Dashamir Malo: Shumë burra kaluan prej shtratit të Penelopës

Poezi nga Dashamir Malo

S’është e vërtetë
se Penelopa i qëndroi dhjetë vjet besnike
Odisesë (besnikëri legjendash),
Apo ajo, se plekste çdo ditë pëlhurën
që netëve i shpleksnin, nuk është e vërtetë.
Atëherë kur ajo me përgjërim iu lut Poseidonit
të hiqte qafe Dedalin ambicioz,
plot pesëdhjetë mëtonjës *
(ambiciozë më të thekshëm për fronin se Deadali), i dërgoi Poseidoni.
Atëherë e bukura Penelopë jetonte
pranverën e saj të tridhjetë e dytë.
Dhe kur të gjithë mëtonjësit
veç hanin e pinin
dhe kur mbretëria që në zgrip, Penelopa u tha:
Njërin, vetëm njërin prej jush do të marr,
burrin që do të jetë më i denji
për mbretërinë e Itakës.
Dhe me vete mendonte,
burrat provohen si të tillë në bixhoz,
luftë dhe dashuri.

Në dy të parat s’ishte aq e denjë.
Dhe thirri skllaven Myrto,
besniken, të bukurën Myrto.
Pesëdhjetë ditë me radhë Myrtoja
flertoi me secilin mëtonjës
dhe mbrëmjeve i ftonte në shtratin e saj,
atje ku mes territ Penelopa
zinte vendin e Myrtosë.
Pesëdhjetë netë rresht Penelopa
bëri dashuri me secilin mëtonjës
pa u njohur nga ata.

Shumë burra kaluan prej shtratit të Penelopës,
pesëdhjetë mëtonjës
në pesëdhjetë netë rresh bënë dashuri.
Vite e shekuj më vonë
dhjetra e qindra poetë
u mburrën se bënë dhe bëjnë dashuri
me të,
disa duke i shpleksur pëlhurën netëve,
disa duke u hequr si Odiseu
apo të tjerë duke e “mikluar” me vargje lirike.

Unë një natë vjeshte
kur në mbretërinë (pa mbret)
mbretëronin orgjitë e Penelopës me mëtonjësit,
në majë të gishtave
u ngjita në katin e dytë
shkova përbri dhomës së Myrtosë
dhe në shtratin e Penelopës
gjithë natën
bëra dashuri me skllaven Myrto **
e dyta për nga bukuria në mbretërinë e Itakës
(në mos po më e bukura dhe më zemërdlira).

____________________________

* pretendues për fronin e mbretit të Itakës
**-Sipas librit “Ditari i Penelopës” të shkrimtarit gerk Kostas Varnalis Penelopa bëri dashuri me të pesëdhjetë pretedentet për mbret duke u hequr sikur ishte skllavja Myrto me qëllim që të zbulonte se cili burrë ishte më i denjë në dashuri.

ObserverKult


Lexo edhe:

DASHAMIR MALO: TË SHKRUASH PËR TY…