Çun Lajçi: S’e kam nga skamja lum miku!

Nga Çun Lajçi

– Ti s’e ke vendin këtu! Ti s’duhet të jeshë i krrusun! I përkulun! I përvujtun! I vetmuem s’guxon të jeshë!

Nji tjetër mund t’jetë mbi ket stol por ti jo!

Mund të jetë ministri, deputeti madje edhe kryeministri, por Ti, ai plisi i mbushun me dhe Kosove, që n’kohë lufte na jepje shpresë e besë; – se toka nuk shitet, duhet të jesh në skenë! Vertikal! Madje i ndriçuem me drita të purpurta. Me rreze dielli i flakruar! I shoqëruar me simfoninë e 9 të Betovenit!

Flet e flet mërgimtari i përmalluem e me sytë e vegjël me zhbiron anë e përtej! Ma ve dorën mbi supe. Me merr në parzëm si fëmiun e vet! Më përqafon! Pastaj më largon nga gjoksi e m’shikon gjatë e gjatë! I ngashëryem me skenën e shitësit nuk u beson syve, ndaj flet e flet e nuk i zbrazët kurrsesi dëshpërimi!

Unë qeshi ambël. Ia marr dorën dhe e bajmë shqiponjën! Gruas që e shoqëron i them; – na fotografo që ta kemi kujtim nga ditët e shitjeve të mëdhaja! Dikush toka dikush libra!

Flas e ambël qeshi. Ndoshta s’me del gazi nga zemra si dikur, por qeshi që t’pakten të dukem i lumtun!

Pastaj e marr nji libër nga kuferi dhe ia firmos! E pasi ta kem shënua datën e vendin ia dhuroj!

-Merre mik, merre, se dije po shes, dije! Jo lakna! Shkronja vetmie. Mall e dhimbje! S’po shes shtalba të ziem a t’pjekun! As të vjedhun n’arën e huej.

E kam shkundullua rradakën fort e fort e vjelë e kam shpirtin me pikë, për t’qenë ai që isha e ky që jam!

Mësohu tash e tutje ta shikosh edhe plisin edhe dheun edhe artistin tue folë me libra rrugëve. Dhe hapi veshët se ato fjalë s’do ti dëgjosh as në teatrot ma t’famshëm që ka Evropa!

-Rruga m’ka sjellë n’teatër e rruga m’ka çua të filmi! Tani, po ato rrugë po më kthejnë te livadhet e shkronjave e po kullos dije e dijen po e vë n’letra!

Që kur u krijua njerëzimi lindi edhe shitja edhe blemja! Dikush duhet të shes libra, dikush lakëra e dikush thasë gruni. S’asht poshtnim kur ke çka me shitë e kur ke çka me ble!

-S’e kam nga skamja lum miku! E kam nga dëshira që t’iu tregoj se si jetohet nga djersa edhe kur plakësh. Se si duhet të jesh qendrestar e dinjitoz deri n’frymën e fundit!

-S’e kam nga skamja lum miku! E kam nga dëshira që t’mos harrohem kush isha e kush mbeta!

Ai s’duroi ma shumë! U përlot dhe iku me librin tim nën sqetull!

ObserverKult


Lexo edhe:

ÇUN LAJÇI REAGON ASHPËR PAS LAJMEVE PËR VDEKJEN E MIRUSH KABASHIT

Aktori ynë i njohur, Çun Lajçi, nëpërmjet një postimi në Facebook ka reaguar pas lajmit të rrejshëm që doli dje në disa media, dhe të cilat lajmëruan se aktori i njohur shqiptar, Mirush Kabashi ka ndërruar jetë.

Ky lajm u demantua nga të afërm të aktorit Kabashi. Duhet përmendur se kjo është hera e dytë që Mirush Kabashi shpallet i vdekur nga disa media.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult