Erina Çoku: Harta e dashnis’

Erina Çoku

Dashnia asht fije e holl
shtjellun prej shpirtit tim
n’shpirtin tând,
bukuri me rrânj dykahshe,
frymue me limf.

Dashnia asht fije e gjat’
e ti i ngjashmi im
je dheu ma i mir
me mkue tejza t’blerta
trupi im me rrânj brenda teje
bâhet uji i dashnis
falun syve t’tu, hon i thell me flurue,
dhan’ durve tuja, pesh’ e leht ekuilibrue,
ty i ngjashmi im, si je i ndryshmi im
ty i ndryshmi im, pa ngjasim.

Dashnia asht fije e zgjatueme
prej shpirtit tim n’shpirtin tând,
me bâ m’u kput ther ke Zoti,
me bâ mos m’u kput bâhet lak,
gjaku i turbulluem gulfon tejzave
m’e plas’ kangen e kuqe
e m’e shkrujt’ me dert harten e frymimit.

Dashnia asht nji fije drit
territ t’ksaj jete
e me bâ m’u ushqy trupit tând
ashtu si harliset trupit tim
nuk kishin m’u dasht fjalt mâ,
por kjo asht nji tjeter histori
nji tjeter hart’ e re e pashkrume
per thesare pa duk’ n’qaf t’fatit.

ObserverKult

Lexo edhe:

ERINA ÇOKU: ZEMRA JOTE