Dashuri brenda mureve të kështjellës


Nëse merr rrugën në ngjitje drejt kalasë dhe ndodh,  që ndonjë nga gurët e lëmuar zhvendoset, mos e shaj, por ulu dhe rivendose po aty ku ndodhet. Ai gur, bart peshën e një këpuce apo sandaleje pak si të ndrojtur, që çliron avull dashurie të ngjizur ndër vite.

Nga Sabina Darova

Zakonisht, ky kalldrëm në të tatëpjetë, ndër shkrime njihet si përcjellës patkonjsh kuajsh që kalëroheshin nga kalorës trima. Nga ata që ngritën flamurë e rezistuan ndër luftra në shekuj. Po trime, duhet të kenë qënë dhe dashuritë që ju ngjitën këtyre mureve. Edhe ato gjetën kurajë  të kalëronin edhe pse, në anonimat të plotë. E kush nuk e ruan në kujtesë një moment të jetës, i dashuruar në këtë kështjellë, në Krujë? 
Dashuritë aty, ishin dashuri të turpshme,të brishta, të fshehura,të lëkundura, të purpurta, të heshtura, të qeshura, të dhimbsura, të ndaluara, të tallura, të vrara, tekanjoze apo të fyera.
Ishin dashuri që  kërkuan një mundësi që të gjallonin, kërkuan oksigjen të lulëzonin, kërkuan gjymtyrë të lëviznin, kërkuan forcë diellore që t’i piqte. Në skutat e fshehura të kështjellës, u vodhën puthjet e para, sepse puthja e vjedhur shijon deri në përvëlim.
Djaloshi kthehej me vrap hareshëm në kthinat e kërrusura e të fjetura të shtëpisë, mbyllte sytë i kënaqur poshtë mbulesave. Puthja e parë e kish burrëruar.
Ndërsa vajza përjetonte paradoksin: Lumturinë qiellore të shijimit të nektarit të  buzëve lëng të djaloshit, si dhe frikën në paditurinë, se ç’fat do t’i sillte si përgjigje e nesërmja.
Po, e nesërmja! Sepse dashuria duhet të ketë një të nesërme të sigurtë. Dashuria duhet të jetë një “operacion matematikor” ku llogaritë duhet të superojnë perfeksionin. Po nëse është operacion aritmetik, a mund ta quajmë dashuri? A mund ta llogarisim forcën e llavës së vullkanit që nuk dihet seç’merr përpara, kur shpërthen? Ajo llavë që  t’i lëviz gjymtyrë te ti sposton nga një skaj i vendit në tjetrin. Gjendesh si pa kuptuar, mbi kalldrëmin e lashtë, tek ngjitesh për të pirë në kupë, gjakun e diellit që perëndon mbi kështjellë. A mund t’i quajmë veprime matematikore instiktet e Adamit e të Evës, të cilët kafshuan mollën e argjëndtë  pranë kullës së sahatit, atje lart në kala?

Capture4vvbs.jpg

E kur e kafshuan, njohën përqafimet epshore, njohën saldimin e dy trupave dhe bulëzimin e djersëve që i ftonte në amshim.
Por ajo çka ishte më e bukur, ishte mësimi i thënjes me zë, të fjalës magjike. Fjalës që askush nuk kish guxuar t’jua mësonte të rinjve që në fëmijëri.
Ishte ajo fjala e butë, e ngrohtë, si një bukë e porsapjekur, që ftonte të njihte bukurinë e trupit, bukurinë e shpirtit.  Bukurisë  që i bëhej luftë nga mëngjesi deri në mbrëmje pa ja ditur arsyen. Thuhej vetëm se ishte turp të shqiptohej me zë të lartë, fjala dashuri.
Thuhej se ishte herezi të shqiptoje një numër fjalësh që i përkisnin kësaj familjeje, e që transmetoheshin në heshtje, si loja e telefonit të prishur nga njëri vesh në  tjetrin.
Nëse merremi vetëm me emrin dashuri dhe ta vendosim si folje apo mbiemër: dashuri, dashuroj, i/e dashuruar, do provojmë të  skuqemi, të shqetësohemi poshtë rrobave që kemi veshur, të ulim në tokë vështrimin, të provojmë t’i ndërrojmë drejtim bisedës.
Mos të guxojmë ta zgjerojmë leksikun e fjalëve që rrjedhin gjatë një akti dashuror. Aty humbasim e thërrasim në ndihmë humnerat për tu hedhur deri në vetmohim. Janë fjalë tabu. Fjalët “e përdala” gjetën lirinë, deshën apo nuk deshën mëndjet e plakura, në muret që rrethonin kalanë.
Po ta dinin të rinjtë, që në urën mbi Sienë në Paris, lidhen me qindra drynj dashurie, muret e kështjellës do ishin veshur të gjitha me to. Do kishte qënë dëshmia e patundur, ku edhe në kohrat ” e kolerës”, provohej të thyheshin zinxhirët e robërisë së mendjes e të shpirtit. Do dëshmonin që gjithësesi, bëhej dashuri.
Ndaj, kështjellën e Skëndërbeut, po t’ju bjerë rruga, provoni ta quani pa hezitim edhe kështjellë mburojë e dashurisë.

ObserverKult