Dashamir Malo: Zana e katundit

Ka pak frymë* në katund dhe ndoshta,
janë kalbur gardhishtet në sinore,
shembur mure, udhë a ledhe,
dhe gjëra të tjera kësodore.

Por disa thonë se është një vajzë,
të tjerë thonë se është një zanë,
që sillet vërdallë pa u ndjerë,
dhe kujdeset për gjithçka n’ato anë.

Në shkurt kujdeset për të mbjellat,
kujdeset për të korrat në korrik,
kujdeset për shpezët nëpër pyje,
kujdeset për sorkadhet në Linik**.

Për atë grusht njerëzish atje,
dhe që jeta u shkon gazavaj,
falë saj dimri vjen më i zbutur,
dhe pranvera lulëzon falë asaj.

Por askush s’e ka parë ku rri,
kur shfaqet, kur humbet, si jeton,
ku i gdhin netët e gjata, të ftohta,
dhe mëngjeset vallë si i zgjon?

As unë s’e njoh dhe kurrë s’e kam parë,
as bijë e kujt është s’e di,
veç frymën e saj ndjej gjithkund,
ngase me stinët ka bërë ujdi.

Vetëm dikush thonë se e ka parë,
lumit të kthjellët kur lahej tek ngjiri***,
si djalosh zeshkan i shkathët gushti,
me të shkoi u la, kur ajo e thirri.

E dënoi kureshtja prej burri,
pa thonë, ai burrë që e pa u marros,
dhe ndoshta tani atij i shkon jeta,
si një këngë gazavaj që (s’)po sos.

24 nëntor 2020

——————————————–

*- këtu në kuptimin njërëz, banorë
**- toponim (vend malor)
***- ngjir, vorbull

ObserverKult


Lexo edhe:

DASHAMIR MALO: TË SHKRUASH PËR TY…