Dafina Buçinca: Vdekja nuk mund të kishte fytyrë tjetër…

Fill pas ngrënies së mëngjesit, ende pa u ngritur sofra, Baba ia zgjati Drenushës dhjetë marka gjermane. Të gjithë, duke përfshirë edhe Nanën, mbetëm gojëhapur e me sy të zgurdulluar. Kishte kohë që nuk kishim parë marka me sy. Që kur e kishin larguar Babën nga puna, paratë ishin gjëja më e rrallë që mund të gjendej në shtëpinë tonë. Jetonim pa të ardhura. Përveç ndihmave të “Nënë Terezës”, me ushqim na ndihmonin edhe dajat. E nganjëherë gjyshja ia fuste Nanës në grusht ndonjë markë, që padyshim i shpenzonte për nevojat e familjes.

Prindërit, as Belit nuk mund t’ia mbulonin shpenzimet e studimeve, por, ai kishte gjetur një zgjidhje që i shqetësonte shumë. Nisi të shiste duhan në rrugë me disa djem të rinj të dajave, me të cilët ndante banesën njëdhomëshe në Prishtinë. Mirëpo, shitja e duhanit ishte  me rrezik të lartë. Milicia serbe, po ta zinin një shitës duhani, përveç rrahjes brutale, ia konfiskonin edhe mallin. Beli ishte me fat, nuk kishte rënë ende në dorën e tyre.

Edhe Beli, kur vinte, i jepte Nanës ndonjë 20-she e rrallëherë ndonjë 50-she. Nana e shqetësuar për sigurinë e tij, e luste të kishte kujdes. Nuk mund t’i thoshte të mos e bënte atë punë që e bënte, sepse nuk ishin në gjendje t’i ofronin zgjidhje tjetër. Babës nuk ia jepte të hollat. E dinte që ai nuk do t’i pranonte kurrë paratë e tij. Beli, duke ia njohur mirë karakterin, nuk donte ta vinte në pozitë të palakmueshme. Ai ishte krenar, nuk e pranonte ndihmën e askujt, i vinte zor të zgjaste dorën e të merrte paratë. Pavarësisht vështirësive, asnjëherë nuk u pendua për vendimin që kishte marrë: të mos pranonte të punonte nën masat e dhunshme të regjimit serb. As nuk ankohej kurrë. E mbante në zemër mërzinë, nuk ia shprehte as Nanës. Ndërsa kur Nana ankohej, sado që ankimet e saj ishin të rralla, ia kthente me të njëjtat fjalë: “Gajret grue se jemi n’fund t’rrugës, tunelit po i shihet drita”. Nana me cinizëm i thoshte: “Moti ke thanë k’shtu, po qe, shkun tonë k’to vjet e na hala n’tunel po rrnojmë”. 

Duhanin e Babës, por edhe gjërat ushqimore e higjienike që na mungonin, shpeshherë i merrnim veresi në shitore. Pastaj, kur vinte ndonjë para në shtëpi, vraponim dhe e  paguanim borxhin. Rrallëherë tepronte ndonjë markë për të blerë diçka tjetër. E, Hamdiu, një burrë rreth të 40-tave, pronar i shitores, ishte lodhur nga ne. Kur ishte me humor të keq, nuk na jepte veresi, na kthente duarbosh. Baba i shtrëngonte dhëmbët duke e sharë shitësin me zë të ulët, por prapëseprapë fjalët arrinin deri në veshin tonë. E urreja shkuarjen në shitore dhe sa herë që Nana më thoshte të shkoja, gjeja ndonjë justifikim që të shmangja përballjen me Hamdiun. Ndihesha e fyer, e përbuzur nga një mijë sharjet, ofendimet e ankesat që ai i bënte në drejtim të Babës. Më vinte t’ia përplasja për fytyre paqetën e cigareve dhe të dilja nga shitorja duke e sharë, por e kafshoja gjuhën nga frika se mos i prishja punët me të. Jeta jonë varej pak edhe nga ai. Zakonisht ishte Drenusha ajo që shkonte për blerje. Ajo ishte e qetë dhe shumë ekonomiste, për një çmim të lirë arrinte të blinte shumë gjëra e t’i gëzonte të gjithë nga pak.

Drenusha zgjati dorën, mori të hollat, i futi në xhep, më mbylli syrin që ta shoqëroja dhe me vrap dolëm nga shtëpia.

Me ato para kishim për të blerë cigare, gjëja parë dhe më kryesorja, ndryshe Baba do të ishte me nerva tërë ditën e do të na qortonte për çdo gjë që do të bënim, pastaj një kg çaj, pesë kg sheqer, keksë plazma për Rexhepin dhe, me paratë e mbetura, ndonjë pije ose ëmbëlsirë për ne të tjerët. Por, zor që mund t’i blinim gjitha këta artikuj me ato para që kishim.

Rruga deri te shitorja ishte e gjatë. Dhe, tërë atë rrugë e bëmë duke u lutur që Hamdiu të mos na ndalte paratë për borxhin paraprak. Shpesh ndodhte edhe kjo.

Hamdiu banonte në mes të fshatit dhe në katin e parë të shtëpisë e kishte shitoren që ishte e vetmja në Zabel. Para shitores ndodhej një ballkon me disa shkallë betoni. Nga ana e djathtë ndodhej dritarja e madhe, bashkë me derën, të dyja të mbuluara me grila të zinj. Sapo futesha brenda, më rrëqethej trupi, aty brenda ishte gjithmonë ftohtë, por vinte aromë e këndshme. Hamdiu që përtypte gjithmonë një letër të vogël, të priste pas tavolinës së gjatë e të gjerë në formë banaku. Gjërat për shitje ishin të vendosura në rafte pas tij. Shpeshherë nuk e dinte se cilën gjë po e kërkoja dhe kalonte kohë duke më pyetur: “Cilën,  k’të?”, “Jo, ma nalt!”, “K’të?”, “Jo djathtas saj!”, “K’të?”, “Jo, jo, djathtas thashë, jo sipër!” Më në fund, kur ia qëllonte produktit që po kërkoja, thoshte: “Aaa dala e plastë po afër e paskam pas!”

Për ta shmangur fytyrën antipatike të Hamdiut, i kërkova Drenushës të hynte vetëm ajo në shitore dhe unë do ta prisja te shkallët. Pranoi. U mbështeta për muri nga ku fillonte oborri dhe në heshtje po prisja. Zabeli ishte i heshtur, rrezet e ngrohta të prillit më binin fytyrës. Mbylla sytë që t’i shijoj ato pak rreze dielli. Por, qetësinë ma prishi një zhurmë e madhe që nisi krejt papritmas. Një kolonë e gjatë me tanke të ushtrisë serbe po shkonin në drejtim të Gllogovcit. Rrotat e tankeve me zinxhirë dukej sikur shembnin rrugën e asfaltuar.  Grykat e gjata të tyre ua pamundësonin t’i afroheshin njëra-tjetrës. Sipër çdo tanku ndodheshin dy-tre ushtarë që këndonin diçka në serbisht. Qeshnin me të madhe, dukeshin të lumtur e shumë në qejf për punën që bënin. Kaloi tanku i parë,  kaloi edhe i dyti, i treti, i katërti. Deri sa po numëroja të pestin, ushtari që ndodhej sipër saj, më vërejti. Nuk priste të isha aty, fillimisht më ngriti tre gishta, shenjë kjo nacionaliste serbe dhe brohoriste e këndonte diçka që nuk e kuptoja, me gojën vesh më vesh. Dukej shumë i hareshëm, sikur ishte nisur për një mision aq fisnik e bujar thuajse do ta çlironte botën! Tanku ku ndodhej filloi të ngadalësonte shpejtësinë. Të njëjtën gjë bënin edhe tanket që vinin pas. Tanku ndaloi. Shikoja e shastisur nga tmerri të gjitha veprimet e tankut. U shtanga duke qëndruar si e mpirë përballë tij. Drenusha ishte ende brenda. Tanku ku ndodhej ushtari që më kishte parë, filloi të rrotullohej ngadalë e me shumë vështirësi, duke u pozicionuar në drejtim timin. Zhurma e prekjes së rrotave për asfalti bëri që veshët të më fishkëllejnë. Gryka e tankut që u kthye në drejtim timin ishte sipër meje. Kur tanku u pozicionua përballë meje, edhe  gryka e tij e gjatë që qëndronte sipër meje, u ul nga dikush brenda sa më erdhi deri te goja. E shikova e tmerruar. Në atë moment çdo mendim m’u zhduk nga koka. Isha ngrirë. Vetëm pas pak arrita t’i ndiej këmbët që më dridheshin. Një perde e errësuar më ra para syve. Nuk e dija si të veproja. Mbylla sytë dhe prita të më vrisnin. Para syve më doli një pamje e llahtarshme, pashë trupin tim që hidhej në ajër, copat e tij fluturonin të lira në qiellin e kaltër e pa re të asaj dite të ngrohtë prilli. Më në fund po çlirohet shpirti im nga kjo frikë…, mendova dhe u ndjeva disi e lehtësuar.

“Piçka ti materina, jebem ti shiptarsku majku”,[1] këto fjalë të nxjerra nga goja e ushtarit që kisha përballë, ma kthyen mendjen aty ku ndodhesha. Ai po fliste vazhdimisht diçka të pakuptueshme për mua. Kur sytë e mi takuan të tijtë, një e rrëqethur më kaloi nga majat e gishtërinjve deri te flokët. Flokët i kishte ngjyrë kafe të çelët, vetullat nuk i dukeshin askund, ndërsa sytë i kishte të mëdhenj e të gjelbër. Afër syrit të majtë, në faqe, kishte vizatuar një kryq të vogël. Dhëmbët e nxirë i ekspozoheshin vazhdimisht nga e qeshura e shfrenuar. Dridhesha. Fillova të lutem. Po, po, krejt çka mund të bëja ishte të lutesha që Zoti të më shpëtonte. Askush tjetër nuk do të mund të më shpëtonte. M’u duk se aty takova vdekjen, po, po, ajo ishte vdekja, vdekja nuk mund të kishte fytyrë tjetër, e tillë duhet të jetë! “O Zot, të lutem shpëtomë! O Zot, o Zot, o Zoti im, ku je?!” Dhe, ashtu mekanikisht, iu dhashë këmbëve, pa e planifikuar fare, ia ktheva kurrizin grykës se ftohtë të tankut dhe u nisa drejt shitores që ndodhej dy-tre hapa para meje.

Kur kapa dorezën e derës dëgjova një: “Stani!”[2] Pa e kuptuar se çfarë domethënie kishte ajo fjalë, ndalova, sepse nga toni i ngritur i zërit e dija se e kishte me mua, po më urdhëronte diçka. Mbylla sytë dhe prita, prita kur plumbi do të ma përshkonte trupin. Do të ma shponte tejpërtej. Prita edhe pak… edhe pak, por asgjë nuk ndieja në trup. Mora guxim dhe ktheva kokën ngadalë kah erdhi zëri. Atij ushtarit me kryq në faqe po i bërtiste një tjetër, prapë në serbisht, nuk e kuptova nëse e kishin me mua. Pasi që nuk më shikonin më, hyra brenda në shitore. Drenusha e Hamdiu ishin shtrirë në dysheme të zverdhur në fytyrë. U trembën shumë kur dera u hap, sepse nuk më prisnin. Asnjëri nuk fliste. Unë lëshova trupin mbi një karrige afër banakut.

Pas pak, zhurma e tankeve, këngët, fishkëllimat e ushtarëve, filluan të zbehen. Ato tashmë kishin nisur të largohen në drejtim të fshatrave më të thella të Drenicës, por numri i tyre ishte shumë i madh.  Qëndruam edhe për disa minuta në shitore. Derisa kaloi edhe tanku i fundit.

Hamdiu më qortoi keq që u futa në shitore, tha se për shkakun tim ushtarët serbë do të mund t’ia merrnin gjithë mallin. E shikova plot dhimbje e neveri atë njeri që edhe në çastet kur përballeshim me vdekjen, mendonte për paratë e gjërat ushqimore!

“Hajde tash, shkoni!”, na tha, “dhe mos hajdeni ma! A e pe se çka na bani motra jote?” iu drejtua Drenushës. “Për pak e psum për shkak t’saj. Shejtan i vogël! Ikni!”

Drenusha më përqafoi fort teksa dridhesha dhe ashtu, mes lotësh, ia lëshoi shitësit dhjetë markat mbi tavolinë. Morëm qeset ku i kishte futur gjërat dhe u nisëm për në shtëpi, plot frikë se mos na përsëritej e njëjta gjë gjatë rrugës.

[1] Q…nënën shqiptare! (Nuk e njihja serbishten, isha fëmijë, por të sharat që na bënin, kanë ngelur të qarta në mendjen time! Më vonë e kam marrë vesh se çfarë kuptimi kishin). 

[2] Ndal!

*Fragment nga një dorëshkrim më i gjatë