Dashuria si kryefjalë poetike

arjola zadrima safo


(Arjola Zadrima, “Po të due unë”, Bard Books, Prishtinë, 2022)

Nga Zija Vukaj

Gjithmonë vëllimet me poezi ngjajnë si tufat e luleve. Aroma e kësaj buqete me rreth 50 poezi i afrohet shqisës së lexuesit me ndijimin e sharmit të një luleje, që në oborret e Shkodrës quhet lule durhan (dorë hanëm) e në Jug dorëzonjë. Këtë përshtypje e krijon motivi kryesor- ai i dashurisë dhe veçantia e trajtimit të kësaj ndjenje. Tema e dashurisë, që me siguri është më e trajtuara përgjatë gjithë historisë botërore të artit poetik, shfaqet në vargjet e këtij libri me një freski dhe origjinalitet të admirueshëm. Pavarësisht se vjershat e këtij vëllimi janë shkruar në vargje të lira, fryma e tyre, emocioni, përjetimet dhe imazhet janë thellësisht safike, aq sa në përfundim të leximit krijohet mendimi se poezia është diçka femërore, e mbrujtur në thellësinë e shpirtit të gruas, të së dashurës, të bashëshortes, të nënës, pasi ndjeshmëria e shkarkuar në impulse të tilla poetike buron vetëm nga ky shpirt.

Poezitë e kësaj përmbledhjeje janë ndërtuar kryesisht në formë dialogjesh të unit lirik me objektin e dashurisë. Por më shumë se dialogje ato janë narrativa pasionesh, ndijime të zjarrta shqisore, çaste shkrirjesh fizike mbresëlënëse, të dhëna me përshkrime të gjalla dhe me një gjuhë të guximshme gati bakike. Impostimi i personazhit lirik në lojën erotike është mjaft i natyrshëm, plot sensualitet dhe plastikë. Poetja Zadrima ia ka arritur kësaj përmes forcës së detajeve, ndërtimit të imazheve, sinqeritetit shprehës dhe aftësisë për të kapur çastet dhe përjetimet. Në mjaft poezi të tjera kemi një klimë prekëse, pothuajse sfilitëse, veshur me nostalgjinë e një humbjeje të shtrenjtë që “mpikset” në kujtesë. Përveç ngarkesës së madhe emocionale, në disa poezi mbizotëron edhe një ton thuajse elegjiak:

Me ndje mungesën e një përqafimi,
e mos me e kërku,
me ndje dëshirë me folë
e mos me bzâ,
me ndje nji ofshamë në gji,
e mos me kja,
më ndje nji mall prej larg,
pa mujtë me e shu…

(“A po t’bjen n’mend për mu?”)

Në trishtimin e lamtumirës së pandërprerë të gjërave, njeriu shfaq një mënyrë a përpjekje për t’i mbajtur, për të mos i lëshuar. Si rrjedhim i kësaj rijetojnë në shpirtin e heroit lirik çaste lumturie tashmë të shkuara. Nga kjo rrethanë i lindin në shpirt izolimi dhe vetmia e bashkë me to vetëdija se gjërat nuk i përkasin më, se nuk i përket më as objekti i dashur e, së fundi, as dashuria:

Tash dhimbjen jam mësue me ia
ngjitë jastëkut
ku prehen andrrat
që pashë…

(“Hukatje”)

Pasqyrë e shpirtit të ndjeshëm të poetes Arjola Zadrima bëhen edhe disa poezi me motivin e kohës që ikën, të fatalitetit të jetës etj. Këto janë njësi poetike të lindura prej kontemplacioneve medituese, por gjithsesi të mbrujtura nën hijen e këndshme të portretit të femrës.

Këndej s’ka ma hapa të randë me lanë gjurmë,
veç stinët kalojnë mbi shpinë,
çelin lule,
digjen male,
thahen liqene të tanë e mandej bien gjethet,
veç stinët prekin nudon e nji grueje,
që s’din me ulëritë!

(“Më thuej”)

Duke njohur edhe krijimtarinë e mëparshme të poetes Zadrima, mendojmë se kjo buqetë poetike shënon një stad edhe më të arrirë. Këtu ajo shfaqet me një arsenal më të pasur figurativ, me një fuqi më të madhe në ndërtimin e imazheve si dhe në përdorimin e shfrytëzimin e verbit poetik. Tashmë kjo poete ka përvijuar profilin e saj të përveçëm si një zë me tingëllim të qartë e të ngrohtë në qarqet e poetëve të sotëm.

ObserverKult

Lexo edhe:


EDHE PESË AUTORE ME ANTOLOGJI PERSONALE NË KOLANËN “SAFO”