Nga Çun Lajçi
Mbahu edhe ket ditë se nata t’përpinë e nuk t’zbardhë me pa rrugën deri të shtegu i vetmisë!
Rrehe gjoksin! Baja gjamën vetvetës si Leka atij Gjonit t’madh! Nxjerre përjashta ofshamën se nuk i dihet të nesërmes e t’sotmes mos i beso se ajo ikë si t’bjen terri!
Mund t’fleshë e t’mos zgjohësh e mbesin ditët e shkurta pa i vajtua.
Rrehe gjoksin, gërvishte f’tyrën! Me shputa randoje tokën edhe sot për dje, edhe nesër për sot, se dielli kur t’bahet i remtë, o bjen borë o frynë erë e trupi thehet prej degëve e degët palohen njena mbi tjetrën tue u kalbë n’dushkun e vet!
Mbahu edhe ket’ ditë ti që u theve dje, ti që u rrëzove sot n’dhimbjen që do t’vazhdoi edhe nesër. I thashë vetës kur pushova mbi varrin e bimës sime!
Po t’baj randë mbi eshtna, mbi shpirtin tand po t’baj randë, i thashë, por s’po mundem m’e pa vetën tue u luhatë.
Dhe u ula n’rrasën e varrit që m’pret me ia puthë hijën bijes sime. Atëherë mora frymë thellë e nji tisk i hollë muzgu m’ra mbi fytyrë. Ma tërhoqën vemendjen gjethet e pemëve që loznin mbi varret e heshtuna. M’folen ato apo i fola unë vetës, si ta di, kur ofshama ime u përzi me shushurimën e gjetheve t’thame.
Gajret duhesh me ba kur zhveshësh durimit! Kur t’mundin dhimbjet n’palcë! Kur malli t’bahet i kuq si qielli n’muzg! Të tjerve tregoju si jetohet me dhembjen e si ecët me kujtimet e mira që ikin e s’t’marrin me vete! Që kthehen e s’t’numërojnë ndër të gjallët!
I fola gurit se ai e ka durimin e shekujve e nuk thermohet ofshamash.
Vetën e kurseva. Thashë duhet me pi ujë n’vadën e ditëve që sosën, e nuk me çojnë kambët deri të shtegu ku ndahet e sotmja me të nesërmen.
Mbahu edhe ket’ ditë se ajo tjetra s’dihet si vjen e djali duhet me hangër bukë n’sofrën e miqve, pa e zhdjergë ballin mbi vetulla e vetullat mbi qerpik!
Po eci edhe sot i thashë gurit t’varrit, kur u nisa, por mos me prit nesër se moti po nd’rron e mund t’bie borë e mund t’me rrëshqasin opingat kur t’zbres sokakut e nuk mbërrijë m’u ulë mbi ty e me folë me shpirtin e asaj që rri mbrenda teje!
I lig isha dje. Si korb m’u duk’ vetja ndër varre!
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇUN LAJÇI REAGON ASHPËR PAS LAJMEVE PËR VDEKJEN E MIRUSH KABASHIT
Aktori ynë i njohur, Çun Lajçi, nëpërmjet një postimi në Facebook ka reaguar pas lajmit të rrejshëm që doli dje në disa media, dhe të cilat lajmëruan se aktori i njohur shqiptar, Mirush Kabashi ka ndërruar jetë.
Ky lajm u demantua nga të afërm të aktorit Kabashi. Duhet përmendur se kjo është hera e dytë që Mirush Kabashi shpallet i vdekur nga disa media.
Postimi i plotë i Çun Lajçit
Mirush!
Je Kabash ti dhe e dinë se banë gjithçka e çon randë, prandaj turrën si mizat n’m… e ta thërrasin vdekjen tash e dy herë, ca mjeranë që lekun e kanë babë e nanë!
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult