Çun Lajçi: Mbramë zemra deshti me m’lanë

Çun Lajçi

Zemra t’len e s’pyet mjek as mbret!
Shah n’veti ishte prej se e krijoj Zoti, e rrak-taket ia kurdisi si deshti Ai e kësaj si iu tek!
Të ngadalshme të shpejta e jo rrallë herë edhe të thyeme!
Këto t’fundit ia morën jetën nji poetit lirik, Azem Shkrelit, po sa zbriti n’tokë me puthë vargun e vet!

Ia mori edhe Nuredin Loxhës po sa shkeli n’skenografinë e vet e pak kush foli për ta, (siç madhnohen njerëzit sot) se ishte kohë e huej për zemrat e tyne!
Edhe Buqës, regjisores, ia paska marrë jetën dje, tue folë për nji parapremierë n’Ministrinë e Kulturës.

Asaj lavdi, por zemrës i bahet boll kur ngihet me teket tona. Mërzitet kur i bahen të tepërta dashunitë e urrejtjet. Vuejtjet kur grumbullohen nisë e numëron sekonda, orë, ditë e vite, dhe… ndalet!

Si për inat pushon, jo për pak, por përgjithmonë!
Shtrydhet, bahet gur, n’zgurin me damarë t’kapërthurun lumejsh, që harrojnë m’u derdhë n’pellgun e saj!

Ajo shtrëngohet mos me pëlcitë e harron me ba rrak-tak!
Harron ajo e vdesim ne tue pritë ujin e lugut me i ra gurit e me rrotullua edhe njiherë jetën, e sërish me ba rrak-tak!

Nuk vdiq thanë, veç zemra harroi me thithë ujin e damarve e përmbys ra mbi hijën e vet.
Sa shumë nga t’mirët harruen me marrë frymë tue pritë mu sjellë edhe njiherë guri i zemrës e me i shterrë lumejtë e gjakut!

T’plastë zemra t’plastë, me nemte nana, sa herë shpirtin ia bisha të hunda, e kur i binte ndërmend se ajo mund t’me pushonte përnjimend, m’thoshte; hajde të zemra e nanës, hajde!

Edhe im bir mbramë me mori ngrykë, ma puthi synin e ballin kur n’gjumë bërtita prej ankthit.

U tut mos po m’len zemra e m’përqafoi me mallin e pashuem!
Të dua more plak m’tha, të dua! M’ka marrë malli m’u ulë n’prehnin tand, që kur u bana burrë, e mi përkëdheli faqet e plakuna!

Mbramë, zemra u medyshë me m’lanë edhe mua, por im bir ia rrotulloi gurin e rrak-takut, se malli e kishte marrë me m’përqafua!
Sa i lumtun isha mbramë, nuk e diti as im bir, se nuk i kallxova sa mall kisha pasë për përqafimin e tij!
Ah, kjo asht jeta e kjo asht zemra!

———————-

Lexo edhe:

ÇUN LAJÇI: NANA PËRMALLOHET- SHKON TË VORRET ME PUTHË MESËN, TIME BIJË

ObserverKult