Dafina Buçinca: Ëndërr

Edhe atë natë të vonë po qëndroja mbi tavolinë. Abazhuri ndriçonte sipërfaqet e letrave të shpërndara gjithandej.

Kishte disa ditë që përpiqesha të shkruaja një tregim të shkurtër me të cilin do të paraqitesha në një festival letrar. Ishte hera e parë që do të merrja pjesë në diçka të tillë e kjo më emociononte fort. Por, si për dreq, asnjë fjalë nuk më vinte në kokë.

Nga kompjuteri vinte drejt veshëve të mi melodia e një kënge të lehtë dashurie. Teksti kishte të bënte me një vashë që e vizitonte një artist. Fjalët e këngës më futeshin në mendje, kurse unë bëja vija në letër.

Kisha mbështetur faqen e majtë mbi tavolinë. Ndieja flladin e drurit… për flladin pranveror fliste kënga… vasha e artisti pranë një lisi… pastaj ajo shtrirë në atelie, ai duke e pikturuar trupin e saj të bukur… qepallat uleshin e ngriheshin ngadalë…

…Ajo po qëndronte përballë studios  së tij. Ishte e veshur në të zeza. Palltoja e gjatë, e puthitur për trupi, i arrinte deri te gjunjët, duke ia theksuar këmbët e drejta. Beli i saj i hollë shtrëngohej nga një rrip i gjerë, lidhur shtrëngueshëm. Flokët e gjata, ngjyrë gështenjë, të valëzuara, hedhur pas shpine, i kombinoheshin me ngjyrën e syve. Në dorën e djathtë mbante cigaren e ndezur, të cilën, herë pas here, e thithte fort. Vazhdonte të bënte ecejake nëpër trotuar duke mbajtur shikimin kah studio e Shkrimtarit. Shikimin ia ndërprisnin herë pas here makinat që kalonin në mes të rrugës. I dukej se kalimtaret e heshtur që ecnin nëpër trotuar po ia dëgjonin të rrahurat e shpejta te zemrës. Këmbët i dridheshin lehtas. Nuk e kishte takuar kurrë më parë Shkrimtarin, por, meqë kishte lexuar çdo libër e shkrim të tij dhe çdo gjë që ishte shkruar për të, ndihej sikur e njihte prej kohësh. Ngrehu edhe një herë fort një tym nga cigarja, duke e lëshuar mendueshëm jashtë mushkërive. Tymi që doli nga buzët e saj të holla e të kuqe u shpërnda shpejt në ajër.

Nxori telefonin nga xhepi i palltos, afroi gishtin e madh, e preku ekranin dhe telefoni u hap. Kaloi shpejt ne faqen e tij të dytë, aty ku ndodhej ikona e emailave. Katrori i kaltër me një zarf të bardhë në mes, më sipër numri një me ngjyrë të kuqe. Kuptoi se porosia kishte arritur nga Shkrimtari. Hodhi bishtin e cigares në trotuar, meqë nuk kishte vërejtur vend adekuat për ta hedhur, e shkeli me këmben e djathtë dhe klikoi mbi emailin e ri. I dridheshin duart. Si për inat letra nuk hapej dhe një rrotë e vogël që lëvizte atje sipër lajmëronte se interneti ishte i dobët. Mbylli telefonin. Me nervozë e hapi përsëdyti duke klikuar prapë mbi letrën e fundit.  Rrota lart u soll edhe disa çaste që iu duken shumë të gjata. Kur letra më në fund u hap, arriti ta lexojë atë që shkruante aty. Një fjalë. E shkurtër. Tri shkronja: Eja! E nervozuar nga koha që iu duk se e humbi kot dhe me zemrën që i dridhej përherë e më tepër, filloi të lëvizë drejt studios së Shkrimtarit.

Ajo vazhdonte të ecte mendueshëm, thuajse po shkonte ta takonte Zotin, ose, së paku, Djallin. Kur iu afrua derës se studios së tij, u ndal, mori frymë thellë. Iu duk se zemra i doli nga trupi dhe iu përplas mbi pllakat e korridorit. Ndjeu dhimbje. Vazhdoi të mbante frymën dhe me dorën që i dukej se nuk ishte më e saj, kapi dorezën e derës. Dëgjoi një melodi që vinte nga brenda. Ishte Beethoven ”Für Elise”. Melodia e saj e preferuar depërtonte lehtë nga studio duke u shpërndarë në hapësirën përreth saj. Disa tinguj i depërtuan ngrohtësisht edhe në zemër, sikur e qetësuan. Vetëm Shkrimtari e dinte se ajo ishte melodia e saj më e pëlqyer. U ndie e dashuruar. Qëndroi ashtu derisa tingujt e Beethovenit po i afroheshin fundit. Pak para se të mbaronin, mblodhi krejt forcën që i kishte mbetur dhe, duke mbajtur dorën e majtë në dorezën e derës, me të djathtën trokiti lehtë. Heshtje! Asgjë! Por, ai tha ‘Eja’, foli ajo me vete e shqetësuar edhe më tepër. Më në fund u dëgjua zëri i tij i thellë: Hyr! Ajo hapi derën ngadalë që lëshoi një tingull të çuditshëm. Dera ishte e vjetër, nga druri i vërtetë, e lyer me ngjyrë të hirtë.

Para saj u shfaq një dhomë gjysmë e errët. Nga perdet e lëshuara depërtonin zorshëm disa rreze dielli. Pikërisht në ato çaste filloi një tjetër melodi, e njihte edhe atë, ishte Vivaldi, “Stravaganza”. U drodh tërësisht, iu duk se u shkoq nga dyshemeja. Pastaj nuhati me kënaqësi aromën e njohur për të. Ishte aroma dehëse e librave që qëndronin grumbull mbi tavolinën e tij të punës. Pirgje gjithandej, edhe poshtë saj, te këmbët, në vitrinën e madhe që mbulonte muret e studios. Librat mbi tavolinë dukeshin sikur të hallakatura, disa ishin të hapura, disa të shkarravitura me laps, të tjera të kthyera mbrapsht, të ndara në mes. Përtej grumbullit të madh të librave vërejti sytë e Shkrimtarit që vezullonin në atë gjysmë errësirë. U shikuan një copë herë, pastaj ai u ngrit mendueshëm nga karrigia. Me hapa të ngadaltë, të kujdesshëm, gjithnjë duke e shikuar ngultas në sy, tepër serioz, Shkrimtari iu afrua. Pak para se t’i bashkonin duart, atij i shpëtoi një buzëqeshje dhe i ndryshoi fytyra. Sikur i ndriçoi diçka nga brenda. Dukej i lumtur.

Ajo kishte mbetur si statujë e ngulur në mes të dhomës duke vështruar me habi atë figurë që iu shfaq përpara, që ndryshoi aq shpejt nga një gjendje në tjetrën. Përpara e kishte Shkrimtarin, me të cilin kishte ëndërruar kaq shumë të takohej. Ishte ai që e kishte intriguar, e kishte futur atë në një botë te panjohur për të deri më atëherë. Ai i cili kishte pasur aq shumë ndikim në jetën e saj. Ai i cili për të ishte një derë e hapur që ia mundësonte të dilte nga monotonia mbytëse e përditshmërisë.

Të të them se qenke shumë e bukur tingëllon klishe. Heshti pak, e shikoi edhe një herë në sy, lëpiu buzën e sipërme me gjuhë dhe asaj iu duk se iu afrua te veshi, i pëshpëriti ngadalë: Të ka thënë ndokush që ke fytyrë kaq frymëzuese… Por, ai ishte tri metra larg dhe tashmë po ia bënte me dorë të ulej. Ishin tri karrige të vjetra, por aso me stil, të punuara bukur dhe një tavolinë e vogël rrumbullake në mes tyre. Kafe apo diçka tjetër? Kafe, tha ajo. Shkrimtari kapi telefonin dhe thirri në kafenenë që ishte dy kate më poshtë. Ai e kishte studion në banesën e tij të madhe, në një ndërtesë shtatëkatëshe, ku jetonte i vetmuar. Ajo nuk do të guxonte ta pyeste pse jetonte i vetmuar, por ky mendim vazhdimisht e ngacmonte. Ashtu siç e ngacmonte mendimi tjetër, që filloi t’i krijohej posa fytyra e Shkrimtarit iu afrua. Ai ishte i buzëqeshur. Fytyra e tij e buzëqeshur e habiste. Sepse nga letrat që ai ia kishte shkruar, ajo kishte krijuar përshtypjen se ai ishte njeri i ashpër, i ftohtë, pa ndjenja, dhe se zemrën e tij e përbënte një ftohtësi jo njerëzore. Bile kishte pasur drojë ta takonte nga frika se ai mund ta lëndonte. Ajo mundi frikën për pak kohë dhe ia nguli sytë Shkrimtarit, që mbante telefonin te veshi, duke pritur. Iu duk se përmes syve të tij depërtoi deri te zemra e tij. Zemra e tij ishte një copë e madhe akulli, nuk arrinte ta prekte, por shihej që ishte shumë e ftohtë. Nuk u zmbraps, qëndroi edhe pak, u soll rreth e rrotull atij akulli dhe në fund pa një pikëz, një si plasurinë. Ia mësyu plasurinës. Hyri në të dhe pas një udhëtimi të gjatë nëpër një bardhësi që t’i merrte sytë, depërtoi në thelbin e akullit. Midis akullit e gjeti një zjarr të madh, të ndritshëm, që digjej përjetësisht. U përpoq t’i afrohej, por nxehtësia ishte e madhe, ishte aq e fuqishme saqë asaj iu duk sikur u tret në të. U dogj tërësisht. U zhduk. Një pyetje e Shkrimtarit e nxori nga mendimet: Çfarë kafe do? Një makiato të rëndë pa sheqer, të lutem.

Shkrimtari përcolli porosinë në anën tjetër dhe e lëshoi telefonin, duke mos i hequr sytë asnjë sekondë nga ajo. Ajo e ndiente këtë shikim të tij dhe një nxehtësi i kaloi nga gjoksi në fyt dhe përfundoi në fytyrë. U ndje në siklet, por njëkohësisht mundohej ta kuptonte se çfarë po mendonte Shkrimtari. Nuk foli, vetëm e ktheu fytyrën e shikonte në dysheme, e skuqur. Por, e ndiente shikimin e tij edhe ashtu. Pas disa çasteve e ngriti sytë dhe vështronte librat me kureshtje. Shkrimtari, duke parë kureshtjen në sytë e saj, i tha se mund ta shihte studion e tij, t’i shfletonte librat. Ajo ngurroi një copë herë, pastaj, me një buzëqeshje të lehtë që e shoqëronte gjatë gjithë kohës, iu afrua librave, hapi dyert e vitrinave, hulumtonte, e mrekulluar. Filloi t’i prekte kopertinat një nga një. Kur sytë e saj ndeshën disa nga titujt që ajo nuk po arrinte t’i gjente nëpër libraritë e qytetit, lëshoi një klithmë gëzimi. Ah ti i paske! Ajo klithmë arriti deri ne veshin e Shkrimtarit, e lëkundi nga vendi, ai u ngrit ngadalë… Asaj iu duk se Shkrimtari po i afrohej si hije dhe, si për t’u mbrojtur, nxori nga rafti “Komedinë hyjnore”, botim i vjetër, faqet e librit ishin zverdhur, e hapi dhe afroi fytyrën. E nuhati aromën e vjetër. Iu duk se zjarri i ferrit ia përshkoi faqet, por më shumë se dhimbje, ndjeu kënaqësi, të një lloji të pa përjetuar më parë.

Shkrimtari tashmë ishte fare pranë saj: Nuk kam takuar kurrë më parë një lexuese të tillë, tha ai. Pastaj heshti. Merre cilin libër të duash! Zëri i tij e trembi, ajo mbylli librin me rrëmbim, flaka që iu duk se u shkëput nga libri mbeti në hapësirën para fytyrës së saj e donte ta gëlltiste. Përveç se mund ta marrësh secilin libër që dëshiron, unë do të të dhuroj edhe të gjithë librat e mi me nënshkrim, vazhdoi ai me zërin që tingëllonte edhe më i thellë.

Kur librat kaluan nga dora e shkrimtarit në duart e saj, asaj i vezulluan sytë me një dritë shkëlqyese që i dilte nga shpirti duke reflektuar në tërë qenien e saj. Drita që e mbështolli e la shkrimtarin të hutuar. Ajo u ul dhe hapi një nga një librat, i shikoi me plotë dashuri, thuajse në dorë mbante thesarin e gjithë botës. Kështu i quante ajo librat. Thesare. Preku një nga një shkronjat e shkruara nga dora e shkrimtarit si dedikim asaj duke i ledhatuar ato ngrohtësisht. Shkrimtari sikur e kuptoi si ndihej ajo, u mallëngjye, sytë i shkreptinin. Ritualin e prekjes së fjalëve dedikuese të Shkrimtarit ajo e vazhdoi me të gjithë librat e dhuruar nga ai.

Njerëzit si ti janë në zhdukje, tha ai dhe uli kokën. Ajo e kuptoi se ai e dëshironte. Iu kujtua një shprehje e tij, në njërin nga romanet. Mbase ajo i dukej sikur ato fluturat e bukura që kënaqesh duke i shikuar, por ke frikë që nëse e zgjat dorën drejt tyre për t’i prekur, i lëndon.  Ndoshta për këtë nuk më prek, guxoi të mendonte. Je tepër e ëmbël. Kjo fjalë i rrëshqiti shkrimtarit si pa dashje nga goja. Është një ëmbëlsi e qenies sate, diçka e hollë, e kulluar, që të vjen drejt e nga shpirti. Ti je Hyjneshë! Tha kështu apo m’u duk, foli ajo me vete. Ngriti sytë nga faqet e librit, qeshi, një e qeshur që i doli nga thellësia e shpirtit. Nuk arrinte ta fshihte nga sytë lumturinë që i fali kjo fjalë.

Iu duk se prapë po shkoqitej nga dyshemeja e po shpërndahej në tërë studion e Shkrimtarit. Donte të futej edhe në librat e tij. Donte të hynte edhe në dorëshkrimin e romanit më të ri të tij, që qëndronte aty mbi tavolinë. Nuk e mori vesh si, por tashmë gjendej ulur në karrigen e tij dhe filloi ta shfletonte dorëshkrimin. Ndeshi edhe me fjalën Hyjneshë. Vërejti edhe sytë e saj aty. Pa edhe trupin… të zhveshur… edhe flokët mbi çarçafin e bardhë… pa edhe atë, duke e shikuar, ulur në karrige, te këmbët e shtratit, disi i mërzitur, duke pirë duhan.

Shkrimtari e lejoi ta shfletonte edhe më tutje dorëshkrimin e tij. Gjë e rrallë kjo, sepse nuk e lejonte askënd që t’ia shihte shkrimet derisa botoheshin. Ajo vazhdonte të lexonte, të futej thellë e më thellë, e gjente veten nëpër radhë, të gëzuar, të mërzitur, të humbur, të dashuruar e të hutuar… Dera kërciti fort dhe brenda në studio u fut Shkrimtari, me dy kafe në duar. E shikoi me nervozë. Vetullat iu ngrysën, kurse sytë e tij e shpuan. I la kafet  mbi tavolinën e vogël rrumbullake, por nuk tha asgjë. Ajo u mundua të arsyetohej pse ishte ulur në karrigen e tij dhe po shfletonte dorëshkrimin e romanit. Dridhej. Fytyra iu zvogëlua nga frika. Nuk arriti të ngrihej, u mbështet, lëshoi supet. Shkrimtari u afrua, u ndal anash saj. Asaj iu duk se po ia nuhaste aromën. Ke një aromë të hollë e shumë ngacmuese, tha ai. Është parfumi. Jo, pothuajse bërtiti ai. Është aroma jote. E ndiej që larg. Qenia jote lëshon një aromë shumë tunduese… më fal, por… Ajo uli kokën dhe mori frymë thellë.

Papritur iu duk se ai e puthi në supin e krahut të djathtë. Puthja tij ishte aq e nxehtë e plotë ndjenja, saqë ajo nuk duroi, ktheu kokën, i ktheu edhe puthjen, madje edhe më fort. Ia fali plotësisht buzët, kurse ai ia futi gjuhën në gojën e saj. E ëmbël, tha prapë kur u shkoq nga buzët e saj, pastaj e kafshoi lehtë në buzën e poshtme, ajo klithi nga kënaqësia. Ai e tërhoqi edhe më afër vetes. Ajo ndjeu eksitimin e tij. Ai vazhdonte ta puthte me afsh duke e shtrënguar me dorën e majtë në pjesën e prapme, teksa me të djathtën po ia hiqte rrobat. Pas pak u shtrinë aty nën tavolinën mbi të cilën rrinin grumbull shumë libra. Nga lëvizjet e tyre  disa libra ranë në dysheme…  

…Ngrita kokën më rrëmbim dhe e godita abazhurin. Ai ra në dysheme. Ndriçimi prekte tavanin. Erdha në vete. Kisha fjetur mbi tavolinë. Kisha parë një ëndërr të hidhur e të ëmbël. Ndjenja e fajit filloi të më gërryente aty për aty. Por, isha në studion time. Larg. Shumë larg. Në fletën e bardhë ku po bëja skica pak më parë, vërejta të vizatuar një copë akull. Brenda akullit një flakë.

Kapa abazhurin dhe e vendosa mbi tavolinë. Shova dritën dhe me kujtimin për ëndrrën shkova në shtrat./ ObserverKult