhe i vendosi n’stol.
Si i porositun afrohet nji qen sharri, shumë i madh, me vathin e plastikës n’vesh. Dihet, asht i kastruem! I pa rrezikshëm!
Zonjë i them, shikoje qenin. Ky deri sa ishte n’mal luftonte me arushën, por ketu secili e shqelmon.
Kështu jam edhe unë, prandaj m’i gjuen librat n’tokë!
Ajo çartet.
Ti s’e meriton me jetua!
Librat tu si lexojnë as fëmijët pesë vjeç!
-Ke të drejt moj. Ku dinë pesvjeçarët për bastardët e kombit! Por unë fola për qenin, jo për kudrat oj zonjë! I them dhe heshti.
Ajo vazhdon allafrangçe. Shanë si duket n’gjuhën që s’ia kuptova.
Dy burra e largojnë ashpër.

-Mos e prekni u them, mos e ngucni, se kjo mbase asht e derguemja e atyne për t’ cilët shkruej unë!
E ledhatova qenin që ta marr vetën e librat i futa prap n’kufer. U ktheva të Skendërbeu im n’Prishtinë. Gjergji asht kryetrim thashë e s’guxon kush me m’sha as me m’prekë!
Dhe taman sa i nxorra t’shkretat nga kuferi, do t’përzgjedhun t’popullit, me vota t’bleme, (se mbas luftës gjithçka u ble, madje edhe nji ar toke për nji euro), do vipa plot xhepat “dije”, që nguteshin me hi n’Parlament, nga larg ma luhaten dorën.

-Mos del rrugëve! Mos e zhvleftëso vetën me emna kafshësh!
Ne të duem, por jo edhe qentë endacak që urinojnë trotuareve e bagëlojnë shesheve. Je me namë, i qëndisun me qinda role e mija vargje n’librat e vonuem!
Je i kangës i lahutës epike që të ngjeth mishtë.
Je artist që nuk të vdes emni, se librat jetojnë ma gjatë se njeriu.

-I qëndisen fjalët mirë, se kështu e kanë ata, ta lyejnë kryet me akull, por s’u afruen me i ble librat. Ikën si t’kisha pasë covid!
Buza m’u përgi n’gaz: Ja ku shfaqet n’Prishtinë zonja e Ferizait, n’petkun e parlamentarve, them e s’di n’cilin rol u futa aqë shpejt, por si ajo i mora dy libra n’dorën e djathtë dhe e çova përpjetë, e kambën e majtë e mbajta cufil e bërtita:

-Hej, unë s’jam qen, por bir qeni që urinoj n’titujt tuej ble me pare!
Jam zhugani, morrani, zhelani, qelani, artisti që iu futi n’luftë me nji grusht dhé t’kullës s’Jasharajve e me nji plis të djegun Drenice!
M’thoni se s’ishte kështu që t’iu kafshoj si qeni!
Jam poeti që s’ia doni vargjet për atdheun. I doni për juve, për titujt e blemë!
Ju pengojnë librat e mi se duken si vathët e verdhë n’veshët e qenve, që gjasojnë me vathët tuaj prej brilanti e xhevairi!
Por harruat se unë s’jam shalë për kuajt tuaj. Jam opingë, gurrë druni që pika-pika e mbushi lugun e pi bashkë me delet, kuajt lopët, qentë e bahem njeri me mendua me kokën time!
Unë lehi me trimnua tuten time, jo me i kafshua fjalët tueja t’qelbuna për diplomat e bleme. Jam artist me titullin që ma dha populli, jo ju që na bleni me pak e na shitni me shumë!

Dardani, 17.10.202

ObserverKult