Çun Lajçi: Shkova… po nana ishte n’varr e mbulueme me borë…

Çun Lajçi (1946, Drelaj – Rugovë) ka kryer studimet e larta për aktrim në Prishtinë. Punoi me shumë sukses në Teatrin Kombëtar të Kosovës nga viti 1970 deri më 2011, kur u pensionua.

Lajçi tashmë lirisht mund të konsiderohet si një shkrimtar i suksesshëm. Ai deri tani ka botuar disa libra, ndër ta edhe “Bekimi i plisit të Moisiut” (Copëza jete).

“Çun Lajçi synon të na përshkruajë me ndershmëri dhimbat e veta, të cilat janë konkrete, veprojnë atje ku ther më fort, mbi nervat e tij. Këto dhimba përbëjnë realitetin e jetës së tij. Vetëm nga kjo pikëpamje ky libër mund të përqaset disi me memuaristikën, duke e pranuar shënimin “copëza jete”. Për më tej, kjo prozë paraqitet si letërsi e mirëfilltë artistike, një lloj romani pikaresk i treguar në vetën e parë për arsyen e pastër se protagonist i romanit është vetë narrator”, pati shkruar për këtë libër shkrimtari i njohur, Besnik Mustafaj.

Sipas tij, protagonisti i këtij libri ka, një ekzistencë të dyfishtë.

“Ai është de facto, aktori i shquar Çun Lajçi, njëherësh është edhe personazhi strumbullar i një romani. Për një zanatçi të shkrimtarisë do të kishte qenë problematike gjetja e pikës së vështrimit të ngjarjeve, në mënyrë që këto dy ekzistenca të ushqejnë njëra – tjetrën për t’u shkrirë në një dhe jo të rivalizojnë duke gërryer njëra – tjetrën”. 

ObserverKult në vazhdim do t’ua sjellë një fragment të shkëputur nga ky libër:

Çuni, Hamleti dhe nana e vdekun


Kallnori i viti 1972. Ora 19.
Në zhveshtore po bahesha gati me dal n’skenë. Salla ishte mbush përplot spektatorë. Ishte nji ringjallje e madhe, nji interesim i jashtzakonshëm i publikut për film e teatër. Si duket ardhja e Azem Shkrelit si drejtor, kishte ba revolucion.

Edhe punëtorëve të minierës së Obiliqit u kishte dhanë libreza për shfaqje. E t’mos flasim për organizatat tjera e për studentë.

Atë natë po luhej “Hamleti n’podrum”. Shfaqje tepër avangarde për kohën e nji regjizoreje malazeze nga Beogradi, e cila fillimisht e kishte inskenua në “Atelenë 212” në Beograd. Stafi i aktorëve ishte krejt i ri, sapo të diplomuem. Ishte Xhevat Qorraj, Ajshe Ramadani, Dibran Tahiri, Adem Mikullovci dhe unë. Ishte edhe Jusuf Gërvalla si pëshpëritës dhe si kitarist që e përcjellte me muzikë shfaqjen.

Unë isha Hamlet i veshun me xhinse, gjysë lakuriq me nji kunorë mbreti në dorë dhe me nji zinxhir n’qafë. Elementet e nji Princi dhe të nji Mbreti.

Po koncentrohesha para pasqyrës, kur u fut portiri me nji telegram n’dorë. Ma dha por s’më foli, iku menjiherë.
E hapi dhe lexoj: “Sot të vdiq nana. Nesër varrimi. Ngushëllime!” Sabria.

Lotët më pikuen n’letër. Heshta. Kurrkujt s’i fola. Si t’ua prishi andrrat kolegve, thashë, si t’i them publikut shkoni se nuk ka shfaqje sepse mua m’ka vdek nana. S’deshta me prish shfaqjen andaj e përbina dhimbjen e heshta.
Inspicienti i skenës, Basri Çitaku, nji punëtor I jashtzakonshëm thërret: aktorët n’skenë.

Mora frymë thellë e thashë: më fal nanë që shikuesit s’do ta dinë se ti ke vdekë. Do ta luej Hamletin tue qa, jo për Ofelinë, por për Ty nanë e nuk guxoj të derdhi lot, se Princ i Elsinorës nuk më lejon.

Mbas shfaqjes regjisorja Caca Aleksiq më çoi me taksi n’Fushë Kosovë dhe ika me tren për Pejë. Nji herë hina nji kafehane m’u nxe. S’më kujtohet të kem hangër diçka. Binte borë e trashë. Vendosa mos me fjet dhe n’mesnatë u nisa kamë grykës, por rruga ishte mbulue me borë dhe menzi i shtërrnoja kamtë.

Kur mbrrina n’tunelin e parë fillova m’u ngri. Duert më nirthshin shumë. S’dijta tjetër pos që i hoqa çora pët dhe i futa duart me i ngrohë.

Dridhesha nga t’ftoftit e frika nga gryka mbulua n’mjegull e borë. Tue kqyr tunelin m’u kujtua Mustafë Smajli. Ai shpesh na kishte tregua se si njiherë mu n’at tunel i kishin dal dreqnit me surla e tupana dhe e kishin mundua për vdekje. Isha 22 vjeç dhe fillova m’u tutë.

Thashë: unë mund të vdes sonte nga ortiqet, po po, se dimnit shpesh e kan nxanë grykën edhe njerëz kanë mbytë. Bile n’at moment m’u kujtua vllau i Tahir Fetahut, ai Rama që ishte mirëmbajtës i rrugës dhe ate e pat nxanë orteku. Thashë më nxen edhe mua e nuk do t’mbrrijë nanën n’tabut te vorri me pa.

U ktheva n’Pejë tue kjajt. E mora nji dhomë t’lirë në hotel Korzo dhe veç u nxeva se gjumë n’sy nuk shtina. Nana m’shtihohej: S’erdhe bre, m’thojke, kurrë me m’pa!

Heret u nisa grykës Rugovës.

Mbasdite n’Drelaj dola, por nana ishte n’varr e mbulueme me borë!

*Shkëputur nga “Bekimi i plisit të Moisiut” (Copëza jete), botuar nga Buzuku.

Çun Lajçi ka një karrierë të pasur aktori, duke luajtur mbi njëqind role në teatër, film, drama dhe seriale televizive. Është vlerësuar me shumë çmime në festivale të ndryshme të teatrit dhe të filmit.

Më 2011 është dekoruar me “Medaljen e Mirënjohjes” nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, më 2012 me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës ndërsa më 2017 është nderuar me titullin “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Ndër rolet më të realizuara: Kaligula (Kamy), 1972, për të cilin rol edhe u shpërblye me Çmimin e Parë në festivalin republikan, “Hana prej letre” e Mehmet Krajës (2007), rol i nderuar me Çmimin e Parë në festivalin ndërkombëtar të teatrit “Prishtina Festival”. Laureat, ndër të tjera, i Çmimit të Parë në Festivalin e Fierit (si dhe në Festivalin e Dibrës) me “Përplasjet” e Ekrem Kryeziut (2008), në Tetovë, Çmimi i Parë me “Grafitet” e Mehmet Krajës (2015)…

E përgatiti: A. S- ObserverKult


Lexo edhe:

ÇUN LAJÇI: NANA PËRMALLOHET- SHKON TË VORRET ME PUTHË MESËN…