Çun Lajçi: Mirush Kabashi, atje te ti do t’vimë ne që të deshtëm…

I prekur me ikjen nga kjo jetë të aktorit të njohur, Mirush Kabashi është shprehur edhe aktori nga Kosova, Çun Lajçi.

Aktori Lajçi ka kujtuar një moment kur dy vite më parë ‘ia ndollën’ vdekjen Mirush Kabashit atëherë kur ishte më së miri.  

“Tash e dy vite ta ndollën vdekjen këta t’gjallët e vdekun, dhe sot tu paska ba boll me ndjellje ligësish, me art që s’ditën të ta konsumojnë, me jetën e rreme nga të rremit që ndjellin zi!. Dil andej Mirush, se atje do t’vimë ne që të deshtëm e do ta përfeksionojmë atë grimcë arti që s’arritëm ta ngrehim kurrë n’majen e duhun”,  ka shkruar Lajçi në llogarinë e tij Facebook.

Pas ikjes së aktorit Kabashi, Lajçi tha se tash e tutje do të thonë për të se ishte i madh, gjeni, yll arti i pashuar.

“Lamtumirë kolegu im, që në vitin ’98-të u munduem t’ia zbusim dhimbjen Kosovës – ti me Kosovarin e Mitrushit unë me Plisin e Çunit!”, ka shkruar më tej Lajçi.

Ndryshe, i ndjeri Kabashi ka disa vite që po vuante nga një sëmundje e rëndë derisa ditëve të fundit kishte qenë i intubuar për shkak gjendjes shumë të rëndë.

ObserverKult


Lexo edhe:

BUQETË POETIKE NGA KUJTIM PAÇAKU: KUR DASHURON NJË ROM

“Kur dashuron një rom”, ObserverKult ju sjell një cikël të zgjedhur poezish nga Kujtim Paçaku.

SI BËHET KËNGA ROME

Merre një grusht dhimbjeje
Shto ca pika loti!
E pak pluhur rrugësh të pasosura
Pak aromë stinësh të harruara
Në fund
I shton erëza djegëse dashurie
Dhe i hedh ca yje përsipër
Dhe e lë të piqet
Të piqet në zjarr të shpirtit
Deri në agim…

URIA

Vaji i fëmijëve nuk ka të ndalur
As këtë mbrëmje
Aroma e gjellës së fqinjit
As sonte nuk iu ngop barkun
Kur zemra ka acar
S’ka pranverë që mund ta shkrijë…


KËNGË E ZEZË

Nënë, ku i kam vëllezërit?
I kanë vrarë!

Po babai ku është, nënë?
Nuk u kthye!

As qeni i shtëpisë nuk dëgjohet!
E helmuan!

Nënë, këndoma një këngë!
Zëri më është shterrë, o bir!

Më jep pak bukë, nënë!
Nuk kemi as edhe një dromcë!

E ç’do të hamë sonte, moj nënë?
Do ta kafshojmë dhimbjen tonë
Dhe do të dehemi me lotë.

Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult