Çun Lajçi: S’kam harrua me t’shkrua, Mirake moj…

S’kam harrua me t’shkrua, Mirake moj,
vetëm vonua, se harrua s’kam!
Shumë muej janë ba, pa vu shkronja n’letër,
tri vite që s’rreshta tue ardhë me puthë,
fotografinë tande n’gur,
të tbani n’Drelaj!
Tri vite që kthehem n’Prishtinën e mbytun n’tym,
n’Kurrizin e fëminisë sate, rrudhës sime, i thyem mallit,
gishtat tue i thye, tue u mundua më shkrua,
për vetminë time, mungesën tande!

Jo, s’kam harrua me shkrua Mirake, por mujt s’kam,
se gërrye m’ka mërzia për zanin tand.
Ulë jam n’kafën Korner, jo pse deshtë e kam,
ma shumë se tjerat, por me gjetë hijën tande,
tue m’pritë mëngjeseve, me Ninon, si dikurë,
e s’t’kam gjetë, e me t’kallxua kam dashtë
për Dushkun e mjerë, që vdiq tue ecë n’dy shtaga!

Me t’kallxua kam dashtë, për qenushin Nino,
që iku nga Jonida, u zhduk arave, tue lyp hijën tande.
Me t’kallxua kam dashtë, për shkumjet e mia,
me libra, rrotull botës, derisa vorrin granit ta bana!

Tri vite janë, tri, t’pa sosuna, pa fill e fund,
që shtrydhin zemrën e pikojnë vetëm dhembje,
që hy e dal n’dhomën tande e flas me ty!

S’kam harrua me shkrua moj, as ty s’të kam harrua,
por ernat m’kan bajtë rrugëve, rrudhat pluhun mbushë,
sytë m’i kanë mjegullua, e pa s’i kam shkronjat me i vu n’letër!
Po Bubë, edhe unë përtej vonesës, u bana si ti,
përgamenë e djegun!