Daim Miftari: Dhimbja është dashuri…

daim miftari

Flasim përhanshëm me poetin Daim Miftari

Nga: Xhemazije Rizvani

_____________________________

Kam lindur në Gostivar. Bëra ç’bëra dhe ika që andej. Shpesh në jetë më paraprin intuita dhe nuk i mendoj gjatë vendimet që i marr. I nënshtrohem asaj dhe në të shumtën e rasteve nuk gaboj. Që të jem i sinqertë deri në fund, do të kisha ikur edhe prej Shkupit, po të më jepej mundësia. Nejse, i jam mirënjohës që më mbajti, mëgjithatë.
Kam ecur përskaj bulevardeve të gjata me ditë të tëra dhe nuk e kam parë të mërzitej prej meje, aq më pak të më ndalë në rrugë, të më pyes ku shkon. Gostivari ishte një çikë më kureshtar, të lodhte me pyetje rutinë sa, më vjen keq ta them, ta shpifte. Shkupi, jo. Mbase ende nuk më njeh të tërin.
Çfarë them dhe unë! As që më njeh fare bile. Edhe Gostivari nuk është se më njohu, sepse jam i sigurt se nuk më njeh as sot e kësaj dite, ashtu siç nuk njeh shumicën e qytetarëve të vet. Nejse. Punë e tij. Por, kur filloi të më përzihej edhe në gjëra krejt personale, pastaj shkoi aq larg sa filloi edhe të më këshillojë për shembull, se si ta shkruaj poezinë dhe broçkulla të tjera, i thashë, ika unë. Ende nuk i besohet se e kam braktisur njëherë e mirë.

Çfarë vendi ka dhembja në jetën tënde?

Për mua dhimbja është dashuri dhe dashuria dhimbje. Dhe nuk ka dhimbje pa dashuri, dhe as dashuri pa dhimbje. Por realieti në të shumtën e rasteve është i egër, i vrazhdë. Mungon dhimbja, dhimbja njerëzore, ajo që e mban në këmbë botën. Pra, mungon dashuria për çdo gjë të gjallë mbi tokë. Pa dhimbjen bota do të ishte një hiç, gjegjësisht pa dashurinë.

Kujt i kërkon ndjesën pa pra?

Vetvetes, sepse nuk heq dorë lehtë nga ai që unë jam në thelb dhe çfarë dëshiroj të bëj apo arrij, pavarësisht çmimit që mund të paguaj. Çdo njeri është i gatuar në një mënyrë a një tjetër dhe kjo shpesh bie ndesh me realitetin dhe kohën në të cilën jetojmë ne njerëzit. Bëhet mirë!

Cili është mësimi kryesor që ke nxjerrë nga jeta?

Jeta është shkolla më e mirë, thotë populli, dhe ne nuk rreshtim së mësuari deri sa të jemi gjallë. Dhe është mirë që është kështu. Kam mësuar shumë gjëra. Nuk e di cili mund të ishte mësimi kryesor. Mbase, kam mësuar ta çmoj kohën më shumë.

Ç’është një poet?

Një profet i vetmuar.

A shkon letërsia shqipe rrjedhës së duhur?

Deri diku, po. Shqetësues është fakti se mungon një kritikë e mirfilltë letrare dhe një bashkëpunim i mirfilltë ndërletrar i letërsisë shqipe, se pavarësisht kufijve fizikë, ajo duhet të trajtohet si një dhe e pandashme, në mënyrë që secili autor apo autore ta gëzojë vendin e merituar brenda kësaj tërësie. Më duket gjë e largët kur e mendoj, por jo e pamundur.

Ç’mendim keni për poezinë aktuale shqipe?

Shumë shkruajmë, por pak poezi të mirë kemi, realisht. Pos kritikës së mirfilltë e cila do të ishte një urë lidhëse mes lexuesit dhe autorit, kemi shumë pak lexues të mirë, që kanë një formim letrar dhe dijnë ta ndajnë poezinë nga jopoezia.  Ky bollëk jopoezie që botohet dhe promovohet më të madhe, sikur ia zë frymën poezisë së mirë, hëpërhë.

Pa cilët autorë ne do ishim njerëz të vegjël?

Pa letërsinë e madhe botërore, pa dyshim, dhe klasikët e të gjitha kohërave.

Cilët libra i ke të shenjtë?

Don Kishoti i Servantesit, Ferri i Dantes, Fausti i Gëtes, Procesi i Kafkës, Vëllezërit Karamazov të Dostojevskit …

A të ofron mjaftueshëm poezia?

Poezia është jetë. Unë jetoj me poezinë dhe për poezinë, me të drejtë ka konstatuar akademiku shumë i respektuar Ali Aliu, shumë vite më parë, kur unë vetë madje, nuk isha aq i vetëdijshëm për këtë.

daim miftari 2
Daim Miftari

Sa para mund t’i ketë në xhep një poet në një vend të varfër si Maqedonia?

Prej poezisë asnjë cent, po nuk pate një punë tjetër. Poezia është elitare dhe si e tillë kërkohet dhe shitet më pak në krahasim me prozën në çdo vend. Por, në Maqedoni nuk ka interes fare. E them me shumë keqardhje. Kjo flet dhe për ne si komunitet shqiptar.

Për çfarë është ende herët?

Ndonëse homo sapiensi ka evoluar mjaft në aspektin filozofik, kulturor, ekonomik, teknologjik, civilizues, “jemi ende herët për të qenë njerëzor, tepër njerëzor”, do të thoshte Niçe, përderisa ekziston, dhuna, e liga,  krimi, terrori.  Letërsia është bota paralele, e cila është në kundërshtim të vazhdueshëm me realitetin dhe botën ku jetojmë.

Për çfarë e ndëshkon më shpesh veten?

Përpiqem të mos e ndëshkoj për asgjë.

Sa vetmi të duhet në jetë për të qenë poet i mirë?

Vetmia është e domosdoshme, sepse aty qëndron laboratori i poetit.

Po për të qenë baba i mirë çfarë duhet?

Fëmijët ta mësojnë më mirë se çdokush rolin e prindit. Mjafton të dish të mësosh pa u lodhur.

Çfarë ka ngelur nga fëmijëria në ty?

Gjyshja, të cilën unë e thirrja nënë. Ajo është vetë fëmijëria ime. Nuk mund ta kujtoj asnjë çast të fëmijërisë sime pa praninë e saj. Atëherë për mua nuk ekzistonte bota, ekzistonte vetëm gjyshja. Ajo ishte një nënë e përkryer. Kam pasur fatin e madh të rritem në duart e saj.

Nëse njeriu do ishte një qenie që nuk do të kishte mundësi të harrojë, ç’fat do kishim ne?

Do të vdisnim nga ligësia. Do të merrte fund njerëzimi.

Për çfarë të vjen shpesh keq?

Më dhimbset koha e shpenzuar kot.

Çfarë të mban të mos dorëzohesh?

Është ajo forca e verbër e dashurisë për jetën, që është irracionale e që na mban të gjallë si qenie.

Thelbi i jetës ku qëndron?

Te kuptimi që i japim asaj.

Çfarë të frikëson më së shumti?

Turma. Ajo di të jetë vërtet e frikshme.

ObserverKult

Lexo edhe:

DAIM MIFTARI: NGANJËHERË, JETA IME