Dante Aligeri, “Il Poeta” ashtu siç quhet nga italianët, është një nga figurat më influencuese të shek XIII dhe njeriu i cili me dy kryeveprat e tij (Vita Nuova, Commedia) arriti ‘të ngjizte’ Rilindjen. Dante Aligeri shkroi poemën më madhështore kushtuar dashurisë dhe poemën më mbresëlënëse të besimit të krishterë. Ai gjithashtu gdhendi gjuhën italiane, gjuhën më të bukur që rrjedh nga latinishtja. Por më e rëndësishmja është se Dante është figura e parë e Rilindjes.
Dante lindi në 1265 në Firence, një qytet i lulëzuar, por i përçarë nga pasionet politike. Vinte nga një familje e mesme tregtarësh, por prindërit i vdiqën dhe të afërm të familjes e adoptuan dhe u kujdesën që t’i jepnin një arsimim të mirë, ai ishte një nga studentët më të dalluar të gjuhës latine në universitetin e Bolonjës. Në moshën 9-vjeçare Dante ftohet në një festë ku ai takon Beatriçen dhe nga ai moment Dante nuk ia hoqi sytë. Por ata u martuan me njerëz të tjerë dhe dashuria e tyre nuk u kurorëzua kurrë, por Dante e predikonte nëpër rreshtat e Vita Nuovës kur ai ishte afro 20 vjeç. Takimi me Beatriçen sipas shumë studiuesve mund të ketë frymëzuar dhe shoqëruar gjithë karrierën artistike të Dantes. Duke bërë që ky takim të jetë një pikë kthese për historinë e njerzimit.
Përsa i përket ‘Komedisë Hyjnore’ nga ndërtimi, poema e Dantes është një kryevepër arkitekturore që mund të simbolizohet me thjeshtësinë e botës antike të Romës dhe impakti i saj është si një transformim i stilit arkitekturor grek në Gotik – kjo poemë mban një fuqi të jashtëzakonshme të arsyes dhe idealizon njeriun në çdo pikëpamje.
‘Komedia hyjnore’ u shkrua në periudhën ku Europa vazhdonte të ishte e zhytur në supersticionin katolik të shek XIII. Në ‘Komedinë Hyjnore’ Dante për t’i dhënë një kuptim dhe një vlerë sa më universale veprës ai mjeshtërisht kombinon literaturën klasike dhe atë biblike.
Periudha historike ku Dante jeton dhe shpalos krijimtarinë e tij ishte një periudhë plot trazira. Në Firence, ashtu si në gjithë Toskanën, kohët ishin mjaft të turbullta. Grindje të vazhdueshme ndanin guelfët (mbështëtësit e papës) dhe gibelinët (mbështetësit e perandorit). Fiorentinasit ishin vazhdimisht në gjendje lufte me Pizën dhe Sienën.
Treshi mistik është i pranishëm kudo në ‘Komedinë Hyjnore’ si përshembull: tek ndërtimi poetik tercinat, guidat shpirtërore dhe gjithashtu edhe bazat letrare që Dante i përdor për të shkruar ‘Komedinë Hyjnore’. ‘Komedia Hyjnore’ është një ndërthurje e klasikes me teologjinë mesjetare të krishterë. Për t’i dhënë një kuptim sa më universal veprës ai ndërthur 3 vepra shumë domethënëse. Poeti u drejtohet shumë burimeve letrare të vjetra si një mënyrë për të ndërhyrë në traditën ekzistuese dhe e vendos në dialog me shqetësimet e tij aktuale, kjo e universalizon poemën por njëkohësisht i jep edhe një tipar të veçantë, transmeton ‘konica.al’.
Nga Bibla Dante sistematikisht përdor tekste të ndyshme në Komedi, ai ndërton atë çfarë ekzistonte më parë. Për Danten Bibla nuk i blasfemon vlerat e teksteve Judeje, por na krijohet një optikë më e mirë për t’i kuptuar gjërat. Jo më kot Dante zgjedh Biblën si burim e tij më kryesor për shkak se Bibla përfaqëson ndërhyrjen e Zotit në historinë e njeriut, që nga krijimi deri tek gjykimi i fundit. Për më tepër ai zgjedh Biblën edhe për shkak se për njerëzit në mesjetë Bibla ishte dicka e përditshme ku mund të mësonin rreth moralit, ndryshe nga shkollarë të sotëm që e hulumtojnë për arsye akademike. Ja përse është e rëndësishme që duhet të kuptojmë Biblën në këndvështrimin mesjetar për të kuptuar Komedinë. Besëlidhja e vjetër konsiderohet nga Dante një e vërtetë historike që të çon tek figura e Jezusit. Davidi mund të merret si një shembull i paraardhësit të Jezusit sepse tregon rolin e tij si: mbret, profet dhe drejtues. Dante njëkohësisht përdor profetët biblik për të parashikuar profeci në Komedi. Profetët nuk e parashikojnë plotësisht të ardhmen por nxjerrin përfundime nga ngjarjet e kaluara.
Një tjetër vepër e paarritshme letrare që Dante përdor në Komedi është Eneiadi i poetit romak Virgjili (70-19). Në veprën Eneiadi shqetësimet politike dhe personale të Virgjilit kthehen në shqetësimet e Dantes. Vepra tjetër është, Rrëfimet nga Shën Augustini, një autobiografi shpirtërore që i mundëson Dantes modelin e të qenit ai vetë hero në Komedinë Hyjnore. Gjithashtu edhe Shën Augustini mundohet të sintetizojë traditat biblike me ato klasike.
Eneiadi: Çështjet në veprën e Virgjilit sipas Dantes shfaqin probleme përsonale dhe politike. Dante gjithashtu gjen edhe ngjashmëri mes Biblës dhe Eneiadit. Si përshembull në Librin e dytë të Eneiadit mund të vëmë re se si historia e Trojës përmban fillesat e historisë së Romës. Dante na tregon se si Virgjili paraqet lindjen e një perandorie nga disfata në fitore, nga tragjikja në lavdinë e krijimit të një qytetërimi të ri. Me anë të këtyre analogjive dhe jo vetëm tregimi i Eneiadit mund të vihet paralel me Eksodin në Besëlidhjen e vjetër në Bibël. Për Danten modeli më perfekt qeverisës është perandoria Romake. Ai ndihet i zhgënjyer sepse kisha ka eklipsuar lavdinë e mëpëparshme romake duke vendosur selitë atje. Në Librin e katërt na tregohet për Didon dhe Eneiadin dhe mësojmë një histori dashurie si kjo mund të formojë një romak. Dante e paraqet këtë histori tek Komedia. Dido na shaqet si një personazh në Ferr dhe mëkati i saj është epshi. Por Dante e vendos në një rreth të ndryshëm me atë të Virgjilit. Është qartësisht e dukshme se për të kuptuar historinë e Didos dhe Eneiadit mund të kuptojmë edhe atë të Dantes me Beatriçen. Një skemë tjetër që Dante e risjell nga Eneiadi është gjeografia e jetës së përtejme, shumë elemente të Ferrit të Dantes janë të cituara nga Virgjili. Së fundmi elementi më domethënës që Dante adapton nga Virgjili është kur Eneiadi pasi zbret nga bota e përtejme guida e tij bëhet hija e të atit. Po kështu Dante gjen një “paraardhës”që ta udhëheqë në rrugëtimin e tij.
Rrëfimet…: Një tjetër vepër e rëndsishme letrare që influencoi Danten është Rrëfimet nga Shën Augustini. Ashtu si Dante, Augustini(354-430) mundohet të bashkojë traditat biblike dhe ato klasike. Së dyti po ashtu si Dante, Augustini përdor Biblën dhe Virgjilin. Duke shkruar këtë autobiografi shpirtërore Augustini i mundëson Dantes një model për të shkruar përvete. Po ashtu si me Virgjilin Dante guxon që të censurojë pak. Për shkak se Dante, ndryshe nga Augustini, shkruan ne një kohë kur Krishtërimi ka marrë formën e plotë fetare por njëkohësiht dominon sferën politike të Europës, dhe kështu Dante më së shumti e kthen vëmëndjen në literaturën klasike pagane. Rrëfimet dhe Komedia Hyjnore mund të lexohen si autobiografi shpirtërore.
Dante grumbullon edhe punë të hershme nga poeti romak Statius dhe historiani i hershëm kristian Orosiusi.
Por, është gjithashtu e vertetë, se gjithçka që Dante shkruajti është fisnikëruar nga dashuria e tij për Beatriçen. Kurrë ndonjë poet s’e ka ngritur dashurinë aq sipër gjërave tokësore. Vepra e tij, do të thosha, mbështillet nga një karakter mbinjerëzor. Komedia Hyjnore e Dantes paraqet mesazhin e fundit të madh të Mesjetës, në pjekurinë dhe tërësinë e saj. Pas Dantes, njerëzimi nuk mund të ngelej më në pikën ku kishte qëndruar gjatë pothuajse njëmijë vjetve. Dante ka dorën dhe syrin e një artisti. Kështu ai diti të krijojë gjuhën poetike të Italisë dhe është babai i poezisë italiane. Tipike nga Rilindja shfaqet krenaria e tij si artist dhe ndjenja e fuqishme e vlerës së vet, e cila veçse u rrit gjatë viteve të hidhura të mërgimit. Kur atdheu e zhveshi nga gjithcka kishte, vullneti i tij nuk u thye. Emri i Dantes është i lidhur me konceptin e Rilindjes me anë të veprimit fekondues që imagjinata e tij ka ushtruar mbi artistët me të medhenj. Si Mikelanxhelo apo Botiçeli, në fund të fundit çfarë është Gjykimi i Fundit i Kapelës Sistina, përveçse Komedia Hyjnore nga një piktor.
Kështu Dante, që përshkroi ferrin dhe purgatorin për të hyrë në parajsë, i jep ngjyrë dhe jetë Mesjetës së zymtë. Ai është pararendësi i kohërave të reja. Ai shikon si para vetes, ashtu edhe prapa, dhe në këtë gjë ai është unikal. Duke shkruar poemat e tij të mrekullushme, Dante prezanton idenë që do të jetë fokusi i Rilindjes: Zoti është suprem, por jeta është humane. Ai tregoi gjithashtu se antikiteti klasik mund të përdoret për të përshkruar mësimet më të thella të njerëzimit. Krijoi gjuhën italiane, shkroi një poemë përfekte dhe na la një relacion të përsoruar se çfarë dashuria është e aftë të bëjë. Kjo ishte arritja e Dantes, dhe e atij takimi të vitit 1274 mes tij dhe të bukurës Beatriçe.