Poezi nga Çun Lajçi
Po i biem trup
Unë pa juve pa mua ju livadhet pa therra
Murmurimat pa breshën nesër
Dardania sot e deri t’i soset diellit fitili
Pak shi kur t’hudhet fara kur t’nisë këlkaza
Me i nxjerrë n’maje t’koçanit tufat
Kur zhardhokët t’vargisen si brythat n’dhé
Po i biem trup
Pa juve unë pa morrat e misrit atdheu
Ujqit qetave torishtat plot qingja plot berre
Mos e pini ujin kur t’vnon lëmashk
Ai e bren gurin e fik burrin
Gjarpijtë çelin vezë
Gurin mos e lueni kur ta mbulon myshku
Ai n’randimin e vet asht tue i mbajtë mend
Varret n’mezhdat e atdheut
Po i biem trup
Kurrë s’më keni dashtë, rrejtë keni
Dardani, 18.06.2020
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇUN LAJÇI: AJO ZANA QË LAHEJ CULLAK N’UJIN E BORËS!
Doja t’ia zbukuroja vetës ditën, përkundër qiellit të zymtë që po përgatitej për shi. Doja t’shkrueja për copëzat e kujtimeve që kan mbetë jetime, n’Gurin e Kuq, n’atë podalakun mbi kërrshat e lartë, që rrin si dhëmballë kali, mes Bjeshkëve të Nemuna.
Nga aty, (kur qielli s’kishte re), shihej Rrafshi i Dukagjinit si n’shuplakën e dorës. Madje edhe do bjeshkë Shqipnie dukeshin nga ajo maje e lartë e m’dukej se po bahesha edhe unë Shqipni tue i kqyrë! Po bahesha shqiptar si ata e bërtitsja; – plis unë e plisa ju, shqiponja me bollëk në të dya anët! Më pritni se erdha mu ba i kuq si ju! – dhe i hapja krahët e era e fortë me shtynte drejt shpellës, që rrin si gojë e hapun mes podalakut, prej të cilës dilnin korbat e lakuriqët, sa herë hudhnim gurë n’fytin e saj!
-Mos iu afro gojës së korbave, – m’thoshte për shpellën, nji çobaneshë e veshun si mashkull, me plis e me tirqi t’bardhë…
Tekstin e plotë e gjeni KËTU