“Shkretëtirë e bardhë”, tregim nga Xhek London

Ju ftojmë të lexoni tregimin “Shkretëtirë e bardhë” të shkrimtarit të shquar amerikan të fillimit të shek. XX , Xhek London, që ObserverKult ua sjell të përkthyer nga Eqrem Biba

– Karmeni nuk ka më as dy ditë jetë.
Mejsoni pështyu një copë akulli dhe e vështroi i dëshpëruar kafshën fatkeqe, pastaj, duke afruar këmbën e qenit te buzët, zuri përsëri të shqitë prej saj me dhëmbë akullin, që kish formuar xhunga midis gishtërinjve.

– Të gjithë qentë me emra të bukur nuk hyjnë në punë për asgjë, – tha ai, duke i dhënë fund punës dhe e shtyri qenin. – Ata thahen e treten e më në fund japin shpirt, duke mos e duruar këtë barrë. A ke dëgjuar të ketë ndodhur ndonjë diçka e papëlqyer me qentë që mbajnë emra të thjeshtë, si Kasjar, Sivash ose Haski? Kurrë! Ja, shih Shukumin: ai…
Hop! Qeni i bërë kock’ e lëkurë u hodh, për pak dhëmbët e bardhë qenë duke u ngulur në grykën e Mejsonit.
– Ç’të hypi kështu në kokë?

Një goditje e fortë në veshë, me dorezën e kamxhikut, e përplasi qenin në dëborë; ai u drodh, nga çatallët e tij zuri të rrjedhë një jargë e verdhë.
– Unë të them shih Shukumin: atij s’ia ha kush shkopin. Vë bast, ai do ta përlajë Karmenin në fund të javës.
– Kurse unë, – tha Mejllmjut Kidi, duke rrotulluar pranë zjarrit bukën, që pikonte akullin e shkrirë, – vë bast se do ta hamë vetë Shukumin, përpara se të arrijmë në vend. Si thua ti, Ruli?

Indianka hodhi në kafe një copë akull, që të binte llumi në fund, vështroi me radhë Mejllmjut Kidin, të shoqin, pastaj qentë, por nuk u përgjigj fare. Një e vërtetë kaq e qartë nuk kish nevojë për t’u pohuar. S’kish tjetër rrugëdalje. Përpara shtriheshin dyqind milje nëpër një rrugë të parrahur, ushqimi mjaftonte vetëm për gjashtë ditë, ndërsa për qentë nuk kish gjë fare.
– Që nesër nuk do të hamë më mëngjes, – tha Mejllmjut Kidi, – e mos ju a ndani sytë qenve; ata nuk po na binden fare, kam frikë se do të na hidhen, po t’u vijë rasti i përshtatshëm.

– Ndërsa unë dikur kam qenë kryetari i shoqërisë metodiste e kam dhënë mësim në shkollën e së dielës!
Dhe, pa e ditur pse e tha këtë, Mejsoni u zhyt në ëndërrime, duke i ngjitur sytë në mokasinat e tij, prej të cilave dilte avull. Rufi ia largoi mendimet, duke i mbushur gotën me kafe.

– Jemi të lumtur që kemi një pako çaj. E kam parë si rritet kjo bimë, – në shtëpi, në Tennesi. Ç’nuk do të jepja tani për një petullore të ngrohtë misërniku!… Mos u dëshpëro, Rufi, edhe pak e nuk do të vuash më nga uria, nuk do të duhet t’i mbash më mokasinat.
Gruas ju çel fytyra, kur dëgjoi këto fjalë dhe sytë e saj ndritën nga zjarri i dashurisë për zotërinë e bardhë – i pari njeri i bardhë, që kish takuar; i pari burrë, që i tregoi se gruaja nuk duhej vështruar si kafshë ose si kalë barre,

– Po, Rufi, – vazhdoi i shoqi në atë gjuhën konvencionale, me të cilën mund të merreshin vesh vetëm ata të dy, – ja, së shpejti do të dalim që këtej, do të hypim në lundrën e njeriut të bardhë e do të vemi drejt Ujit të Kripur. Po, është një ujë i keq, një ujë i rrëmbyeshëm, – dallgë të larta si mal kërcejnë lart e poshtë. Sa i madh që është, sa kohë do të na marrë! Duhet ecur dhjetë, njëzet, dyzet net, – për t’ja konkretizuar mirë, ai zuri t’ia numëronte me gishta, – gjithnjë ujë, ujë i keq, Pastaj do të arrijmë në një fshat të madh, me shumë popull, si mushkonjat në verë, Vigvamet e tyre janë të larta – ja, sa dhjetë, njëzet pisha! … Eh!

Ai heshti, duke mos gjetur dot fjalë dhe i hodhi një vështrim lutës Mejllmjut Kidit, pastaj zuri të tregonte plot zell me duar se ç’lartësi duhej të formohej, po të vije njëzet pisha njëra mbi tjetrën. Mejllmjut Kidi buzëqeshi me tallje, po sytë e Rufit u zgurdulluan nga habia dhe lumturia; ajo mendonte se burri tallej dhe një dashuri e tillë e gëzonte zemrën e saj të mjerë prej gruaje.

– Ndërsa pastaj do të hypim në… në arkë dhe – fët!- do të nisemi. – Për ta sqaruar, Mejsoni hodhi në ajër një mashtrapë bosh dhe, duke e kapur me shkathtësi, thirri: – Dhe, ja, – hap! – arritëm. U qofshim falë shamanëve të mëdhenj! Pas njëzet e pesë netësh, ti do të gjendesh në Fort-Jukon, ndërsa unë në Arktik-siti. Që andej do të na lidhë një litar i gjatë unë do të kapem pas tij dhe do të të them: «Alo, Rud! Si je?, Kurse ti do të përgjigjesh: «Ti je, burrë?» Unë: «Po». Ti: «S’e pjek dot bukën: s’kam sodë,» Atëherë unë: «Shih në qilar, pranë miellit. Lamtumirë!.. Ti do të shkosh në qilar e do të gjesh sodë sa të duash. Dhe gjithnjë ti në Fort-Jukon, kurs unë – në Arktik-siti. E sheh se ç’kanë bërë shamanët!?

Rufi buzëqeshte me kaq naivitet prej kësaj përralle magjiplote, sa burrat u gajasën së qeshuri. Zhurma që bënë qentë e përleshur e ndërpreu tregimin për çuditë e vendit të largët dhe, gjatë kohës që i ndanë gruaja arriti të lidhë slitën dhe u bënë gati për udhë.
– Përpara, Tullac! Ej, përpara!

Mejsoni kërciti kamxhikun me shkathtësi dhe, kur qentë zunë të angullinin mbyturazi, duke tërhequr rripat, u mbështet në shkopin drejtues dhe i lëvizi nga vendi slitat e ngrira. Rufi e ndoqi pas me slitën e dytë, ndërsa Mejllmjut Kidi, që ndihmoi për t’u nisur, mbylli vargun. Megjithëse ish një njeri i fuqishëm e madje i ashpër, i aftë të rrëzonte demin me një të goditur, ai i mëshironte qentë e mjerë, e mundohej të mos i qëllonte, gjë që ndodh rrallë me drejtuesit e slitave. Ndonjëherë, kur vështronte ata, sa nuk qante prej keqardhjes.

– Hë, de, përpara, çalamanë! – mërmëriti pas disa orvatjesh të kota për të lëvizur slitat nga vendi.
Më në fund, u shpërblye për durimin, dhe qentë u sulën për të arritur vëllezërit e tyre, duke angullitur prej dhimbjes. Bisedat pushuan. Rruga e vështirë ta ndalon këtë kënaqësi. Udhëtimi për në veri është një punë e rëndë, torturuese. Është i lumtur ai, që në saj të heshtjes përballon një ditë rrugë të tillë, por edhe këtë në shteg të hapur. Po s’ka punë më kapitëse se sa të hapësh vetë rrugën. Skitë e gjera e të bashkuara shemben në çdo hap dhe këmbët zhyten në dëborë deri në gjunjë. Pastaj duhet tërhequr këmba me kujdes, – largimi nga gjendja perpendikulare; edhe në një distancë të parëndësishme sa djujmi të kërcënon me vdekje, derisa nuk është pastruar nga dëbora sipërfaqja e gjerë e skisë.

Dita po shuhej dhe udhëtarët kryenin punën e tyre në heshtje të ndrydhur nga madhështia e shkretëtirës së bardhë. Natyra ka shumë mënyra për ta bindur njerinë se nuk është i pavdekshëm; rrjedhja’ e vazhdueshme e flukseve dhe reflukseve, tërbimi i shtrëngatës, tmerri i tërmetit, gjëmimet e artilerisë së qiellit. Por më e fuqishmja, më shkatërrimtarja e të gjithave është shkretëtira e bardhë me atë pamjen e saj indiferente.
Asgjë nuk lëviz, qielli ndrit si bakri plot shkëlqim, pëshpëritja më e vogël të duket si një diçka e mbinatyrshme dhe njeriu, duke u dridhur, i trembet edhe tingullit të zërit të tij. Si e vetmja qenie e gjallë, që lëviz nëpër shkretëtirën transparente të botës së vdekur, ai trembet, për guximin e vet, duke kuptuar se jeta e tij nuk është më e madhe nga jeta e krimbit. Lindin vetvetiu mendime të çuditshme për të gjetur enigmën e gjithësisë.

Kështu, dita po shuhej. Shtrati i lumit merrte befas një kthesë të thellë, dhe Mejsoni, që të priste këndin drejtoi qentë nëpër një rrip të ngushtë. Por ata nuk e morën dot të përpjetën. Slitat rrëshqitën poshtë megjithëse Rufi dhe Mejllmjut Kidi i shtynë nga mbrapa. U bë dhe një orvatje tjetër e dëshpëruar, kafshët fatkeqe, të rraskapitura nga uria, tendosën forcat e fundit.

Ngjitu e ngjitu dhe slitat dolën në bregun e lartë. por qeni prijës tërhoqi rripin nga e djathta dhe ato kaluan mbi skitë e Mejsonit. Pasojat qenë të tmerrshme: Mejsoni u rrëzua. Njëri nga qentë ra, duke u ngatërruar te rripat dhe slitat u rrokullisën poshtë në atë tatëpjetë, duke tërhequr me vete të gjithë qentë.
Frap! Frap! Kështu vërshëlleu kamxhiku në ajër dhe mbi të gjithë e pësoi qeni i rënë.

– Mjaft, Mejson! – ndërhyri Mejllmjut Kidi, – ai, i mjeri; edhe kështu po jep shpirt. Prit, tani do të mbrehim të mitë. Mejsoni priti sa të mbaronte ai, ngriti dorën dhe kamxhiku i gjatë u mblodh përsëri rreth trupit të qenit fajtor, pastaj u kthye në ijë. Kjo qe një minutë e vështirë, e rëndë për udhëtarët: po ngordhte qeni, po grindeshin dy miq. Rufi hidhte sytë e merakosur herë te njëri e herë te tjetri.

Por Mejllmjut Kidi e përmbajti veten, megjithëse sytë tij shprehnin një qortim të hidhur, dhe, duke u përkulur mbi qenin, preu rripat. Asnjeri s’e hapi gojën. Bashkuan slitat dhe u ngjitën në të përpjetën; pastaj u vunë përsëri për rrugë. Karmeni zvarrisej në fund me forcat e fundit, që i kishin mbetur. Përderisa qeni mund të eci, atë nuk e vrasin, i mbetet shansi i fundit për të jetuar; të zvariset deri atje ku do të qëndrojë, atje, ndoshta, njerëzit mund të vrasin ndonjë dre. I penduar për veprimin e tij, por duk mos dashur ta pohonte nga kokëfortësia, Mejsoni shkonte përpara e nuk dyshonte për rrezikun që po afrohej.

Ata çanë rrugën përmes një kaçubeje të dendur dhe në lëndinë. Aty, mënjanë ngrihej një pishë e vjetër pesëdhjetë fut e lartë. Ajo qëndronte këtu prej shekujsh. A qëndroi të lidhte rripin e holluar të mokasinës, Slitat ndaluan dhe qentë u shtrinë në dëborë, pa bërë zë. Përreth mbretëronte një heshtje e rëndë; e ftohta dhe heshtja i kishin ngrirë zemrat dhe e kishin mbërthyer natyrën, që dukej sikur dridhej. Jehoi një psherëtimë; ata e dëgjuan, por ajo preku më shumë vetëdijen e tyre, si paralajmëruese e gjallërimit të këtij vendi të vdekur.

Dhe ja, pema e madhe, që u përkul nën barrën e viteve e nën peshën e dëborës, luajti rolin e saj të fundit në tragjedinë e jetës. Mejsoni dëgjoi një krismë paralajmëruese, deshi të kërcente mënjanë, por nuk arriti të ngrinte trupin, veçse kur pema e zuri poshtë, duke e goditur në shpatulla. Rreziku i papritur, vdekja e çastit – sa shpesh ish ndeshur me këto të dyja Mejllmjut Kidi! Ende dridheshin halat e pishës, kur ai urdhëroj gruan për t’u sulur në ndihmë. Edhe indianka nuk i humbi ndjenjat e nuk zuri të derdhte lot së koti, si do të bënin shumë prej motrave të saj të bardha.

Sapo hapi gojën Mejllmjut Kidi, ajo u mbështet me të gjithë trupin në shkopin, që po përdorej si lloz, duke pakësuar peshën e pemës e duke mbajtur vesh rënkimet e të shoqit, ndërsa Mejllmjut Kidi zuri të priste drurin me sëpatë. Çeliku përhapte një tingull të gëzuar, duke brejtur trungun e ngrirë dhe çdo e goditur shoqërohej me psherëtimën kumbuese e të sforcuar të Mejllmjut Kidit. Më në fund, ai vuri në dëborë trupin e sakatosur të atij që, pak më parë, qe shëndoshë e mirë. Por më e tmerrshme se sa dhimbja e shokut të tij, ish ai pikëllimi i heshtur në fytyrën e gruas dhe vështrimi i saj, i mbushur me shpresë e dëshpërim.

Fjalët ishin të pakta: banorët e Veriut e kuptojnë shpejt kotësinë e fjalëve dhe mirësinë e paçmueshme të veprimeve. Në temperaturën gjashtëdhjetë e pesë gradë nën zero, njeriu nuk mund të rrijë shtrirë gjatë në dëborë, Prenë rripat e slitave, mbështollën Mejsonin me gëzofët e kafshëve të egra dhe e vendosën në një shtrat prej degësh. U ndez zjarri; dogjën drurin e pishës, që shkaktoi mjerimin. Mbi zjarr rregulluan një mbulesë primitive: hapën një copë pëlhurë, që të mos shpërndahej nxehtësia, por të futej poshtë, – një mënyrë, që e njohin mirë njerëzit, ishin dëmtuar edhe organet e brendshme. Vetëm rënkimet e rralla të tij tregonin se ish ende gjallë.

Asnjë shpresë; s’ish e mundur të bëje asgjë. Nata e pamëshirshme po hidhte ngadalë e tinëzisht hijen e saj; Rufi e priti atë me një stoicizëm të ushqyer nga dëshpërimi, cilësi kjo, që ish në natyrën e popullit të saj; në fytyrën ngjyrë bronzi të Mejllmjut Kidit u shtuan edhe disa rrudha. Në të vërtetë, më pak se të gjithë vuante Mejsoni – ai shëtiste me mendje nëpër Tenesin Perëndimor, në malet Gjigante e të Mjegulluara, po jetonte edhe një herë fëmininë e tij. Në atë gjendje kllapie, kur atij i bëhej sikur lahej në liqen, sikur po gjuante kastorë, sikur po vidhte shalqi, gjuha e jugut, e harruar prej kohe, zuri të kumbonte si një melodi prekëse.

Për Rufin këta ishin vetëm tinguj të pakuptueshëm, por Kidi kuptonte gjithçka dhe prekej nga çdo fjalë, ashtu siç mund të preket vetëm ai, që është mësuar prej kohe me jetën larg civilizimit. Në mëngjes viktima erdhi në vete, dhe Mejllmjut Kidi u përkul mbi të, duke u munduar të kapte pëshpëritjen e tij.

– Të kujtohet ku u takuam në Tanan?… Këtë pranverë mbushen katër vjet… Atëherë nuk e desha aq shumë, por ajo ish e sinqertë… e më bëri për vete. Pastaj u dhashë i tëri pas saj. Ajo qe për mua një grua e mirë, më ka ndihmuar gjithmonë në minuta të vështira. E përsa i takon punës sonë, ti e di vetë, nuk ia gjen shoqen… Të kujtohet si i kaloi me not praqet e Bririt të Drerit e na mori të dyve prej shkëmbit nën breshërinë e plumbave, që qëllonin ujin? Po uria në Nukllukajto! Si vraponte nëpër akuj, e nxitur nga dëshira për të na dhënë lajmet sa më shpejt? Po, Rufi ka qenë për mua një grua e mirë – më e mirë se sa ajo tjetra… Ti s’e di që kam qenë i martuar? Nuk të kam thënë?…

Po, provova të martohesha një herë… në shtëpi, në Shtetet e Bashkuara. Prandaj erdha këtu. Qemë rritur bashkë. U largova që t’i jepja shkak për ta ndarë. Dhe e fitoi këtë të drejtë. Por Rufi ndryshon. Mendova t’ju jepja fund këtu të gjithave e të largohesha bashkë me të vitin e ardhshëm. Por tani s’ka më vlerë të flasësh për këtë. Kid, mos e shpjerë më Rufin te fisi i saj. Do ta ketë shumë vështirë atje.

Merre me mend vetë: u mbushën pothuajse katër vjet që po ha me ne bathë, bekoni, bukë, fruta të thata – e tani të zërë përsëri nga peshku e dreri! Të njohësh jetën tonë, që është ku e ku më e lehtë, të mësohesh me të, ndërsa pastaj të kthehesh te e vjetra! Ajo do ta ketë vështirë. Kujdesu për, të, Kid… Pse të mos… apo jo? Ti u ke ndenjur gjithmonë larg grave… Unë nuk e di se ç’të shtyri të vish këtu… Tregohu i mirë me të. Dhe në qoftë se do ta pushtojë malli për vendlindjen, ndihmoje të kthehet. Fëmija… do të na kish afruar edhe më shumë, Kid.

Dua të besoj se do të jetë djalë. Pa mendo një herë, Kid! Mishi i mishit tim. S’është e mundur që ai të mbetet këtu. Por në qoftë se do të, jetë vajzë… jo, s’është e mundur… Shiti gëzofët e mi; prej tyre mund të nxjerrësh nja pesëmijë; edhe një herë kaq është pjesa ime në shoqëri. Rregulloji punët e mia bashkë me të tuat. Mendoj se kërkesa jonë ka qenë e arsyeshme… por kryesisht, Kid, ai të mos kthehet këtu. Ky s’është vend për të bardhët. Unë e mbarova kullotën time, Kid. Nuk më mbeten veçse tri-a-katër ditë. Ju duhet të vazhdoni rrugën. Duhet të vazhdoni rrugën! Mos harro se është fjala për djalin… Oh! Vetëm djalë të jetë! Mos rrini me mua. Ju urdhëroj të largoheni. Plotëso dëshirën e një njeriu, që po jep shpirt!

– Lemë tri ditë afat! – u lut Mjellmjut Kidi. – Ndoshta përmirësohem; ende nuk dihet se ç’do të ndodhë.
– Jo.
– Vetëm tri ditë.
– Nisuni!
– Dy ditë.
– Është fjala për gruan dhe djalin tim, Kid, Mos m’u lut.
– Një ditë.
– Jo! Të urdhëroj!
– Vetëm një ditë! Do të bëjmë si të bëjmë për të ngrënë, ndoshta, mund të vras ndonjë dre.

– Ju!… E po mirë: një ditë, por asnjë minutë më shumë. – Dhe vazhdoi: – Mos më le të vdes vetëm. Vetëm një e shtënë, vetëm një e shkrehur çarku. Kuptove? Mos e harro këtë. Mos e harro!… Mishi i mishit tim, kurse unë nuk do ta shoh… Thirr Rufin. Dua t’i le lamtumirën… do t’i them që të mos e harrojë djalin e të mos presë derisa të vdes. Ndryshe, ajo, ndoshta, do të refuzojë të vijë me ty. Lamtumirë, mik, lamtumirë! Kid, qëndro… duhet gërmuar më lart. Atje kam nxjerrë çdo herë dyzet centi. Ja dhe një diçka tjetër. Ai u përkul fare, duke dashur të kapë kuptimin e fjalëve të fundit të të vdekurit, – fjalë që, mezi dëgjoheshin e prej të cilave kuptohej një farë pendimi.

– Më fal. Ti e di pse… për Karmenin.
Duke lënë pranë burrit gruan të mbytur në lot, Mejllmjut Kidi veshi gëzofin, mbathi skitë, mori armën dhe u fsheh në pyll. Ai nuk ishte fillestar në luftën me Veriun e egër, por përpara tij nuk kish qëndruar kurrë një detyrë kaq e vështirë. E, po të bëje një arsyetim me mend, të dilte një veprim i thjeshtë aritmetik – tri jetë kundrejt njërës, që kishte marrë fund. Por Mejllmjut Kidi e shkundi veten.

Nyjet e miqësisë së tij me Mejsonin qenë forcuar gjatë pesë vjetëve – në një jetë të përbashkët në udhëtime e ndalesa, në kërkime minierash, nëpër shtektime, në lumenj e shtigje, në rreziqe, që të sillnin vdekjen, të cilën ata e kishin hasur krah për krahu në gjueti, në uri, në përmbytje. Kaq e fuqishme ish lidhja e tyre, sa ai zuri të ndjente shpesh një xhelozi të turbullt për Rufin, që ditën e parë, kur ajo zuri vend midis tyre.

Ndërsa tani duhej ta bënte copë e çikë këtë lidhje me duart e veta. Ai kërkoi një dre, vetëm, një, por me sa u duk, egërsirat e kishin braktisur të tërë vendin, vendin, dhe në mbrëmje, i këputur, u kthye duarbosh e zemërthyer. Të lehurat e mbytura të qenve dhe thirrjet zemërçjerrëse të Rufit e detyruan të shpejtonte hapin. Me t’u afruar në vendin e qëndrimit, Mejllmjut Kidi pa se indianka po mundohej me sëpatë në dorë të largohej nga qentë, që ulërinin rreth saj. Ata e thyen zakonin tradicional të të zotërve dhe u sulën mbi rezervat e ushqimeve.

Kidi shpejtoi ta ndihmonte: duke vepruar me kondakun e pushkës dhe tragjedia e lashtë e seleksionimit natyral shpërtheu me gjithë egërsinë e saj primitive. Pushka dhe sëpata ngriheshin dhe binin në mënyrë ritmike, duke qëlluar herë në shenjë, herë pranë saj. Trupat elastikë hidheshin sa nga njëra anë në tjetrën, çonin me egërsi, jargët rridhnin nga turinjtë e skërmitur. Njeriu dhe egërsira luftonin me tërbim për të sunduar. Pastaj, të rraskapitur, qentë u tërhoqën mënjanë, larg zjarrit, duke lëpirë plagët e duke drejtuar nga yjet një ulërimë ankuese.

Tërë rezerva e peshkut të rreshkur ish zhdukur dhe në rrugën e mëtejshme prej dyqind e ca miljesh mbeteshin jo më shumë se pesë funt miell. Rufi u kthye te i shoqi, ndërsa Mejllmjut Kidi rropi një nga qentë, koka e të cilit qe shtypur me sëpatë dhe e bën copa-copa mishin, që ende s’e kish humbur ngrohtësinë. Copat i fshehu në një vend të sigurt, ndërsa lëkurën dhe të brendshmet, ju a hodhi qenve të tjerë, që pak më parë qenë shokë me të. Mëngjesi solli telashe të reja.

Qentë zunë të grindeshin midis tyre. Pastaj u sulën mbi Karmenin që vazhdonte të mbahej ende pas fijes së fundit të jetës. Goditjet e kamxhikut nuk dhanë rezultat. Qentë angullinin e binin për toke dhe nuk u shpërndanë, veçse kur nuk kish mbetur asgjë prej Karmenit – as kockat, as lëkura, as qimet.
Mejllmjut Kidi ju përvesh punës, duke përgjuar kllapinë e Mejsonit, që e shihte veten përsëri në Tenes, përsëri zhvillonte diskutime të zjarrta me miqtë e rinisë. Pishat ishin afër dhe Mejllmjut Kidi e mbaroi shpejt punën e tij; Rufi vuri re se si ai zuri të ndërtojë diçka si punë depoje, që e rregullojnë gjahtarët, duke dashur të ruajë rezervat ushqimore nga kunadhet dhe qentë. Përkuli majat e dy pishave pothuajse deri në tokë dhe i lidhi me rripa prej lëkure dreri. Pastaj zuri të goditte qentë me kamxhik, duke i detyruar të heshtnin i mbruhu në slitë dhe futi në të gjithçka, veç gëzofëve, në të cilët ish mbledhur Mejsoni.

Atë vetë e lidhi rreth e qark me rripa, duke i shtrënguar fort fundet e tyre në majat e pishave. Mjaftonte një lëvizje me thikën e gjahut dhe pishat do të drejtoheshin e do ta ngrinin trupin lart në ajër. Rufi dëgjonte pa u ankuar amanetin e fundit të të shoqit. Bindja ish një veti e natyrës së saj të shkretë. Që kur kish qenë vajzë, bashkë me femrat e tjera të fisit të saj, ish mësuar të përulej përpara sundimtarit të të gjitha qenieve të gjalla, përpara burrit, të cilin nuk ish e hijshme ta kundërshtoje.

Kur ajo zuri të puthte burrin, Kidi e la të lirë të shfrynte hidhërimin. – populli i saj nuk e njeh këtë zakon, – pastaj e shpuri te slita e parë dhe e ndihmoi të mbathte skitë. Ajo, kapi shkopin në një mënyrë mekanike, si e verbër, e tundi kamxhikun e, duke i nxitur qentë, u nis për rrugë.

Atëherë ai u kthye te Mejsoni, që i kish humbur ndjenjat e për një copë herë të gjatë, pas largimit të Rufit, qëndroi pranë zjarrit, duke pritur vdekjen e mikut e duke u lutur që ta merrte sa më parë. S’është gjë e lehtë të mbetesh fillikat me mendimet e hidhura midis shkretëtirës së bardhë. Terri që mbulon këtë shkretëtirë është më zemërdhembshur, ai sikur e mbron njerinë, duke e mbështjellë me pëlhurën e tij e sikur i vjen keq për të; transparenca dhe e ftohta e shkretëtirës së bardhë nën qiellin ngjyrë çeliku janë të pamëshirshme.

Kaloi një orë, dy, – Mejsoni ende nuk kish vdekur. Në mesditë, dielli, duke u ngritur mbi horizont, e ndriti qiellin me një ngjyrë të kuqe, por kjo nuk zgjati shumë e u shua. Mjellmjut Kidi u ngrit, mori zemër e u afrua drejt Mejsonit, duke vështruar përreth. Shkretëtira e bardhë sikur tallej me ta dhe atë e pushtoi frika. Ushtoi jehona e shkurtër e një të shtëne; Mejsoni u ngrit lart, në varrin e tij midis hapësirës, ndërsa Mejllmjut Kidi, duke fshikulluar qentë, u nis me të katra përpara, nëpër shtegun me dëborë.

ObserverKult

Lexo edhe:

XHEK LONDON: “PIRATI I MIDHJEVE” NGA FAMA E SHKRIMTARIT, TEK AKUZAT PËR PLAGJATURË