Daniela Xhani: Në një kohë të ngjashme ishim të lirë…

daniela xhani

Në një kohë të ngjashme ishim të lirë.
Asgjë kishim, veç vende të shenjta thell’ vetes,
rrobat e trupit dhe prindërit.
Njiheshim me emrat e tyre; fëmija i filanit.

Dhe ëndrrat tona të shpërndara ngado
përgjatë shqisave të tranzicionit –
njolla gjaku a shkëndija saqë
nuk i mblidhnim dot
ose i linim për herë tjetër.
Të lirë, ndaj. Sapo dalë prej një dështimi.

Do tokë në ndo fshat të braktisur?
Makina do të t’shpjerë njëfarë, pastaj në këmbë.
Do të jet’ i yti, edhe qielli në mbrëmje,
edhe jehona e pyllit gështenjor.

Do të jetosh në qytet? Ja, pra…
Nuk është gabim ta ndalosh kohën duke puthur.
Dëshira, që shkrihet lehtësisht në trup,
ka fytyrë të re e gjithë shkëlqim.

Kërkon përvojë, kënaqësi, përshkim…?
Do të kthesh një gotë? Të tymosësh?
Do të largohesh? Të endesh? Ta nisësh
jetën vetëm? Diku, këtu, atje, larg…

Në një hapësirë të ngjashme ishim të lirë.
Por nuk e dinim:
Brenda një dashurie të madhe
ka një dashuri më të madhe.
Dhe brenda ëndrrave të pafundme,
i fundëm është njeriu.

ObserverKult