Daniela Kreka, ose një vajzë përtej mbrëmjes

Rreth librit “prej mbrëmjes” të Daniela Xhani Kreka, botua nga Shtëpia Botuese MUZGU

Nga Mark Simoni

Ka qenë një çast fatlum që, në kohën që unë po lexoja poezitë në dorëshkrim të Danielës, (nuk e kisha parë kurrë dhe takuar asnjëherë), ajo më telefonoi. Pra po i dëgjoja zërin, (të parin gjë të saj.) Ajo fliste dhe unë ndiqja me vëmendje timbrin e saj. Unë besoj shumë tek zëri i një krijuesi. Ai vjen nga koshienca dhe gjëndja e njeriut, nga mazgallat e situatave që ka, bash nga agregati ku prodhon artin e vet, vjen nga thelbi karakterial, nga psiqika e tij. E kuptova se fjalët e saj kishin ato lakoret e tingujve që e bëjnë poezinë të zëshme, të bukur, muzikore dhe elegante, gjithë ndjeshmëri, sharm e nur, të hajthme dhe të hijshme njëkohësisht.

Martin Camaj ka një studim të gjatë rreth zërit dhe letërsisë. “Vocce e letterature”. Daniela ka vënë energji në çdo germë që shkruan, nga ato energji që mbajnë në këmbë kuptimshmërinë emocionale të fjalës, që i japin vetë fjalës atë pjesën më magjike.

Poezia e kësaj autoreje kalon nëpër një filli delikat, krejt nëpër vijën që ndan letërsinë e ndjenjës me letërsinë cerebrale, pra ka sa substancë përsonale sendimenti po aq dhe të shkruar inteligjent e sugjestiv.

Daniela e ka vetminë jo vetëm si stad nga fillon arti i letërsisë së saj, (gjithë shkrimtarët e mirë kanë artin e vetmimit në veten e tyre), por kjo e ka pjesë të ndërgjegjes së saj krijuese. Poeti i madh italian Eugenio Montale, në komentin e poezisë së vet “Meriggiare pallido e assorto” merret gjatë me vetminë si gjendje dhe stad krijimi, si impuls i veçantë i vetmevetes, si një jehonë shumë përsonale. Daniela e zotron këtë matricë në mënyrën më perfekte, e punon me shumë kujdes me leksikun më përfaqësues, për të na e sjellë ne si vokacion të gjendjes së saj reale, nga atje ku nisin një pjesë e madhe e motiveve të saj.

Këtij libri i bie cep e në cep nata, e mbulon me një tis vezullues dhe tronditës njëkohësisht. Por, autorja s’na thotë aspak vetëm natën me terrin e saj fizik dhe si fenomen. Autorja na tërheq akoma më tepër, në nokturrn, pikërisht në natën ndjesore, për të na trandur me muzikën e saj, sepse të gjithë e dijmë që Nokturnet mbi të gjitha janë kompozime të frymëzuara nga nata, (mos harrojmë që përfaqësuesi më i famshëm është Shopeni). Daniela e njeh mirë natën, magjinë e saj, dimensionin e saj përndritës, jehonat e brendshme të natës. Kanavaca e kuadrit të saj e ka natën të mrekullueshme, gjithë pasion e heshtje, levizje të çuditëshme dhe mister.

Daniela Xhani Kreka me këtë libër vjen në letërsinë tonë të sotme të bëjë diçka ndryshe, është një “Crash”, vjen të prishë ca rregulla të vjetra, të destruktojë disa mënyra të tradicionale, dhe të na japë në dorë një manual tjetër lloji. Ajo na sjellë në letersi përcepsionet e saj të poezisë ekstravagante. (Ekstravagante në këtë rast i referohem filologut italian Bicelli që thotë: kur një autor bën një vepër me një stil të pazakontë dhe shije të shkruari ndryshe.)

Ky gjest dhe akt më kujton rrymën letrare italiane “Poetti crepuscolari” që nisi në vitin 1903. Një grup poetësh të vjelur dhe të mërzitur nga letërsia e romantikës së tejzgjatur, nga limontia e poezive me dashuri dhe yje e hënë, krijuan një rrymë të re krejt ndryshe, tendencë, teori, shkollë dhe prirje të veçantë, një poezi krejt alternative. Moretti qe përfaqësuesi i saj, dhe një nga poezitë më të bukura të tij, që u bë matricë e ndërgjegjes së poetëve të mëvonshëm italian (Montale, Quazimodo, Ungaretti), ishte poemthi “Në Çezena”. Një hop të till, në mënyrën e saj krejt personale, na sjell Daniela Xhani Kreka me librin e saj “prej mbrëmjes”

E përgëzoj këtë autore vërtetë.