Çun Lajçi: Ne jetimët e Iliridës

Dardani,
Ne bijtë tu, t’Vilajetit t’vjetër,
Kërçovë, Dibër, Gostivar që harrua na ke,
andrra kishim me i marrë nuset me duvakun e kuq,
n’odat tua t’gurit frengji plot,
tupanat me i shkye tue i rreh e kambët me i thye tue kcye…
“Dy tupana n’derë të kullës” me knua Grykës Kaçanikut,
zani me shkua para nesh fushës Pollogut,
Radika m’u çua n’kamë me i shalua atllarët,
koburet me i zbrazë me i thirrë Xhemë Gostivarit,
dilni po vinë krushqit me Teutën dardane,
Ilirida po bahet nanë me nipa Drenice,
e kangës me ia thanë Tre-Zajazi,
e tokës me i shkua gjamë…

Dardani!
ne bijtë tu t’Pellagonisë,
t’harruem prej teje e nanëmadhes Shqipni,
bukën hangër e kemi hambareve tua,
kokat mbushë i kemi dije, e zemrat atdhedashuni,
me fjetë qejf kemi pasë n’konakun e Buletinve,
n’rranzë t’Çyçavicës me marrë Shota,
veshun n’tirqit galana,
Azema me rritë n’Iliridë me kobure dardane,
Pse i le jetimë Kosovë, bimët tua t’vilajetit t’vjetër,
që andërr kishim fushave tua me vdekë,

Pse na harrove!

Dardani, 30.05.2020