Dea Basha: Zgjohem përsëri e trembur… një tjetër ëndërr ma plagos shpirtin


⅓, poezi nga Dea Basha

Në kaosin e tmerrshëm
Çfarë bie, ngjitet në një rrugë të vetme
Për shkatërrimin e vetvetes
Duke fluturuar
Duke rënë
Paralelet sulmuese marrin forma të hijeve
Ato kufizojnë lakueshmëritë e shpresës
Unë jetoj
Kur pikat ngrihen në kohë

Kam nevojë për kujtimet e saj
Më duhet t’ia gjej të shkuarën
Kolibrat pështyjnë gjak
Mbi fytin e saj të prerë…këndshëm
“En-ho en-ee-n thgh-ee-e owt”
Fantazmë e uritur…

Ndihem çuditshëm, djall
Trupi më është mpirë
E shkuara nuk frymon si dikur
Kolibrat nuk janë ashtu siç duken
Një qiri i ndezur, një libër i pushueshëm
Kurorat e maleve ngriten në adhurim
Vështroj përlotshëm kujtimet e mia

Kujtimi i saj më përndjek
Ndjesi të njohura, të pajetuara
Pika të bardha bien pareshtur
Mbi flokët prej thëngjilli të ndezur
Të gjatë gjer tek supet
Më duhet të shpëtoj nga ky makth
Do t’ia pres
Por njëherë të lutem
Annette
…ma pëshpërit ëndrrën e fundit…

“Isha unë,
isha unë,
brenda mureve të mishta.
Silueta e mjegullt…
dhe sytë e zbrazur…
E prekën pellgun e largët
Ku dashnori im akoma…
Pret gostinë e larvave”

Zgjohem përsëri e trembur
Një tjetër ëndërr ma plagos shpirtin
Ndihem ndryshe, më pak reale
Ku është ajo…
flokëthëngjilli im…?

Më tha se bën ftohtë në parajsë
Kujtimet e saj janë
shpëtimi i së ardhmës time
Vdekje…vrasje…vetëvrasje…
A është kjo vallë
natyra e vërtetë e sakrificës?
Nënqeshja e saj përhap
Aromë murtaje bubonike

Qëndrojmë ballë për ballë
Si dy hije
Pa kujtime, ëndërrime
Duke vështruar çeljen e vezëve
Mbi qerpikët e së porsalindurit
Vizion që dënohet përjetësisht
në kerkimin e së pakuptimtes
Ose edhe më keq
Subsatancat e jetëve të shkuara balancohen
Duke fluturuar
Duke rënë
në harresë…
“En-ho en-ee-n thgh-ee-e owt”

Ç’dashuri të jetosh
Kur pikat ngrihen në kohë…

ObserverKult


Lexo edhe:

DEA BASHA: SE KËTË GJË E BËJNË TË DASHURUARIT…