Dashnor Kokonozi: Net ankthi erotik

Imazhi ynë për erotizmin ishte disi romantik. Deri diku edhe i pafajshëm. Verës bëheshim tre-katër çuna dhe shtinim para të merrnim një kabinë në plazhin e Durrësit.
Jeta ishte spartane, sepse refuzonim të merrnim me vete nga Tirana dyshekë, furnela vajguri, pjata etj.
Asgjë nga këto, me gjithë pasojat që kishte një vendim i tillë. Merrnim vetëm një televizor.
Zakonisht flinim gjithë ditën në rërë se me të mbërritur nata shtinim bast cilit do i takonte të ngjitej i pari në çati. Gjetja e ndonjë stacioni italian që transmetonte filma erotikë ishte një punë heroike dhe jo fort e gratshme për atë që duhej ta bënte.
Por të gjithë kishim radhën për t’u ngjitur lart mbi kabinë. Të gjithë duhej të viheshim në kërkim të sinjalit më të fortë.
Që ai aty lart ta kuptonte se kishte gjetur drejtimin e duhur, ne që aty poshtë e njoftonim me të bërtitura.
Fqinjët gjithmonë luteshin që sinjalet të ishin të mirë e të fortë që të mos rrinin pa gjumë nga ulërimat tona: pak më majtas, jo e majta jote, e imja. Aty, aty, aty! Mos luaj më!
Figura stabilizohej dhe ne me sytë që rrezikonin të na dilnin vendit, me grykë të tharë dhe gjithë ankth, shijonim skenat soft erotike të tv-e lokale italiane.
Por nëse sinjali i mirë zgjaste, atëherê, të turbulluar siç ishim harronim të ndërronim atë që ishte lart, mbi çati.
Hakmarrja nuk mungonte. E ftohtë, e menjëhershme!
Ai e kthente antenën nga Tirana!

ObserverKult