Dashuritë e ndaluara shndërrohen në mall të përjetshëm…

Dashuritë e ndaluara shndërrohen në mall të përjetshëm.
Kështu ndodhi edhe me qytetin tim të ndaluar.
Kur më ne fund e vizitova, i ngjajnte një ëndrre të lashtë që tani shihja me sy të hapur.

Nga Teuta Skenderi

Tirana ishte qytet i ndaluar për ne për shumë dekada. Sikur një dashuri e ndaluar, emrin e së cilës nuk guxoje ta thuaje me zë, ëndërronim rrugët dhe dritaret e saj.
Por këngët për të askush nuk arriti të na i ndalonte.
Ato vazhduan të këndohen dhe mbahen në mend.
Tiranën vizitova për herë të parë atë vit kur Babi im ndërroi jetë. Nuk arritëm ta realizojmë ëndrrën shumëvjeçare: të pijmë kafe së bashku në Sheshin Skënderbe.

Shetisja rrugët e bukura të Tiranës atë ditë të nxehtë gushti, e rrethuar me gjuhën dhe popullin tim kudo, me mikëpritjen, fjalë të bukura, bujarinë.

Në kafenenë përballë monumentit madhështor të Skenderbeut më pikuan lotët: për Babin, për fatet tona, për dekada të persekutimit nga të dy anët e kufirit, për këngët e pakënduara, për Zoja Lilin fisnike- bibliotekisten e Prizrenit, e cila kishte nevojë të mirrte leje të veçantë pêr të vizituar vëllain e saj në Tiranë, për faktin se mund të vizitonim Zagrebin, Lubjanën, Beogradin, Dubrovnikun lirshëm dhe kurdo, por Tiranës nuk guxonim as të ja përmendim emrin;
për Babin përsëri, sepse sikur ja degjoja zërin nga largësia.
Kamarieri me emrin Roland i vërejti lotet. Më pyeti nëse mund të më ndihmojë.
I fola për Babin dhe dashurinë tonë të ndaluar me vite të tëra, dëshirën e tij shumëvjeçare- dhe ja që tani mund të udhëtojmë në Shqipëri lirshëm, ai më nuk është në këtë Botë.


Më dëgjoi me vëmendje. Më tha se do të ishte njeriu më i lumtur nëse një ditë, kur edhe ai nuk do jetë në këtë Botë, vajza e tij do t’i tregojë dikujt të panjohur për të, ashtu sikur une i fola për Babin tim.


Dashuritë e ndaluara shndërrohen në mall të përjetshëm.
Kështu ndodhi edhe me qytetin tim të ndaluar.
Kur më ne fund e vizitova, i ngjajnte një ëndrre të lashtë që tani shihja me sy të hapur.

Tirana e ëndërrave tona të këputura, kolektive, Tirana e këngëve tona të ndaluara, Tirana që ishte shumë afëer por të dukej sikur ishte prapa shtatë maleve dhe shtatë deteve, u godit nga tërmeti i fuqishëm sot, dhe mua më dhemb shpirti dhe më shtrëngohet zemra, sepse e dua shumë më fuqishem se çfarëdo shkalle Rihter, e cila sot provoi ta gjunjezoj atë.

Do të rri zgjuar sonte, bashke me Tironsit, sikur atë natë kur isha fëmi, dhe për herë të parë dëgjova zërin e Vaçes në një televizor të vjetër, që emitonte fotografi te ndaluara qe megjithate udhëtonin dhe mrekullisht mbërrinin në dhomën tonë të ditës nga Tirana në Prizren.
21.09.2019/

ObserverKult

lexo edhe:

EDISON YPI: AI DHE AJO NUK DO MARTOHESHIN…PSE-PSE-PSE ?!